FMN me Ahmetajn: Asistencë për rrezikun e koncesioneve

Feb 14, 2018 | 8:22
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi të suksesshme mbylljen e programit 3-vjeçar me qeverinë. Vlerësimet e FMN-së për programin dhe ekonominë u dhanë nga zv.drejtori i përgjithshëm i FMN-së, Tao Zhang, i cili u prit dje në takim nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

ahmetaj

Pas mbylljes së programit, Fondi Monetar Ndërkombëtar do ta mbështesë qeverinë me asistencë teknike për kontrollin e risqeve të projekteve me partneritet publik privat. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se angazhimi kryesor i qeverisë janë reformat dhe konsolidimi fiskal, pasi ato janë garant i vazhdimit të rritjes ekonomike.

TAKIMI

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi gjatë takimit se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në vazhdimin e konsolidimit fiskal, uljen e borxhit publik dhe avancimin e reformave strukturore në ekonomi.

“Ne jemi të bindur se pa vazhdim të reformave, nuk ka vazhdim të rritjes ekonomike për vendin. Ne kemi nisur një reformë të re në sektorin e ujit, ndërsa po vazhdojmë të thellojmë reformën në klimën e biznesit, tashmë më derregullimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve për sipërmarrjen dhe qytetarët, duke iu kursyer atyre kohë dhe para, përmes lehtësimit të procedurave, gjë që kemi bindjen se do të reflektohet edhe në raportin Doing Business”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kuadër të programit trevjeçar me qeverinë shqiptare, ndërsa theksoi se viti 2017 u mbyll me një performancë shumë të mirë fiskale, deficit total -2% e DGP dhe balancë primare pozitive, për të tretin vit radhazi.

Në aspektin ekonomik, ministri Ahmetaj theksoi se rritja ekonomike është thuajse katër herë më e madhe se në vitin 2013, ndërsa nëntëmujori 2017 u mbyll me rritje 3.9%. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur, ndërsa papunësia ka rënë, në linjë me synimin e qeverisë për të kapur nivele njëshifrore deri në fund të mandatit të dytë. Nga ana e tij, zv. drejtori ekzekutiv i FMN-së, Tao Zhang, theksoi se programi me qeverinë shqiptare, është një program i suksesshëm në vlerësimin e FMN.

Zëvendësdrejtori Zhang tha se FMN do të vazhdojë mbështetjen ndaj qeverisë nëpërmjet asistencës teknike. “Unë dua të përcjell sot edhe vlerësimin e drejtuesve të lartë të Bordit të FMN për programin me Shqipërinë. Jemi të kënaqur që programi u mbyll me sukses dhe gjej rastin të lëvdoj qeverinë shqiptare për përmbushjen e objektivave kryesore të këtij programi. Ky është një moment shumë i mirë për ekonominë shqiptare, krahasuar me tre vite më parë. FMN është e gatshme t’ju mbështesë në vazhdimësi, edhe përmes asistencës teknike, si dhe për minimizimin e risqeve potenciale. Ne mbështesim vendet tona anëtare, që të kuptojnë kapacitetet e tyre reale dhe të rriten në mënyrë të balancuar, në përputhje me këto kapacitete”, tha zv. drejtori ekzekutiv i FMN-së.

Për projektet me partneritet publik privat, ministri Ahmetaj tha se qeveria shqiptare është e vetëdijshme për hapësirat fiskale dhe projektet e PPP janë parashikuar në planin buxhetor afatmesëm. Qëllimi kryesor është përmirësimi i infrastrukturës dhe konektivitetit, duke angazhuar kapital privat. Zv. drejtori i FMN-së, Zhang tha se kapacitetet implementuese janë shumë të rëndësishme për PPP dhe FMN është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, në mbështetje të angazhimit të sektorit privat dhe kontrollin e risqeve potenciale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura