Flora Nikolla: Janë 50 gra që konkurrojnë burrat në sukses

Apr 15, 2019 | 10:23
SHPËRNDAJE

Bukuria e të qenurit jo vetëm femër, por edhe e suksesshme. Ky është thelbi i Konferencës Ndërkombëtare “Vlera e të qenit grua në shekullin XXI”, e cila do të nisë sot e do të vijojë deri në datën 16 prill, si një nismë e marrë nga presidentja e “Albanian Excellence”, Flora Nikolla.

nikolla

Ndërsa një vit më parë “Albanian Excellence” organizoi me sukses aktivitetin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, këtë herë ato do të jenë edhe më shumë. Kanë ardhur në Tiranë zonja të nderuara nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga bota. Mbi 50 zonja të suksesshme në të gjitha fushat e jetës kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konferencë. Sipas presidentes së AE, Flora Nikolla, pjesëmarrëset vijnë nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, por edhe nga Presheva, Italia, SHBA-ja etj..

“Janë të gjitha zonja që i bashkon dashuria për ta jetuar jetën me të gjitha dimensionet e saj dhe me të gjitha vlerat, që i ka bërë të kenë sukses të barabartë e madje edhe më shumë se meshkujt në shoqërinë ku ne jetojmë”, thotë Nikolla. Konferenca zë fill në Kalanë e Tiranës, për të vijuar më pas në Ballkonin e Dajtit, ku të pranishmet do të ndajnë jo vetëm historitë e tyre të suksesit, por edhe përpjekjet në vite të grave shqiptare për emancipim e për të qenë të pavarura.

“Në 16 prill, të gjitha së bashku do të udhëtojmë drejt Shkodrës, në mikpritjen e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, zonjës Voltana Ademi. Do vijojnë diskutimet sipas rendit të ditës të planifikuar për t’u organizuar nga ‘Albanian Excellence'”, rrëfen Flora Nikolla, sipas së cilës, gjatë ditëve të konferencës do të krijohet Aleanca Globale e Grave Shqiptare të Suksesit, por do të vijohet edhe me nënshkrimin e Peticionit në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale në shekullin XXI.

“Ne do të shkojmë atje në kryeqendrën e Veriut, në qendrën rinore që është ngritur rishtas atje, për të promovuar librat e viktimave të dhunës ndaj luftës seksuale në Kosovë në vitin 1999. Do të vijë vetë Ramizeja, një zonjë që do të flasë aty. Është e rëndësishme që këtij peticioni do t’i bashkohen jo vetëm gra e vajza, por edhe burra, të cilët mbështesin këtë nismë në ndihmë të viktimave të dhunës gjinore”. Kjo konferencë do të shpallë Kongresin e gruas shqiptare në vjeshtën e vitit 2021, si dhe do të shpallet Çmimi i Madh , “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”.

“Konferenca në mënyrë demokratike do të nënvizojë vlerat e grave shqiptare në fusha të ndryshme nga biznesi, gazetaria, informatika, jurisprudenca, arti, kultura letërsia, domethënë është një gamë shumë e madhe temash që aty do të prezantohen dhe në vijim të kësaj konference do të shpallet edhe Aleanca Globale e Gruas së Suksesit shqiptar. Kjo aleancë do të përbëhet pikërisht nga këto zonja që do të jenë prezente aty, por njëkohësisht do ketë edhe zonja që prezantojnë shoqata grash në të gjithë botën, të cilat do t’i bashkëngjiten kësaj aleance, që ajo të zgjerohet më tej dhe ato të jenë një zë i fuqishëm i gruas së suksesit shqiptar. Do të jetë pikërisht kjo aleancë, bërthama e Kongresit të Gruas së shembullit shqiptar, që do të organizohet në vjeshtën e vitit 2021”, thotë Nikolla.

Adelona Sulaj, duararta në kirurgjinë robotike

Adelona është 32 vjeç. Ka lindur dhe është rritur në Vlorë. Studimet e larta i ka përfunduar në Universitetin e Mjekësisë në “La Sapienza” të Romës. Po aty ka përfunduar specializimin në Kirurgji të Përgjithshme me maksimumin e notave. Aktualisht punon në Toscana, në Repartin e Kirurgjisë Oncologjike Robotike, një nga qendrat e para të Europës, ku ka marrë zhvillim kirurgjia robotike dhe ku çdo vit organizohen kurse me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Është pjesëtare në rolin e organizueses dhe mësimdhënies në “Grupi ndërkombëtar i kirurgjisë robotiche colon recitale” (International School of Robotic Surgery) me qendër në Universitetin ILLINOIS Chicago, USA. Është aktiviste në kërkime dhe publikime shkencore, së bashku me shoqërinë italiane të kirurgjisë (Società italiana di chirurgia SIC), Kolegji Amerikan i Kirurgjisë (American college of surgeons), Shoqëria Italiane e Kirurgjisë së Urgjencës dhe Traumës (Società Italiana della chirurgia d’urgenza e traumi, SICUT) etj.. Durimi, vullneti dhe dëshira për të ndihmuar njerëzit në vështirësi janë pjesë e karakterit të saj dhe falë tyre ka arritur të realizojë ëndrrën e saj për të qenë kirurge.

Ardianë Pajaziti, në ndihmë të gruas përmes gazetarisë

Ardianë Pajaziti është gazetare me përvojë shumëvjeçare. Tash e pesë vite, ajo ka themeluar gazetën e parë online për kulturë dhe art, ëëë.kultplus.com, me seli në Prishtinë, por që ka një shtrirje gjithëkombëtare e më gjerë. E njohur për kontributin e saj në fushën e gazetarisë për më shumë se 20 vite, Ardiana Pajaziti, përpos që ka themeluar gazetën “KultPlus”, përgjatë këtyre pesë viteve ka organizuar edhe konkursin tradicional të poezisë “KultStrofa”, projektin e madh “Ta zbardhi ftyrën”, projekt që ka sjellë në Kosovë figura të rëndësishme shqiptare të fushës së kulturës, të cilat veprojnë në diasporë, sikurse edhe projektin “KultWoman”, ku prezanton gra të suksesshme në fushën e artit. Ardiana Pajaziti, po ashtu njihet për fuqizimin e gruas edhe brenda “KultPlus”, pasi përgjatë këtyre pesë viteve ajo ka trajnuar praktikante të shumta, të cilat tashmë janë gazetare të dëshmuara, ku një pjesë tyre punon edhe sot brenda “KultPlus”.

Pianistja Aksinja Xhoja, e barabartë me artistët në Itali

maxresdefault

Aksinja Xhoja la Shqipërinë për të shkuar drejt Italisë në vitin 1989, për t’u specializuar. Për 30 vite ka vazhduar karrierën e saj si pianiste koncertiste, që nisi në Shqipëri në vitet 1970, në skenat e Italisë, Anglisë, Francës, Afrikës, Amerikës. Në vitin 2012 i është akorduar Urdhri “MJESHTËR I MADH”, me motivacionin “Artistes së shquar e të talentuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar për të ngritur imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Itali dhe në shumë vende të botes; intelektuales atdhetare dhe veprimtares shoqërore, që përpiqet pa pushuar për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve fqinje, Shqipërisë e Italisë”.

Feride Rushiti, një aktiviste në ndihmë të të mbijetuarve të torturave në Kosovë

Dr._Feride_Rushiti_(Kosovo)_1_WiHEfwGuSKaW2j1Xm4eTew

Feride Rushiti është një nga aktivistet e para të të drejtave të njeriut në Kosovë. Aktivitetin e saj human e filloi në vitet ’90, ku si rezultat i luftës së vitit 1998-1999 dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut, mëse gjysma e popullsisë së Kosovës ishte shpërngulur, kryesisht në Shqipëri. Në atë kohë, Rushiti mobilizoi profesionistë shëndetësorë nga Kosova, me të vetmin qëllim: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe psikologjike për të shpërngulurit. Përfundimi i luftës dhe kthimi në Kosovë shënon fillimin e një etape të re të angazhimit të saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në luftimin e torturës dhe formave tjera të degradimit njerëzor. Konkretisht, në tetor të vitit 1999, Rushiti themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila ishte adresa e parë në ofrimin e shërbimeve rehabilituese, ndihmës mjekësore dhe psiko-sociale për të sapokthyerit e pasluftës, të mbijetuar të torturës dhe dhunës sistematike, veçanërisht për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Në vitin 2017, puna dhe avokimi i saj 20-vjeçar çoi në një vendim të rëndësishëm të qeverisë për të financuar pensionet për viktimat e dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë. Dr. Rushiti, gjithashtu luajti një rol kyç në zhvillimin e kornizës ligjore për trajtimin human të personave të privuar nga lira. E gjithë kjo punë dhe angazhim i znj. Rushiti u njoh nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në vitin 2018 e nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura