Floriana Garo, vajza e motit në “ABC” përfaqëson Shqipërinë në ”Miss World”

Jul 8, 2012 | 10:15
SHPËRNDAJE

Krahas Martina Ivezajt e cila do të përfaqësojë Gjermaninë në ”Miss World”, një tjetër shqiptare do prezantojë Shqipërinë në këtë event bukurie. E kush më mirë se Floriana Garo do të përfaqësonte shqiptarët? E diplomuar në Amerikë në Marrdhënie Ndërkombëtare, ndërsa tani ndjek studimet Master po në atë degë, me një eksperiencë pune si modele e fotomodele në Amerikë, imazh i shumë kompanive, e bukur, e talentuar dhe me shumë sharm. Ju prezantojmë kështu ”Miss World Albania 2012”, Floriana Garon, e cila për një muaj rresht do të bëjë përgaditjet intensive për të marrë pjesë në spektaklin më të madh të bukurisë në botë, që këtë vit do të mbahet në Kinë. Pas një kohe të gjatë që ka jetuar dhe studiuar në Amerikë, Floriana është kthyer në Shqipëri për të shijuar suksesin…
E ke filluar me prezantimin e motit në televizion, na thuaj si ka shkuar jeta juaj deri më tani?
Unë kam jetuar në Amerikë nga viti 2002 deri në 2010. 8 vite që më kanë ndihmuar të formoj atje pjesën më të madhe të karakterit dhe personalitetit tim. Atje kam studiuar Marrdhënie Ndërkombëtare, kam luajtur volejboll me ekipin e universitetit, jam marrë me modeling, kam punuar për të paguar shkollën dhe jetesën, kam zënë miqësi të ngushta, kam udhëtuar shumë, kam krijuar eksperiencat më të bukura të jetës sime. Ka dy vite që jam kthyer në Shqipëri dhe menjëherë jam përfshirë në botën e televizionit, fillimisht me reklama e një emision të shkurtër të Eagle Mobile e më pas me motin.
Një kohë ke jetuar në Nju Jork, ka qenë e vështirë të bëni punën e modeles atje?
Po, ka qenë e vështirë. Nju Jorku është një vend me shumë mundësi, por edhe me shumë konkurrencë. Është e vërtetë shprehja “If you can make it there, you can make it anywhere” (Nëse mund t’ia dalësh mbanë atje, mund t’ia dalësh kudo). Nju Jorku mbahet si kryeqytet i modës dhe modelet janë të shumta. Unë jam marrë kryesisht me showroom modeling, sfilata me fustane nusërie dhe kam punuar më shumë si fotomodele.
Gjatë një interviste keni theksuar se ju ka ndihmuar shumë Fadil Berisha, tani keni kontakte me të, do e takoni para se të udhëtoni drejt spektaklit ”Miss World”?
Është e vërtetë që Fadili ka qenë ai që më ka nxitur të hyj në fushën e modës që kur isha 18 vjeçe. Ai mendonte se unë vërtet kisha çfarë duhet për të qenë e suksesshme, por duhet të isha shumë e fokusuar. Kam kontakte me të, madje e takova para disa javësh bashkë me Vera Grabockën dhe më tha se tashmë e kisha arritur tamam fokusin e nevojshëm për t’ia dalë mbanë edhe në ”Miss World”.
Po oferta për të qenë pjesë e këtij spektakli si erdhi?
Mua më kontaktoi Vera Grabocka dhe më komunikoi që isha përzgjedhur nga përfaqësuesit e “Miss World” në Shqipëri si vajza me fat që do të ishte ambasadorja e vendit tonë në këtë eveniment ndërkombëtar.
E keni pasur si ëndërr, por a ka ardhur në momentin e duhur?
Është e vërtetë që ka qenë ëndërra ime në sirtar, e në fakt nuk e mendoja se do të realizohej ndonjëherë. Megjithatë fati është i rëndësishëm, ashtu siç është të shfrytëzosh mundësitë në momentin e duhur.
Nëse të jepet shansi të renditesh lart në këtë spektakël, si do kishte vijuar kariera jote?
Nuk mund ta them tani, megjithatë jam e bindur që do të vazhdoja në botën e televizionit dhe të modës.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura