FMN: Problemi i vetëm, kreditë e këqija

Mar 18, 2015 | 10:35
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vlerë- suar me nota pozitive ekonominë, por në listën e problemeve ka renditur një serioz që lidhet me nivelin e kredive të këqija. Gjatë konferencës së përbashkët të FMN me përfaqë- sues të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, Nadeem Ilahi do të theksonte se institucionet duhet të hartojnë një strategji që të zgjidhin këtë problem që frenon edhe kreditimin e ri.

Nadeem Ilahi

KREDITË

Niveli i kredive me probleme në vendin tonë cilësohet si një ndër më të lartët në rajon, të paktën sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shefi i misionit, Nadeem Ilahi, tha dje se situata problematike nuk po lejon që të ketë rigjallërim të kreditimit, çka automatikisht përkthehet në më pak investime dhe qarkullim.

“Politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Rritja e kreditimit po rigjallërohet, por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve për të hartuar një strategji gjithëpërfshirëse, që adreson çështjen e kredive me probleme, me synim për të përmirësuar mjedisin e kreditimit”, tha Ilahi dje. Nga ana tjetër, ishte ministri i Financave Shkëlqim Cani ai që deklaroi se do të ngihet një komision ndërinstitucional, që do të punojë për të zgjidhur problemin e kredive të këqija. “Ne synojmë krijimin e një grupi pune ndërinstitucional të nivelit të lartë për të hartuar një strategji/plan masash konkret për të ulur nivelin e NPL-ve”, tha ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili u shpreh se do të bashkëpunohet ngushtë me industrinë bankare për të zgjidhur situatën e krijuar.

“Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me industrinë bankare dhe autoritetet e tjera të vendit për adresimin e shpejtë të problematikës përkatëse. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të vijojë punën për përmirësimin e infrastrukturës që vlerëson dhe trajton rreziqet për sistemin financiar në tërësi, në zbatim të rekomandimeve të dala nga Programi i vlerësimit të sektorit financiar”, tha Sejko.

TAKSAT

Viti 2015 pritet të ketë një ecuri të mirë të ekonomisë dhe gjasat janë që të mos ketë ndryshime drastike që prekin direkt xhepat e qytetarëve. Të paktën këtë la të kuptohej dje ministri i Financave Shkëlqim Cani, duke konfirmuar se nuk do të ketë rritje të taksave.

“Ne gjejmë dakordësi me njëritjetrin për sa u përket zhvillimeve ekonomike dhe parashikimeve për të ardhmen. Kështu, ne konfirmojmë parashikimet se rritja ekonomike do të jetë rreth 3% për vitin 2015 dhe do të përshpejtohet në vitet në vijim”, tha Cani.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe FMN për rritjen ekonomike, duke vlerësuar se përmbytjet dhe situata e sektorit të naftës do të kenë kahun ngadalësues, ndërsa çmimet e ulëta do të kenë efekt te rritja e kërkesës së brendshme dhe me një kontribut pozitiv. Por në përgjithësi, ajo që shihet sipas Ilahit, është pozitive dhe kjo do t’i paraqitet edhe Bordit Ekzekutiv.

Ky i fundit pritet të mblidhet në mes të vitit për të diskutuar shqyrtimin e katërt, i cili do të mundësonte lëvrimin e këstit 37.4 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura