Flitet për ministër Bujqësie, rrëfehet deputeti i PS. Mesazh Ramës: PD-LSI të ikin nga Qeveria

Jul 14, 2017 | 17:00
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist, Erjon Braçe rrëfen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se me punën e tij dhe duke “përfituar” nga liria që dy kryetarët Fatos Nano e Edi Rama kanë lejuar është sot një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit.

erion-brace_1-470x329

I pyetur në lidhje me atë që përflitet gjatë këtyre ditëve se mund të jetë kandidat për ministër Bujqësie, Braçe shpjegon se ka katër vite që e dëgjon, sa herë ka denoncuar ndarjen e padrejtë të parave publike për fermerët.

Ai i cilëson “llafe”. Ndërkohë, Braçe vlerëson maksimalisht Gramoz Ruçin, duke thënë se atë që bëri ai, duke e vendosur veten në kufirin e minimumit të objektivit në qarkun e Fierit, nuk e bëri askush nga PS, në asnjë qark.

Zoti Braçe, jeni nga deputetët më jetëgjatë të Parlamentit pluralist shqiptar. Cili është sekreti i kësaj jetëgjatësie?

Të konsideruarit e qenies deputet-anëtar i Kuvendit, si detyrë, punë nën kontratë. Të konsideruarit e politikës në thelb të punës në Kuvend, si shërbim publik për njerëzit e zakonshëm; ligjbërja dhe kontrolli i qeverisjes si detyrë e përditshme, zhveshur tërësisht nga interesat personale, të cilat në mënyrë të qartë shkatërrojnë qëllimin e kësaj kontrate. Përmbushja e kësaj kontrate duke shërbyer për njerëzit e zakonshëm, ndarë me ta interesa të përbashkëta publike, shpesh tërësisht të kundërta me ato të një qeverie si ajo e Sali Berishës në kohët e tij, por në plot raste të ndryshme edhe me ato të qeverive të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, mendoj unë se është beteja që nuk mbaron kurrë. Nuk po them që koha nuk mjafton, domethënë që unë nuk kam gjatë në Kuvend. Por puna, shërbimi, veprat si produkt i tyre, duhet të jenë elementët që plotësojnë vitet. Pa to, vitet në Kuvend janë kot, renditen si mburrje e gjithkujt që ka kaluar aty dhe kaq.

Në fakt gjatë karrierës suaj ju kemi parë të jeni herë tejet kritik me kryetarin, cilido ka qenë ai, herë mbështetës, por një gjë është e dukshme që Edi Rama ju vlerëson. Si ndiheni në këtë raport të vendosur me kryetarin e partisë?

Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse bën kaq përshtypje kjo! Për mua është gjendja më normale në marrëdhënie mes dy njerëzish politikë, tamam kur secili prej tyre gjykon se duhet të thotë atë që mendon për parime, çështje, praktika, por edhe për punën e secilit nën një kontratë politike në parti apo më gjerë se kaq, tek njerëzit e zakonshëm që kanë të drejtën të gjykojnë gjithkënd. Për këto kam qenë edhe kritik, por edhe vlerësues, duke pasur vetëm një standard të vërtetën. Fatos Nano, Edi Rama gjithashtu, kanë qenë e janë njerëz të lirë, jo për shkak të pushtetit politik, ekzekutiv qendror apo vendor, por për shkak të respektit ndaj lirisë së tjetrit. Të dy e kanë vuajtur mbi kurriz cenimin e lirisë, dhunshëm e fizikisht madje, për t’i shtypur, izoluar e përjashtuar, ashtu siç Sali Berisha di të bëjë, por kurrë nuk u dorëzuan, luftuan dhe kurrë nuk e shtrinë këtë platformë dhune ndaj të menduarit, të menduarit kritik posaçërisht, në PS. As jashtë saj. Unë jam një ndër përfituesit, nëse mund ta them këtë. Por është më shumë se kaq, është Partia Socialiste, mjedisi institucional që e garanton këtë liri. Gjithnjë, nëse ti nuk e përdor lirinë tënde për të shtypur të tjerë si ty, për t’ju imponuar gjithkujt pa pranuar kurrë një herë të ndalesh për t’i dhënë mundësi vetes të mendojë, analizojë, reflektojë. PS ka treguar se ka një instinkt vetërregullues në të tilla raste. Unë jam munduar ta njoh nga afër, brenda, të gjithë këtë marrëdhënie në PS, është e njëjta, nuk ndryshon nga kryetari. Shpesh them: Mos ia bëj kurrë borxh PS-së! Socialistët kam parasysh me këtë dhe kjo vlen për të gjithë, nga anëtari më i zakonshëm deri tek kryetari i PS-së, për mua pa diskutim. A ndihem unë i vlerësuar? Po! Mundësia për të punuar, shërbyer, ndërtuar nuk i jepet kujtdo në këtë vend, posaçërisht në këto nivele. Unë e kam një mundësi dhe jam mirënjohës për këtë. Nuk ka si vlerësimi për punën që bën! E kam mësuar në Divjakë këtë, mes myzeqarëve e prej tyre. Nuk ka punëtorë si ata, punën kanë, me punën rrojnë, për punën kërkojnë t’u shërbesh, punën duan t’u lehtësosh, punën duan t’u vlerësosh.

A mendoni edhe ju se ajo vija që vendosi Gramoz Ruçi në Fier, duke e vënë veten të nëntin në listë solli edhe këtë rezultat, pra një mandat më shumë për ju në këtë qark?

Shikoni, Gramoz Ruçi është një model në Partinë Socialiste. Për marrëdhëniet me njerëzit së pari; në Partinë Socialiste, me socialistët e zakonshëm, por edhe jashtë saj, me njerëzit e zakonshëm, pa bërë dallim mes tyre për t’i ndarë në të majtë ose jo, për t’u hapur telefonin, pritur, dëgjuar, zgjidhur apo kthyer pas kur kërkojnë atë që nuk e meritojnë. Është pika e domosdoshme e ekuilibrit në një parti, tamam aty ku ndahet dhe duhet të ndalet fuqia e pushtetit nga pushteti i njerëzve të zakonshëm. Por, Gramoz Ruçi është edhe një fuqi e pazëvendësueshme organizative në PS. Dhe ai është shembulli. Standardi i vendosur këto zgjedhje-renditja në minimumin e objektivit në listën e kandidatëve të PS-së solli shembullin e një drejtuesi politik në një betejë elektorale. Keq më vjen, por nuk e ndoqi kush tjetër nga drejtuesit, mbase për këtë qarku i Fierit shkëlqen. Ndërkohë, mos ma merrni për fodullëk, rezultati fantastik në Fier-kishte mundësi edhe për pak më shumë; nuk është produkt i fushatës katër apo tetëjavore për mua. Është punuar shumë në Divjakë, Lushnjë, Roskovec, Patos, Ballsh, Fier çdo ditë në katër vite. Është punuar shumë me njerëzit, interesat e tyre komunitare dhe të ekonomisë familjare, nuk kemi munguar një ditë të vetme për ta bërë këtë. Natyrisht, nuk kemi bërë gjithçka, nuk mjaftoi as koha e as zyrtarët që u emëruan për të kryer detyra, por njerëzit vlerësuan punën e bërë dhe peshuan mundësinë që ne propozuam për të bërë edhe më shumë. Thjesht, qartë, por bindshëm.

Do ta votonit zotin Ruçi si kryetar të Kuvendit të ri?

Pa asnjë mëdyshje! Besoj shumë se Kuvendi do të rifitojë dimensionin e humbur në mes të banalitetit apo prej banalitetit këto 12 vite.

Ju kemi parë që si deputet i zonës së Lushnjës, Divjakës promovoni shumë prodhimet e fermerëve atje. Nga ana tjetër, duket nisur nga kjo, por edhe nga debatet që keni pasur me ministrin Panariti qarkullojnë edhe zërat se ju mund të jeni ministër Bujqësie në kabinetin e ri. Do ta pranonit një detyrë të tillë, nëse do t’ju propozohej nga Kryeministri?

Aaa po, po, patjetër, e kam dëgjuar dhe unë këtë. Por, jo tani. E kam dëgjuar katër vite me radhë. Sa herë shihja politikat e ndërtuara keq, denoncoja ndarjen e përdorimin klientelist, korruptiv të parave publike për bujqësinë, kërkoja ndryshim në shërbim të bujqve të Divjakës e Lushnjës, veçanërisht në përmbushje të infrastrukturave bazë-vaditje e kullim, merrja pas kurrizi sulmin: ‘Ai nuk flet parimisht, kërkon të bëhet ministër, do karrigen’. Në fakt, unë flisja konkretisht, më konkretisht se kushdo në atë ministrinë prej Tirane. Flisja nga bujqit. I bindur se puna nuk bëhej duke parë kalin e Skënderbeut e atë vetë mbi kalë me shpatën në dorë. Puna bëhej me bujqit, duke iu gjendur jo vetëm me infrastrukturën bazë, vaditje, kullim, rrugë parcelash, por edhe me “para në dorë” për t’i hequr shpenzimet bazë të punës me tokën. Duke ndryshuar kahjen e financimit e duke e drejtuar tek bujqit, prodhuesit. Ende nuk e kam një të vetëm në Lushnje e Divjakë, bujk të zakonshëm them, që të ketë përfituar një qindarkë për punën me tokën, prodhimin. Do pres deri në shtator xhanëm, tamam atëherë, kur të çlirohen zyrat e letrat të mos jenë më pronë e ministrit hije në atë ministri. Kështu, mos i dëgjoni këto “llafe”. Puna është një gjë shumë serioze për mua. Puna vlen. Punën di të bëj. Llafet i kanë zanat këta. A e mban mend si thanë në fushatë; Braçe flet për bujqësinë si Basha! Pra jo si ministër, por si Basha. Punë llafesh domethënë. Përgjegjësia që kemi marrë këtë herë në qark, Fier, Lushnjë e Divjakë, trekëndëshin që bart ekonominë më të madhe bujqësore në vend, është shumë, shumë më e madhe se llafet, kërkon punë dhe ne punën dimë të bëjmë tashmë.

Përpara publikimit të listës së kandidatëve për deputetë, disa prej emrave të njohur, figura të hershme të PS-së si Namik Dokle, Arta Dade e më pas Valentina Leskaj pranuan të mos rikandidojnë. Ndërkohë që në kabinetin e mëparshëm nuk u përfshinë nga kryeministri Rama asnjë nga “të vjetrit”. A ka ardhur koha që këtë herë të jenë pjesë e qeverisë ndoshta edhe Pandeli Majko, apo Bashkim Fino, etj.?

Shikoni, unë mendoj se qeveria është një gjë serioze, ndërtimi i saj është një proces kushtetues. Qeveria kështu, nuk bëhet nëpër gazeta e as nga gazetat. Por as nga gojët e gjithkujt, përfshi dhe mua. Qeveria me Kushtetutë ndërtohet nga kryeministri. Është atribut i tij dhe natyrisht, ai do e bëjë. Kryeministri është Edi Rama. Jo unë! Ndërkohë, kam respekt të posaçëm për të gjithë shokët e miqtë që përmendët. Kemi bërë beteja të mëdha bashkë, iu jam shumë mirënjohës për gjithçka kanë bërë, kemi bërë.

Jeni i kënaqur apo i shqetësuar nga prishja e aleancës me LSI-në?

As njëra e as tjetra! As e marr më mundimin të them çfarë kërkuam deri pak para zgjedhjeve. Fare! Mos harroni, kanë vendosur njerëzit me votë. Tani ka rëndësi vetëm puna, menjëherë. Në krye të punës duhet të jetë qeveria e re, për mua dhe kjo menjëherë. Por, po kaq rëndësi ka edhe ndërtimi i një platforme qeverisëse të hapur, transparente, të kontrollueshme, pse jo edhe të kritikueshme. Manifesti elektoral i Partisë Socialiste mund të jetë një bazë e mirë për të nisur. Por e kuptoj, duhet më shumë se kaq, duhet dhënë mundësia popullit të dijë, të pyesë, të kontrollojë, të kritikojë, të korrigjojë, të ndryshojë, pse jo të vendosë bashkë me qeverinë. Patjetër që qeveria duhet të udhëheqë, duhet ta bëjë këtë me vizion dhe vendosmëri, rezultate dhe modesti, por ka shumë rëndësi që njerëzit të jenë pjesë dhe të kenë lirinë për të bërë gjithë sa më sipër, të dëgjohen dhe respektohen në atë që mendojnë, atë që kërkojnë, atë që duhet bërë. E di që është e vështirë, veçanërisht kur nga populizmi ndan vetëm një fije. Por duhet bërë, me këtë kujdes, pa rënë në populizëm dhe duke bërë gjënë e duhur sipas ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Ky është shqetësimi tani. Askush tjetër nuk mund të shfokusojë PS-në, pavarësisht këngës poshtë apo sipër tavolinës.

Intervisten e lexoni ne GSH ne kete link http://www.gsh.al/2017/07/14/rrefehet-brace-une-minister-bujqesie-4-vjet-qe-degjoj-llafe-por-bej-punen-pd-lsi-te-ikin-nga-qeveria-po-bejne-deme/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura