FMN: Buxheti rrezikohet nga kompensimi i pronave

Feb 25, 2015 | 14:34
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nënvizuar se risku fiskal që qeveria duhet ta adresojë për zgjidhje sa më parë është ajo që rrjedh nga pretendimet për kompensim të pronave.

Përfaqësuesi i FMN gjatë takimit me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani

Në deklaratën e zëvendësdrejtorit menaxherial Min Zhu, që erdhi pas miratimit të 58 milionë eurove si pjesë e marrëveshjes që vendi ka me Fondin, vihet theksi edhe te çështja e kompensimit.

“Angazhimi i qeverisë për të forcuar qëndrueshmërinë e borxhit që reflektohet në buxhetin e 2015-s është i mirëpritur. Do të jetë e nevojshme që të adresohen risqet fiskale që rrjedhin nga pretendimet për kompensimin e pronave dhe nga stoku i lartë i investimeve të pabuxhetuara”, shprehet Zhu. Urgjenca e kësaj çështjeje në fakt është njohur nga autoritetet në vend, të cilat kanë marrë përsipër që të ndryshojnë ligjin e pronave në mënyrë që numri i çështjeve që gjykohen në Strasburg të ndalet. Në programin ekonomik 2017-2017 qeveria pranon se Strasburgu ka nisur të shqyrtojë një numër tjetër dosjesh, të cilat nëse do kenë si referencë vendimet e mëparshme, e vënë në risk fiskal vendin.

“Në shtesë të pagesave prej 1 miliard lekësh gjatë vitit 2014 si kompensim për çështjet e fituara kundër qeverisë shqiptare në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut të Strasburg, gjykata ka filluar procesin e një grupi tjetër çështjesh që pritet të vendosen në 2015-n. Kompensimi total për këto pretendime mund të jetë 3 miliardë lekë. Në referencë të precedentëve të mëparshëm të vendosur në çështjet e fundit, mund të çohen të tjera pretendime për kompensim pronash në këtë gjykatë”, thuhet në dokumentin e qeverisë.

REFORMAT
Zëvendësdrejtori menaxherial pranë Fondit, Min Zhu, vlerëson se reformat strukturore janë ato ku duhet të rrihen përpjekjet e qeverisë. “Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë duket se është në rrugën e duhur edhe pse ka risqe anësore. Autoritetet meritojnë besim për një politikë të gjerë të suksesshme gjatë vitit të parë të marrëveshjes me FMN-në. Vendosmëria për implementimin e reformave strukturore në axhendë, do të jetë vendimtare në mënyrë që të ulë riskun e çekuilibrave makroekonomikë dhe të risë standardin e jetesës”, shprehet ai. Një tjetër reformë që gjykohet si pozitive është ajo e energjisë. Për FMN-në, masat e marra janë të duhurat, veçse ato duhet të mbeten të qëndrueshme për të garantuar ecuri pozitive të sektorit.

“Hapat e parë të autoriteteve për të reformuar sektorin energjetik janë inkurajues. Implementimi i qëndrueshëm i reformave në termat afatmesëm do të jetë i nevojshëm pasi janë vitale për qëndrueshmërinë fiskale. Vendimi i autoriteteve për të kompensuar grupet sociale më vulnerabël për rregullimin e tarifave të energjisë është pozitiv”, shprehet Zhu.

BANKA QENDRORE
Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se i ka kushtuar vëmendje edhe politikave të Bankës Qendrore, të cilat kanë qenë në kahun lehtësues, duke ulur normën e interesit për lekun. Nisur edhe nga fakti që tashmë në krye të Bankës është një Guvernator i ri, theksi nga drejtuesi i lartë i Fondit vihet te pavarësia e institucionit, por edhe te forcimi i mbikëqyrjes. “Politika e lehtësimit monetar është e duhura në shënjestrimin e presioneve inflacioniste, duke evituar risqet e stabilitetit financiar. Sigurimi i pavarësisë së Bankës Qendrore dhe forcimi i mbikëqyrjes së saj do të jenë të rëndësishme për ruajtjen e kredibilitetit”, shprehet zëvendësdrejtori menaxherial. Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura