“Fletët e votimit mos të kthehen në faqe gazetash”/ Taulant Balla pas takimit me ambasadorin britanik: Ja apeli që kam për Partinë Demokratike

Apr 1, 2021 | 13:14
SHPËRNDAJE

Drejtuesi politik i PS në Elbasan, Taulant Balla ka kërkuar nga KQZ që të përshpejtojë procesin për fletën e votimit. Pas takimit me ambasadorin e Britanisë në Shqipëri, Balla u shpreh se beteja elektorale në Elbasan është çështje programesh.

Balla u shpreh për gazetarët se fleta e votimit duhet të jetë sa më e thjeshtë për qytetarët, ndërsa si shembull mori Kosovën.

“Bie dakord me konstatimin që beteja elektorale në Elbasan është një beteja programesh, ekipesh dhe lidershipi. Jam i sigurt që populli i Elbasanit do dëshmojë një kulturë demokratike. Apeli është për një  pjesëmarrje të lartë në zgjedhje.

Me ambasadorin kemi pasur një bisedë miqësore. Është e rëndësishme që KQZ të përmbyllë sa më shpejt çështjen e fletës së votimit në mënyrë që ne të kemi mundësi që tu shpjegojmë qytetareve mënyrën e votimit.

Mënyra më e thjeshtë për të pasur një fletë votimi, është një fletë votimi e thjeshtë. Kjo lehtëson edhe procesin e votimit, por edhe të numërimit. Nuk e di arsyen pse vjen kjo vonesë. Ndërkohë që Kosova na ka dhënë një leksion të mirë qoftë me fletën e votimit, qoftë me procesin e numërimit.

Bashkë me ambasadorin ramë dakord që partitë politike duhet ti kishin hequr duart nga administrimi i zgjedhjeve, por marrëveshja e 5 qershorit ishte një marrëveshje që nuk varej nga ne. Ne kishim dëshirën që ti plotësonim PD çdo dëshirë, por mos shkojmë deri këtu që të zëvendësojmë fletët e votimit me faqe gazetash”, tha ndër të tjera Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS i bëri thirrje Partisë Demokratike që të jetë e përgjegjshme në veprimet që bën. Ai u shpreh se PS po punon që zgjedhjet të jenë normale dhe demokratike.

“Apeli im është ndaj PD të sillet e përgjegjshme. Kam parë që edhe në zonat tona të Elbasanit mbledhin një 50 veta nga Tirana dhe Elbasani dhe na i çojnë nëpër fshatra pa maska dhe pa përgjegjshmëri. Duke na shkaktuar një përhapje të papërgjegjshme të pandemisë në zona që nuk kanë shkuar dhe po i con Luli me disa lulashë të tjerë. PD ka bërë të gjithë çka ka mundur për të penguar vendimin e autoritetit rregullator brenda organigramës së KQZ.  Unë i bëj thirrje Celibashit dhe strukturave të tjera të KQZ të zbardhin pengimet e përfaqësuesve të PD”, u shpreh Balla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura