Florinjtë dhe pronat e sekuestruara pas vitit 1944, flet gjyqtari: Ja si mund të kthehen

Jan 12, 2018 | 16:26
SHPËRNDAJE

Nuk janë vetëm pronat e paluajtshme, tokë truall, bujqë- sore, pyje e livadhe, që shteti komunist u mori qytetarëve shqiptarë pas vitit 1944, por edhe miliona monedha floriri, sende të tjera me vlerë e deri tek orenditë shtëpiake.

FLORJAN KALAJA

Në një analizë për “Panorama”, Florian Kalaja, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, sqaron të gjithë procedurën e ndjekur nga shteti shqiptar pas viteve 1990, për rikthimin e mundshëm të kësaj pasurie.

Habitshëm, qytetarët shqiptarë kanë votuar në vitin 1998 një nen në Kushtetutën e Shqipërisë, që e detyron Parlamentin të miratojë një ligj të posaçëm për rikthimin e kësaj pasurie. Bëhet fjalë për shuma kolosale parash të konfiskuara dhunshëm nga diktatura pas çlirimit, që janë përdorur nga komunistët për vite me radhë.

Në disa dokumente të Arkivit të Shtetit apo të Ministrisë së Brendshme, janë gjetur procesverbale, ku familjeve të tregtarëve të vegjël e deri te bejlerëve të mëdhenj, shteti komunist i ka grabitur të gjithë pasurinë. E ndërsa për tokën ka disa ligje për kthimin dhe kompensimin, për pasurinë e luajtshme, qeveritarët kanë harruar të japin një zgjidhje. Në analizën e vet juridike, gjyqtari Kalaja e gjen këtë zgjidhje.

Kodi i Procedurës Civile (ligji që rregullon proceset gjyqësore civile) dhe Ligji Nr. 49/2012 (ligji që rregullon proceset gjyqësore administrative), parashikojnë detyrimin e gjykatave për të bërë ligj kur konstatojnë se ligjvënësi nuk e ka zbatuar misionin dhe detyrën kushtetuese të ligjbërjes.

“E nëse ndodh kështu, që zotimi kushtetues i pambajtur për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme zgjidhet gjyqësisht, atëherë me siguri, në axhendën e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ do të futet edhe me pahir për zgjidhje kjo çështje.”

Kthimi i pronës së luajtshme

FLORJAN KALAJA*

Përgjatë regjimit të shtetit komunist shqiptar u shtetëzuan me ligje, vendime gjykatash, akte të tjera shtetërore apo edhe me veprime konkludente organeve dhe personave zyrtarë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të pronarëve të ligjshëm. Pronat e ligjshme u shtetëzuan në mënyra të padrejta dhe të papranueshme për filozofinë e regjimit të shteteve demokratike.

Ndaj, pas përmbysjes së regjimeve diktatoriale në Europë, shtetet demokratike ndërmorën disa procese paralele vetëshpronësimi në favor të privatëve. Një nga këto procese është njohja, kthimi dhe kompensimi i pronës. Në këtë frymë, ligjet që morën përsipër të realizonin këtë proces, përshkohen nga parimi, sipas të cilit shteti demokratik merr përsipër (detyron vetveten) t’u kthejë ish-pronarëve, d.m.th., t’i ripronësojë ata me ato prona, që faktikisht dhe juridikisht është e mundur të kthehen, mbasi ekzistojnë efektivisht e janë në fondin e pronësisë shtetërore ose mbahen pa arsye të përligjura nga të tjerët.

Kjo do të thotë se shteti demokratik mori përsipër të ndreqë padrejtësitë e shkaktuara nga shteti komunist. Ligji i parë i miratuar për të adresuar zgjidhje për këtë çështje, hyri në fuqi në vitin 1993. Për qëllimet e këtij ligji njihej e drejta e pronës ndaj çdo ish-pronari apo trashëgimtarëve të tyre, për pronat e shtetëzuara, shpronësuara, konfiskuara apo të marra në çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti.

Megjithëse në nenin 1 të ligjit dukej se merret përsipër të njihet edhe pasuria e luajtshme dhe ajo e paluajtshme, në nenet 2, 3 dhe 4 bëhej e qartë se do të njihej, kthehej fizikisht dhe kompensohej vetëm pronat e paluajtshme, që janë marrë nga shteti pas datës 29.11.1944 në mënyrë të padrejtë. Kjo do të thotë se shteti demokratik nuk mori përsipër të njihte, kthente fizikisht dhe të kompensonte pronën e luajtshme të marrë nga shteti komunist në mënyrë të padrejtë. Ligji u ndryshua katër herë ndër vite, por asnjëherë ligjvënësi nuk tregoi kujdes për t’i dhënë mbrojtje të barabartë ligjore edhe kategorisë së ish-pronarëve të shpronë- suar pa të drejtë për pasurinë e luajtshme.

***

Me Kushtetutën e vitit 1998, e drejta për të njohur, kthyer fizikisht dhe, aty ku nuk është i mundur kthimi, për t’u kompensuar për pronën e shtetëzuar pa të drejtë, u njoh si e drejtë kushtetuese. Neni 181 i Kushtetutës i vuri si detyrë ligjvënësit dhe organeve ligjzbatuese në përgjithësi, që të zgjidhnin në mënyrë të drejtë dhe të përfundonin brenda dy deri në tre vjet të gjitha çështjet e ndryshme, që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke pasur parasysh kriteret e parashikuara në dispozitën kushtetuese që garanton të drejtën e pronës.

Kushtetuta e re parashikoi se ligjet dhe aktet e tjera normative, të miratuara para hyrjes në fuqi të saj, do të zbatoheshin për sa kohë nuk vinin në kundërshtim me të. Kështu, Kushtetuta e re, përfundimisht, njohu të drejtën e kujtdo ish-pronari të shpronësuar pa të drejtë nga regjimi komunist për t’iu njohur, kthyer apo kompensuar prona e luajtshme apo e paluajtshme dhe se i gjithë procesi i zhbërjes së padrejtësive të shtetit komunist do të përfundonte brenda dy deri në tre vjet.

Megjithatë, deri pas gjashtë vitesh pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, asgjë e re nuk ndodhi, pavarësisht zotimit të marrë nga shteti demokratik dhe pavarësisht urdhërimit që populli u dha organeve shtetërore në nenin 181 të Kushtetutës, nëpërmjet referendumit të vitit 1998. Në vitin 2004 u miratua ligji i ri mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, si zbatim i detyrimit që rridhte që nga viti 1998 në nenin 181 të Kushtetutës.

Nga mënyra se si u formulua neni 1, 2 dhe 6, u la të kuptohej se me këtë ligj, njihej e drejta e pronës së luajtshme dhe të paluajtshme të shtetëzuar pa të drejtë nga shteti komunist. Më tej, nga neni 3, 4, 5 dhe 6, u bë e qartë se me këtë ligj do të bëhej i mundur vetëm kthimi fizik apo kompensimi fizik apo monetar vetëm për kategorinë e ish-pronarëve për pasuritë e paluajtshme. Neni 5 i ligjit vendosi se kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme do të kryhej me ligj të veçantë.

Ligji u ndryshua nëntë herë ndër vite, por asnjëherë ndryshimet nuk shfaqën vëmendje për pronat e luajtshme të shtetëzuara pa të drejtë. Në vitin 2015, shteti demokratik miratoi një ligj të ri për trajtimin e pronës së shtetëzuar pa të drejtë nga shteti komunist. Ligji mori përsipër për të tretën herë rregullimin dhe shpërblimin e drejtë të çështjeve të së drejtës së pronë- sisë, që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet, në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Nga përmbajtja e nenit 1, 2 dhe 4, kuptohet se ligji do të veprojë për të zgjidhur çështjen e shtetëzimeve pa të drejtë të shtetit komunist, edhe për pronat e paluajtshme dhe për pronat e luajtshme. Por, nga mënyra se si formulohet neni 3, kuptohet se ligji i ri do të merret vetëm me përfundimin e procesit të vazhduar dhe të pambyllur të ligjit të vitit 2004. Asnjë fjalë në ligjin e ri nuk i kushtohet më detyrimit të shtetit demokratik për të njohur, kthyer dhe kompensuar pronën e luajtshme të shtetëzuar nga shteti komunist, përveç një dispozite tranzitore (neni 38), që shfuqizon ndër të tjera, edhe detyrimin e ligjvënësit për të miratuar në të ardhmen një ligj të posaçëm për kthimin dhe kompensimin e pasurisë së luajtshme (nenin 5 të ligjit 2004).

***

Deri më sot, shteti demokratik nuk e ka pasur asnjëherë në axhendën e tij miratimin e një ligji të veçantë për kthimin e pasurisë së luajtshme, megjithëse me Kushtetutën në fuqi dhe me ligjin e vitit 2004, e ka njohur si të drejtë të ishpronarëve të shpronësuar dhe njëkohësisht, si detyrim të shtetit demokratik. Ky zotim kushtetues ka mbetur i pazbatuar që prej 20 vitesh, ndërkohë që populli, në referendum, urdhëroi që shteti demokratik ta përfundojë zgjidhjen e drejtë të çështjes së shtetëzimeve të shtetit komunist brenda dy deri në tre vitet e ardhshme.

Ndërkohë që për njëzet vjet, nuk është zgjidhur as çështja e shtetëzimeve të pasurive të paluajtshme, për të cilat ka pasur në 25 vjet 25 ligje, që janë përpjekur ta përfundojnë procesin e kthimit të pronës, për pasuritë e luajtshme nuk ka asnjë rregullim ligjor, veç zotimit të mbetur bosh dhe të dhunuar çdo ditë nga shteti demokratik të nenit 181 të Kushtetutës.

Tashmë duket sikur afati kushtetues dy apo tre vjet, në të vërtetë, ka nënkuptuar një afat njëzet apo tridhjetë vjet. Ndoshta më shumë. Me ligjin e vitit 2015, e drejta e njohur nga Kushtetuta e vitit 1998, për t’u njohur, kthyer dhe kompensuar ishpronarët e pasurive të luajtshme, u shpronësua për herë të dytë pa të drejtë. Në të vërtetë, kjo çështje është një nga ata shembuj tipikë, që nuk jep asnjë të dhënë për të dalluar shtetin demokratik nga shteti komunist.

Njëlloj pa të drejtë, shteti komunist shqiptar shtetëzoi në mijëvjeçarin e dytë pasuritë e luajtshme të pronarëve të ligjshëm dhe, njëlloj pa të drejtë, shteti demokratik shqiptar shtetëzoi në mijëvjeçarin e tretë pasuritë e luajtshme të pronarëve të ligjshëm, duke vendosur të shfuqizojë dispozitën ligjore të vitit 2004 mbi detyrimin e ligjvënësit për të miratuar një ligj të posaçëm për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme. Në fakt, nuk dallohet se kur, që nga data 29.11.1944 e deri më sot, shteti shqiptar ka qenë demokratik për këtë kategori subjektesh të shpronësuar dy herë në dy mijëvjeçarë radhazi.

***

Megjithatë, nuk duhet harruar se neni 181 i Kushtetutës është akoma në fuqi, edhe pse i pazbatuar. Kjo duhet të shërbejë si një bazë e mirë legjitimiteti për t’i kujtuar dhe për t’i kundrejtuar organeve të pushtetit demokratik detyrimin kushtetues për të njohur, kthyer dhe kompensuar pronat e luajtshme.

Shteti shqiptar nuk ka garantuar në mënyrë të barabartë të drejtën kushtetuese për të kthyer dhe kompensuar pronën tek ish-pronarët, duke mbrojtur ish-pronarët e pasurive të paluajtshme dhe duke premtuar mbrojtje për ish-pronarët e pasurive të luajtshme. Vlerësoj se dispozita e Kushtetutës, që njeh si të drejtë kushtetuese kthimin dhe kompensimin e pronës së shtetëzuar pa të drejtë (neni 181), dispozita që garanton të drejtën e pronës (neni 41) dhe dispozita që garanton mbrojtje të barabartë nga shteti (neni 18), në mungesën e një ligji që nuk u miratua kurrë, mundet të shërbejë si një bazë e domosdoshme, por jo e mjaftueshme ligjore për të adresuar zgjidhje gjyqësore ndaj kërkesave të ish-pronarëve, për të kthyer dhe kompensuar pasurinë e luajtshme.

Për më tepër që Kodi i Procedurës Civile (ligji që rregullon proceset gjyqësore civile) dhe Ligji Nr. 49/2012 (ligji që rregullon proceset gjyqësore administrative) parashikojnë detyrimin e gjykatave për të bërë ligj, kur konstatojnë se ligjvënësi nuk e ka zbatuar misionin dhe detyrën kushtetuese të ligjbërjes.

E nëse ndodh kështu, që zotimi kushtetues i pambajtur për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme zgjidhet gjyqësisht, atëherë, me siguri, në axhendën e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ do të futet edhe me pahir për zgjidhje kjo çështje. Në këtë mënyrë parashikoj se pushteti gjyqësor mundet të detyrojë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ për të zbatuar nenin 181 të Kushtetutës.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura