Fluturon Gjermania, “tulipanët” në tapet

Jun 14, 2012 | 15:50
SHPËRNDAJE

Zhgënjen sërish skuadra e Van Marvjik, “dojçët” i japin leksion futbolli.

Dopietë e Mario Gomezit, Holanda thuajse e eliminuar.

Gjermania dominon mbi Holandën dhe kualifikohet për në çerekfinalet e Europianit. Në “Metalist Stadium” të Karkivit përfundon 2-1 për “pancerat”, falë dopietës së Mario Gomezit, ndaj të cilit vetëm Van Persi arriti që të replikojë, por pa u ngjitur në të njëjtën katedër me sulmuesin e Bajernit. Duhet thënë se kjo Holandë nuk është matematikisht jashtë këtij europiani, por për momentin i kanë mbetur shpresa fare të vogla, që normalisht nuk lidhen totalisht me atë (do të duhet që Gjermania të mundë Danimarkën dhe “tulipanët” të fitojnë të paktën 2-0 ndaj Portugalisë). Nënkampionët e botës tregojnë limitet e tyre, kryesisht në mbrojtje, prodhojnë pak në mesfushë, ku çdo top duhet të luhet me patjetër nga Shnajder. Në të kundërt, s’ka rezultat dhe kujtohen shumë vonë për të kthyer rezultatin, pas “shkëndijës” që dha Van Persi. Në fakt, Holanda e nisi mirë lojën, lojtarët e së cilës prodhojnë rastin e parë për gol në minutën e 6-të: një pasim vertikal i Roben për Ven Persin, por ky i fundit nuk gjen kohën e duhur për të goditur topin. E menjëhershme replika e gjermanëve: një gjuajtje në gjysmëlartësi e Ozil, me topin që përfundon fillimisht në shtyllë dhe më pas kapet nga Stekelenburg. Pak minuta më vonë është sërish Roben që jep një pasim për Van Persin në zonë, Humels është në një hap prapa, por sulmuesi i Holandës nuk gjen portën duke gjuajtur jashtë. Duket sikur Gjermania ka paksa probleme për të rrezikuar si duhet, pasi luhet më së shumti në gjysmëfushën e kësaj të fundit, por ja që nuk vonon dhe avantazhi i “dojçëve”: minuta e 24-t dhe një asist perfekt i Shvainsteiger e gjen Gomez të lirë në zonë, i harruar totalisht nga dyshja e qendrës dhe sulmuesi përballë Stekelenburgut nuk e ka të vështirë të shënojë. Skuadra e Van Marvijk has vështirësi për të gjetur hapësira dhe luan shumë ngadalë me topin duke u dhënë mundësi gjermanëve që të jenë gjithnjë në pozicionet e tyre. Sakaq vjen edhe dyfishimi: aksion perfekt i Ozil-Shvajnstaiger, që gjen Gomezin në zonë, ky i fundit rrotullohet rreth vetes dhe lëshon një silur në cepin e djathtë të mbrojtur nga Stekelenburg. Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime për Holandën. Van Marvjik kupton se po gabon, ndaj heq dhëndrin nga fusha për t’i bërë vend Van der Vartit. Por sërish është Gjermania ajo që bën lojën. Ndërkohë “tulipanët” provojnë me gjuajtje nga larg dhe në minutën e 61-të Shnajder pason për Huntelar, i cili gjuan, por topi pritet, përfundon pak centimetra jashtë. Gjithsesi, ndihet “era” e golit dhe në minutën e 73-të Van Persi lëshon një predhë që pasi kalon në këmbët e Badshtyber, përfundon në rrjetë. Ka ende kohë dhe Holanda shpreson, por Gjermania nuk e humb toruan dhe nis e qetëson lojën duke e mbajtur sa më shumë topin. Ky kontroll vazhdon deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.

Skeda e ndeshjes
Holandë-Gjermani 1-2

Shënues: Van Persi 73’/ Gomez 24’, 38’
Kartonë të verdhë: De Jong, Vilems/ Boateng’
Gjyqtarë: Xhonas Erikson/ S.Uitberg dhe M.Klasenius (SUE)
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg, Van der Viel, Heitinga, Matijsen, Vilems, De Jong, Van Bomel (Van der Vart 46’), Roben (Kajt 83’), Shnaijder, Afelaj (Huntelar 46’), Van Persi. Trajner: Bert van Marvijk
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Boateng, Humels, Badshtyber, Lahm, Kedira, Kros, Myler (Bender 90’), Ozil (Kros 81’), Podolski, Gomez (Klose 72’). Trajner: Joakim Lëv

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Mario Gomez ka qenë lojtari më i mirë në fushën e lojës. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut tregoi edhe një herë klasin para portës.
Më i dobëti – Është sërish Mark van Bomel lojtari më i dobët në fushën e lojës. Ashtu si në ndeshjen me Danimarkën, ku së bashku me De Jong ishin më negativët, edhe ndaj Gjermanisë dhëndri i teknikut Van Marvjik tregoi mefshtësi ndaj edhe u la në dushe në pushim të ndeshjes.
Çelësi i përballjes – Organizmi i lojës në mesfushë bëri edhe diferencën mes dy skuadrave. Nëse te gjermanët shikoje një Shvjanstaiger perfekt dhe Ozilin që kalonte sa në njërin krah në tjetrin duke bërë “samba” me mbrojtësit, te Holanda nuk funksionoi sërish dyshja Van Bomel-De Jong. Shanjder ishte gjithnjë i markuar më së miri dhe në mjaft raste kishte pak mundësi që të organizonte lojën e kësaj Holande.
Moviola – Në minutën e 12-të të pjesës së parë Ozil proteston për një rrëzim në zonë pas kontaktit me Matijsen, por vepron mirë arbitri që vazhdon lojën, pasi nuk kishim të bënim me penallti. E njëjta gjë edhe për Van Persin në pjesën e dytë, në minutën e 75-të, kur u rrëzua në zonë. Edhe në atë rast arbitri veproi drejt.

Gomez
“Nëse bëj një panoramë personale të këtyre dy takimeve të para, mund të them se kemi arkëtuar 6 pikë, të cilat nuk i kemi merituar bindshëm, por pikërisht ky cinizëm, e ritheksoj, është edhe çelësi ynë i suksesit. Dua të jem realist dhe dua të theksoj se Gjermania bindëse nuk ka dalë ende në pah. Gjithsesi, këto dy fitore na afrojnë në çerekfinale dhe ndaj Danimarkës shkojmë të bindur në forcat tona”, tha sulmuesi.

Lëv
“Pati momente në këtë ndeshje ku realisht pata paksa frikë, pasi përballë kishim Holandën. Por ne arritëm të shënonin të parët, madje dy herë, dhe më pas ditëm edhe të kontrollonim ndeshjen. Kalimi në çerekfinale është një objektiv i arritur tashmë, por tani duhet të mendojmë për më tej. Gomez? Është fantastik. E ndieja se do të shënonte, ndaj edhe e aktivizova sërish”, tha tekniku i Gjermanisë.

Basha feston fitoren me birra “Korça”
Një nga shumë tifozët e Gjermanisë që ka festuar mbrëmjen e djeshme kualifikimin e kësaj skuadre, ka qenë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Ky i fundit ka festuar nën shoqërinë e birrës “Korça” te pedonalja e kryeqytetit, pranë kinema “Milenium”. Kryebashkiaku, ashtu sikundër edhe mjaft figura të rëndësishme të jetës shoqërore-politike në vend, por jo vetëm, ka preferuar pikërisht birrën “Korça” për të ndjekur ndeshjen mes Holandës dhe Gjermanisë. Siç dihet, Basha është një tifoz i skuadrës gjermane dhe natyrisht, festa e mbrëmjes së djeshme ka shijuar edhe më shumë, pasi kjo skuadër është tashmë në çerekfinalet e Europianit.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura