Fleta e votimit me emra, ja si do të votojnë qytetarët në zgjedhjet e 25 prillit! Zbardhen prapaskenat si u tërhoq Rregullatori nga vendimmarrja

Apr 1, 2021 | 10:40
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë herë shqiptarët përveç logos së partisë apo koalicionit të preferuar, do të votojnë edhe për kandidatin e tyre të preferuar.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, miraton sot përmbajtjen e fletës së votimit për 12 qarqet e Shqipërisë. Celibashi do të miratojë 12 fletë të ndryshme për shkak se Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional rajonal.

Si do votohet

Fleta e votimit në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë në format A3 (vertikale), ku sipas shortit të hedhur më herët në KQZ, do të renditen subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje nga numri 1 deri në numrin 13. Fleta e votimit nis me Partinë Socialdemokrate dhe përfundon me kandidatin e pavarur.

Në kutinë e madhe ku vendoset subjekti politik, në krye do të vendoset e dukshme logoja e partisë, ndërsa poshtë saj do të renditen sipas radhës që janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kandidatët e secilës parti apo koalicioni. Kështu ditën e zgjedhjeve, nëse marrim shembull konkret qarkun e Tiranës që ka edhe më shumë kandidatë, qytetari pasi mbyll të gjitha procedurat me identifikimin elektronik kur shkon te komisioneri në qendrën e votimit, do të marrë një fletë të madhe ku janë vendosur të gjitha partitë dhe kandidatët e qarkut të Tiranës.

Qytetari merr fletën e votimit dhe shkon në dhomën sekrete. Fillimisht qytetari do të vendosë kryqin (X) te subjekti politik dhe më poshtë do të votojë kandidatin preferencial. Kështu, vota fillimisht numërohet për partinë dhe më pas numërohen votat edhe për kandidatët. Nëse nuk ka kandidat të preferuar, qytetari mund të vendosë shenjën vetëm te logoja e partisë apo e koalicionit. Kështu, vota do t’i numërohet vetëm subjektit zgjedhor. Ndërkohë, nëse votuesi zgjedh vetëm kandidatin, atëherë vota i numërohet fillimisht partisë në të cilën bën pjesë kandidati dhe më pas atij. Kujdes, qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm që nëse vendosin shenjën te një parti, nuk mund të votojnë një kandidat preferencial të një partie tjetër. Në të tilla raste vota quhet e pavlefshme.

PRAPASKENAT

Në shkurt të këtij viti Komisioni Rregullator përcaktoi specifikimet teknike të fletës së votimit, ndërsa dy ditët e fundit pati një debat të gjatë për kompetencën se kush do të përcaktonte përmbajtjen e fletës. Komisioneri Celibashi depozitoi dje modelin e fletës së votimit për ta miratuar Komisioni Rregullator, por ishte përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, ai i cili kërkoi që Rregullatori të shpallte moskompetencën dhe fletën e Votimit ta caktonte z. Celibashi. Dy ditë më parë, të propozuarit e opozitës në Komisionin Rregullator ishin kundër propozimit të PS-së.

“Erdhëm edhe tek akti më i rëndësishëm. Një akt i cili është në kompetencën e Komisionit Rregullator për ta miratuar. Vjen në vijim të një akti pararendës, ku miratuam standardin e fletës së miratimit. Por në kuadrin kur propozuesi na ka paraqitur 3 variantet, unë kam paqartësinë e ndarjes që duhet t’i bëjmë rregullshmërisht në momentin kur propozuesi duhet të na paraqesë një akt. Ai paraqitet një dhe i vetëm dhe në këtë rast na fut në dilemë se cili është qëndrimi definitiv dhe t’i japim vullnetin tonë apo jo këtij versioni”, tha dje znj. Vukaj, anëtarja e komisionit rregullator.

Megjithatë mbledhja e dy ditëve më parë u mbyll pa vendimmarrje, ndërkohë diskutimet në mbledhjet e brendshme kanë vijuar në KQZ për të gjetur konsensus. Kjo bëri që mbledhja e djeshme e Komisionit Rregullator të niste në orën 21:00. Megjithatë, maxhoranca nuk ishte tërhequr nga propozimi që fletën e votimit ta caktonte Kryekomisioneri. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe anëtarët e propozuar nga maxhoranca në Rregullator. Në këtë mënyrë, votat në komision ishin ndarë në 3 me 2 dhe nuk mund të kishte një vendimmarrje. Kjo bëri që përfaqësuesit e opozitës të tërhiqeshin për të zhbllokuar procesin dhe të votonin për shpalljen e moskompetencës së Komisionit Rregullator për miratimin e aktit për përmbajtjen e fletës së votimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura