FMN foli!

Mar 21, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

zef-preciZEF PREÇI

Si çdo studiues, por thjesht njeri që merret me të dhënat statistikore të ekonomisë sonë kombëtare, nuk mund të mos gëzohem për çfarëdo progresi që kjo ekonomi shënon. E kur flasim për progres, fjala është për hapjen e vendeve të reja të punës, për thithjen e investimeve të vendit dhe të huaja, për rritjen e prodhimit vendas, për rritjen e fuqisë eksportuese të kësaj ekonomie. Pra, shënohet progres kur vendi bëhet më i jetueshëm për qeniet humane që quhen shqiptare e që fati i solli në këtë cep të Europës…

Meqë sot doli Deklarata Përmbyllëse e Misionit të parë të Monitorimit pas Programit, në vijim po komentoj diçka nga ky raport, i bindur se në ditët në vijim, ekonomistë, gazetarë dhe analistë të shumtë do të përpiqen të “përkthejnë” në shqip këtë dokument…

Së pari, mendoj se duhet vlerësuar konteksti i lëshimit të këtij dokumenti, d.m.th. “Monitorimi i parë pas Programit” si një proces që zhvillohet “… për ato vende anëtare që kanë një nivel të konsiderueshëm kredie të FMN-së ende për t’u shlyer pas përfundimit të programeve dhe ka fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet”. Mendoj se këtu qëndron edhe rëndësia e këtij dokumenti, d.m.th. në paralajmërimin e risqeve që i kanosen ekonomisë shqiptare, aktualisht dhe në perspektiven e afërt.

Së dyti, deklarata e FMN-së konfirmon futjen e ekonomisë sonë në një trend rritës mbas krizës ekonomike globale të dekadës së fundit. Sipas kësaj deklarate, rritja ekonomike gjatë vitit 2017 rezulton në një nivel prej 3,9 për qind kundrejt 3,7 në vitin paraardhës. Pra, me gjithë progresin e shënuar, kjo rritje ekonomike nuk mund të arrijë objektivat e pritshme si ato që u përmendën më sipër, d.m.th., 2017- ta, në këndvështrimin ekonomik, ishte krejt e ngjashme me 2016-ën…

Së treti, në listimin e risqeve potenciale të ekonomisë shqiptare përmend: borxhin e lartë publik, detyrimet e kushtëzuara dhe kreditë nën standard në sektorin financiar. Kështu, Deklarata e FMN-së ofron një të dhënë zyrtare të rëndësishme të borxhit publik në fund të 2017-ës prej 71,2 për qind, duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe lokale prej 1,8 për qind të GDP-së. D.m.th, konfirmon shqetësimin e para pak ditëve mbi borxhin e pushtetit vendor prej 280 milionë dollarësh qysh nga vitit 2015…

Se katërti, “detyrimet e kushtëzuara” është në të vërtetë termi i butë i deklaratës së FMN-se për të shprehur politikën e ndjekur tre-katër vitet e fundit për zgjerimin agresiv të të ashtuquajturave kontrata koncesionare të tipit “partneritet publik privat”… Është kjo arsyeja që FMN jo vetëm thekson nevojën e fuqizimit të proceseve të vlerësimit të riskut në Ministrinë e Financave, por edhe sugjeron pakësimin e vendimmarrjeve të fragmentuara dhe rekomandon eliminimin e propozimeve të pakërkuara, të cilat, siç dihet, pasqyrojnë mekanizmin formal, përmes së cilit lobet e biznesit dhe oligarkët po marrin njeri mbas tjetrit në duart e tyre shërbime publike të rëndësishme duke mos iu nënshtruar një procesi konkurrues, pa justifikimin e dobisë publike dhe duke ”akaparuar” pjesë të rëndësishme të buxhetit të shtetit në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme…

Së pesti, kreditë nën standard në sektorin financiar. Në fakt, deklarata vë në dukej se, “Sistemi bankar edhe kështu është i rënduar me kredi të mëdha nën standard dhe me vështirësi në ekzekutimin e kolateralit”. Ky trajtim dëshmon se politika e pastrimit formalisht të bilanceve të bankave që është ndjekur vitet e fundit, është e pamjaftueshme dhe se ky sistem përmban rreziqe të reja që lidhen me vetë procesin e ristrukturimit të tregut bankar. Kështu, duke rekomanduar që “Autoritetet do të duhej të mbeteshin vigjilente ndaj risqeve të mundshme të lidhura me ekspozimet e mëdha të shoqërive dhe rritjen në sektorin e ndërtimit”., në fakt, FMN shpreh mospajtimin e vet me programin e qeverise “1 miliard euro”…

Siç dihet, ky program, që për fatin e keq të ekonomisë sonë kombëtare, ka filluar edhe të zbatohet nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, përmban rrezikun jo vetëm të futjes në qarkullimin ekonomik të shumave të mëdha të parave kriminale të drogës që qarkullojnë në ekonominë shqiptare (pra, legjitimimin e tyre), por edhe shtimin e tyre (përmes kthimit në borxh publik për dekadat që vijnë).

Nuk e teproj të them se ky rekomandim, së bashku me rekomandimin tjetër të ripërsëritur që të tregohet shumë kujdes në përzgjedhjen e blerësve të rinj të bankave, përbën paralajmërimin më serioz të FMN-së në lidhje me sistemin bankar të vendit që nga vitit 1996 kur paralajmëroi problemet që sollën krizën e piramidave të viteve 1996-1997. “Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesë- marrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar”, thekson deklarata.

Duke lexuar prioritetet kyçe të identifikuara të financave publike, të tilla si: çuarja përpara e konsolidimit fiskal; rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike; fuqizimi i kuadrit institucional për mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard; dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit, reflektimi i parë që më vjen ndërmend është nevoja e shndërrimit të tyre në një program të vërtetë reformash, në një fushë te debati profesional, publik dhe politik me synim kapërcimin e problematikës serioze që po akumulohet çdo ditë në këto drejtime.

E në këtë mënyrë, reformat nuk do të jenë as tautologji monologësh mediatikë dhe as autolëvdata që nuk shëndoshin gjendjen. FMN foli dhe duhet falënderuar për këtë. Edhe pse këto probleme, në një formë ose një tjetër janë artikuluar disa edhe shumë herë në kohe reale gjatë dekadës së fundit nga masmedia, nga ekonomistët, analistët dhe studiuesit vendas, duke përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, theksimi në deklaratën e analizuar sipër të FMN-së është një dëshmi e nevojës për reforma serioze në financat publike. Tani, fjala është për autoritet shqiptare në pushtet dhe në opozitë, për sipërmarrjen shqiptare, për qytetarët shqiptarë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura