Floresha Dado: Mid’hat Frashëri duhet vlerësuar pa denigrime e komplekse

Nov 14, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Lidhur me vlerësimin e Mid’hat Frashërit, shkenca jonë nuk mund të qëndrojë më, as në ekstremin e denigrimit, as në vlerësimin e kompleksuar, që hesht apo fshin momente të veçanta të aktivitetit politik”.

Akademikja Floresha Dado
Akademikja Floresha Dado

Kështu do të shprehej Kryetarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademikja Floresha Dado, mbi debatin për vlerësimin e figurës së Mid’hat Frashërit, eshtrat e të cilit, më në fund, pas një pritjeje të gjatë, do të prehen në tokën e të parëve, sipas amanetit që ai vetë ka lënë para se të vdiste. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, studiuesja e letërsisë, akademikja Floresha Dado do të vlerësonte figurën komplekse të M. Frashërit, të cilin është e vështirë ta pozicionosh në një apo dy lëmenj. Patriot, mendimtar, politikan, diplomat, prozator, publicist, përkthyes, historian… Si i tillë, sipas Dados, “është një personalitet që ka vend nderi në historinë e albanologjisë”. Duke u ndalur pak në debatin e ditëve të fundit, që shkojnë deri në ekstremizëm, mbi sjelljen e eshtrave në Shqipëri, mbi nderimet dhe vendvarrosjen, Dado shprehet se fatkeqësisht shoqëria shqiptare ende nuk është e çliruar nga paragjykimet politike, por figura si Mid’hat Frashëri duhen vlerësuar në kompleksitetin e vet, duke vënë në pah e dritëhijet e tyre. Sa i takon vendit, ajo thotë se ai do të prehet natyrshëm pranë familjes së vet të Frashërllinjve, me të cilët krijon një panteon vlerash.

Mithat_Frasheri

Me vendim qeverie, po kthehen dhe po varrosen në atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit, sa i rëndësishëm është ky akt?

Pa diskutim, është shumë i rëndësishëm, në dy aspekte: së pari për konfirmimin e dinjitetit të shtetit shqiptar lidhur me qëndrimin e tij ndaj një figure të rëndësishme, poliedrike, të historisë dhe kulturës shqiptare. Së dyti, ky akt, që ka ndodhur edhe në disa raste të tjera të rivlerësimit shtetëror, nuk është thjesht afirmim i një mendësie objektive, përtej paragjykimeve ekstremiste në raport me historinë dhe trashëgiminë tonë politike, sociale, kulturore, por edhe një ndjesë për qëndrimet e skajshme politike të regjimit diktatorial, të cilat lanë në harresë ose persekutim shpirtëror shumë figura të vlefshme të historisë sonë. Ne nuk duhet ta varfërojmë historinë e shqiptarëve, duke përjashtuar personalitete të fushave të ndryshme, por ta paraqesim sa më të plotë, me gjithë problematikat e saj.

Jo më kot nuk e parapriva me asnjë “cilësor” emrin e Mid’hat Frashërit. Profesoreshë, për cilat aspekte të veprimtarisë së tij duhet nderuar figura e M. Frashërit?

Nuk do të ishte aq e lehtë për ju të përdorni një apo dy “cilësorë” për të karakterizuar këtë figurë historike, sepse ato janë shumë… T’ju them të drejtën, personalisht jam ndjerë keq kur para disa vitesh u njoha në mënyrë më të plotë me jetën dhe veprën e M.Frashërit, kur kuptova mosnjohjen dramatike, nga brezat e gjysmës së dytë të shekullit XX e deri sot, të aktivitetit tërësor dhe të shumanshëm të këtij personaliteti. Prandaj, po ju them se “cilësorët” që do t’ju duheshin juve sot për figurën e Mid’hat Frashërit janë disa: veprimtar i palodhur për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, mendimtar iluminist, politikan, diplomat i mençur, studiues dhe kontribuues në lëvrimin e gjuhës shqipe përmes edhe hartimit të teksteve shkollore, përkthyes, historian, gjeograf, publicist e sociolog guximtar, shkrimtar (prozator dhe poet), eseist, përkthyes, bibliograf e librar etj. Por, mbi të gjitha, “cilësori” kryesor do të ishte veprimtar i pareshtur për çështjen shqiptare në diplomacitë dhe institucionet vendimtare të Europës dhe posaçërisht në akte vendimtare të historisë shqiptare… Sikur vetëm dy të përmendnim: aktivist dhe jo thjesht nënshkrues i Dokumentit Historik të Shpalljes së Pavarësisë dhe bashkëkryesues (me Fishtën) në çështjen jetike kombëtare të njehsimit të alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, etj. Aktivitetet që i dhanë kuptim jetës së tij janë kaq të shumta dhe tepër të gjera për t’i përmbledhur në pak rreshta…

Cili është qëndrimi i Akademisë së Shkencave ndaj personalitetit të Mid’hat Frashërit?

Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike niset nga koncepti shkencor i vlerësimit, pa paragjykime ekstreme, të figurave të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. M. Frashëri ka hyrë në historinë tonë si themeluesi i të parit Institut Albanologjik të Studimeve Shqiptare, që në vitin 1928, si propozuesi për të ftuar al banologun e shquar N.Jokli me funksionin e drejtorit të këtij Instituti. Projekti i tij shkencor u përkrah nga personalitete të shquar të kulturës shqiptare, si Lasgushi, Fishta, Mjeda etj. M.Frashëri ishte, në një farë mënyre, pika e konvergjencës së gjithë albanologëve në botë. Instituti i Studimeve Shqiptare i vitit 1941 ishte vazhdim i projektit të Mid’hat Frashërit, prandaj edhe Akademia e Shkencave e sotme e njeh si pararendës në këtë traditë shkencore. Nuk po ndalem në kontribute të tjera të shquara mbi gjuhën shqipe, shkollën etj. Gjithë pasurinë e tij e vuri në dispozicion të krijimit të atij Instituti, pa harruar edhe trashëgiminë e vyer që la me bibliotekën e pasur personale “Lumo Skëndo”. E pra, është një personalitet që ka vend nderi në historinë e albanologjisë.

Që kur u bë publik vendimi i Qeverisë, qëndrimet e shqiptarëve, në lidhje me sjelljen në atdhe të eshtrave të M. Frashërit, kanë qenë të ndryshme. Disa e quajnë “atdhetar”, të tjerët “tradhtar”, mendoni se është një debat i vlefshëm? Në rastin e M. Frashërit, a duhen tejkaluar komentet me ngjyrime politike?

Mendoj se kjo është çështja më e rëndësishme sot, që nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin ndaj Mid’hat Frashërit, por ndaj disa figurave historike, të komplikuar në vlerat dhe problematikat e aktivitetit të tyre. Kjo mospërputhje opinionesh dhe qëndrimesh të kundërta në një aspekt është fenomen normal, sepse, siç e thashë më parë, brezat e gjatë 50 viteve jo vetëm që nuk patën mundësi të njihen me aktivitetin e plotë, kompleks të M.Frashërit, por u ushqyen me informacion të njëanshëm, qëndrim ekstremisht denigrues. Nga ana tjetër, shohim qartazi se shoqëria jonë nuk është emancipuar plotësisht në aspektin e qëndrimit objektiv, përtej paragjykimeve politike. Ndeshen vazhdimisht dy qëndrime kundërshtuese në ekstremitet: mbivlerësohen të mohuarit dhe mohohen të vlerësuarit… Qëndrime absurde. Historiografia jonë, dhe sidomos publicistika, me gjithë rezultatet e arritura në vlerësim ngjarjesh, dokumentesh, figurash historike, ende nuk është çliruar nga subjektivizmi politik. E kuptoni çfarë ceni dramatik është ky fenomen? Konkretisht, lidhur me vlerësimin e Mid’hat Frashërit, shkenca jonë nuk mund të qëndrojë më, as në ekstremin e denigrimit, as në vlerësimin e kompleksuar, që hesht apo fshin momente të veçanta të aktivitetit politik. Çdo personalitet historik i çdo kombi ka hije në veprimtarinë e vet. Është e pamundur të mos ndodhë kjo. Edhe Mit’hat Frashëri ka momente që duhen thënë, pa komplekse… Ballafaqimi i hapur i gjithë fakteve, dokumenteve, ngjarjeve, vendosur në kontekste të qarta historike, vetëm do kthjellonte dallimin midis intrigës dhe së vërtetës dhe vlera e këtij personaliteti do ishte aq sa historia ia përcakton, as më shumë, as më pak. Në aspektin metodologjik, kjo përcakton faktin se sa historia e shqiptarëve do shfaqej e plotë, pa komplekse dhe më dinjitoze.

Të qëndrojmë pak më shumë te letërsia, ajo që kemi më për zemër, ju si studiuese e letërsisë, si do ta vlerësonit M. Frashërin si njeri të letrave? Si njeri të letrave?

Është krijimtar i prozës së shkurtër moderne shqipe, mjeshtër i fjalës artistike, ligjërues me një ndjeshmëri dhe forcë të brendshme shpirtërore, shpirt i ndjeshëm e delikat, finesë dhe dhimbje e këndshme, ndërtues i një raporti të veçantë midis botës së tij shpirtërore dhe botës që e rrethonte, mjeshtër i krijimit të karakterit… Është një autor që i ka vlerat jo te sasia e shkrimeve letrare, por te specifika e ndjeshmërisë së tij poetike. Përtej disa studimeve (tema doktoratash apo studime të posaçme), mbetet autor tërheqës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt jo shumë i njohur dhe i studiuar.

Si do ta vlerësonit vendimin për t’i vendosur eshtrat e tij pranë vëllezërve Frashëri e Faik Konicës? Mendoni se është vendi i duhur?

Sigurisht, është vendi i duhur. Dhe jo thjesht se eshtrat e Mid’hatit duhet të shkojnë pranë të atit, Abdyl Frashërit, dhe dy xhaxhallarëve, Naim e Sami Frashëri, por sepse së bashku ata përbëjnë elitën atdhetare e kulturore, krijojnë një panteon, që na përcjell krenari dhe ngacmim në ndjeshmërinë e secilit lidhur me pyetjen e madhe: ç’do të thotë të nderosh vlerat kombëtare, me kritikë dhe me adhurim?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura