Flet tezja e Tedi Papavramit, Donika Titka, hartuese e fjalorit shqip-kinezçe. Pasojat e familjes pas largimit në Francë të Tedit

Oct 15, 2012 | 16:06
SHPËRNDAJE
Donika Titka me nipin Tedi Papavrami

Pak ditë më parë u botua fjalori i parë shqip-anglisht-kinezçe. Donika Titka, autorja e tij, ka qenë ndër 100 studentët e parë që shkuan për studime në Kinë në kohën e miqësisë së madhe, edhe pse studimet u mbetën në mes. 40 vite më vonë, Titka iu rikthye edhe një herë gjuhës së largët për të botuar librat që lehtësojnë gjuhën e re në listën e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ndër të tjera, Donika, tezja e violinistit Tedi Papavrami, tregon për largimin e familjes Papavrami në Francë dhe shpërnguljen e familjes në Kurbnesh.

“Më duket si kinezçe”, kemi thënë e vazhdojmë të themi sa herë nuk kuptojmë një gjë. Sado që, prej tri vitesh tashmë, kjo gjuhë e largët për të gjithë ne është alternativa e dytë a e tretë në listën e gjuhëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pakkush, përfshi edhe studentët, e ka këtë informacion. Ndaj hieroglifët vazhdojnë të mbeten simbole të padeshifruara. Veçse, po të shohësh emrat e autorëve të fjalorit shqip-kinezisht, zbulon që jo për të gjithë është kështu. Atë nuk e kanë bërë profesorët kinezë të gjuhës së tyre në bashkëpunim me shqiptarët. Donika Titka, edhe pse ka vite që ka hyrë në moshën e pensionit, i është rikthyer të shkuarës, e ka hapur edhe një herë pas shumë vitesh, gjuhën që dikur e detyruan ta mësonte. Ishte koha e miqësisë së madhe shqiptaro-kineze kur disa studentë, më të mirët e gjimnazeve, u përzgjodhën për të studiuar në Kinë. Nuk i pyeti kush – partia vendosi për ta. Të rinjtë as që e dinin ç’i priste. As që e çonin nëpër mend se do nisnin të mësonin gjuhën e vendit ku po shkonin. Mendimet e përpara udhëtimit ishin që studimet do të zhvilloheshin në anglisht. Jo! Bashkë me gjuhën, do të mësonin edhe një mijë e një gjëra të reja. Do provonin ushqime që as i kishin parë e as i kishin dëgjuar, do mësonin të ecnin rrugëve me maska në fytyrë prej erës së fortë që pushtonte Pekinin, do nisnin miqësi me njerëz të rinj, krejt ndryshe nga ata vetë. Derisa… partia do të merrte vendime të reja… Dashuria e madhe për Kinën nuk zgjati aq sa studentët të arrinin të përfundonin studimet, megjithatë gjuha që mësuan, lidhjet që krijuan, një ditë do t’u shërbenin.

Në libraritë shqiptare gjendet vetëm një fjalor shqip-kinezisht dhe një libër udhëzues për të mësuar këtë gjuhë. Të dy mbajnë emrat tuaj. Ç’ju ka lidhur me këtë gjuhë, si e keni mësuar?
Shumë vite më parë, kam studiuar në Kinë, në Pekin. Në vitin 1961, kur vendi ynë u prish me vendet e Europës Lindore, nga gjimnazet përzgjodhën 100 studentët më të mirë për t’i dërguar në Kinë. Një ndër ta isha edhe unë.
Ç’përjetime kishte atëherë një 18-vjeçar për të cilin vendosnin të tjerët, befasisht, ta dërgonin në një vend aq të largët?
Secili prej nesh mendonte së pari për distancën, ishte shumë larg. Askush nuk ishte mësuar të largohej nga familje qoftë edhe brenda kufijve, jo më të shkonte aq larg. Më kujtohet që kemi udhëtuar 16 orë për të mbërritur në një vend, ku nuk dinim se ç’na priste. Së pari nuk e dinim që duhet të mësonim kinezishten, sepse menduam se do të studionim në gjuhën angleze. Vetëm kur shkuam në shkollë e na dolën hieroglifët përpara, mësuam se ç’na priste. Natyrisht që për një vit, të parin, mësuam gjuhën.
Ç’gjuhë e ndërmjetme ju ndihmonte?
Rusishtja, pedagogët kinezë na e shpjegonin përmes rusishtes.
Ishte e vështirë?
E folura jo, për të folur e kuptuar mësohej shpejt. Për ta shkruar ishte tjetër gjë, duhej patjetër kohë e gjatë. Nuk mjaftonte vetëm viti i parë për t’ia dalë. Gjatë gjithë kohës së shkollës mësonim gjëra të reja.
Përveç gjuhës, e gjithë mënyra e jetesës ishte e panjohur. Ushqimi, klima, njerëzit…
Asokohe në Kinë kishte studentë nga e gjithë bota. Dhe të gjithë kishin mensa të veçanta, kishin ushqime specifike sipas vendit prej nga vinin. Për shembull për arabët, në kohën e Ramazanit, mensa hapej në oraret kur duhet të hanin. Pra, nuk ishte ky problemi, ishte që agrikultura në Kinë në atë kohë ishte në gjendje shumë të keqe, ata vetë thuajse vuanin urie. Por për të ardhurit nuk ndihej shumë. Por ata vetë shfrytëzonin çdo hapësirë të lirë toke për të mbjellë diçka, ç’të mundeshin. Por u rimëkëmbën shpejt, nuk zgjati shumë ajo periudhë. Sa i përket klimës, kur shkuam në fillim, shihnim njerëz që lëviznin me biçikleta dhe mbanin maska në fytyrë. Nuk e kuptonim që ishin për t’u mbrojtur nga era e fortë që ngrinte ç’të mundte. Më vonë, filluam t’i mbajmë edhe ne. Për kuriozitet ju tregoj që Kina ndoshta është i vetmi vend ku vezët shiteshin me kilogramë. Edhe në udhëtimet e mia të mëvonshme nuk e kam hasur më këtë gjë.
Njerëzit si ju pritën, e njihnin Shqipërinë më parë?
Po, kishim mjaft informacion. Kur shkuam në fillim, iu dukëm rusë dhe na qëllonin me gurë. Duhet të bërtisnim që ishim shqiptarë që të ndalte sulmi…
Referuar vitit kur keni shkuar për studime, besoj që nuk keni arritur t’i përfundoni…
Jo në fakt nuk ia arritëm, sepse u prishën marrëdhëniet me Kinën, i përfunduam studimet në Tiranë.
Asnjë nuk mbeti atje?
Qëndruan shumë pak studentë. Kina na kishte dhënë disa vepra, rreth 25, ku përshiheshin fabrika të ndryshme, Azotiku etj. Lanë vetëm studentët që ishin brenda specialitetit të këtyre fabrikave, sepse ndryshe nuk do funksiononin, të tjerë jo.
Çfarë u bë me jetën tuaj më pas?
Mbarova Fakultetin te Shkencat e Natyrës dhe u emërova kryeinxhiniere në fabrikën e këpucëve në Shkodër, meqenëse atje ishte edhe im shoq, që nga ana tjetër kishte studiuar 6 vite në Poloni. Dhe për dy muajt e fundit, meqë u prishën marrëdhëniet, mori diplomën në Tiranë. U deshën 15 vite që të transferoheshim sërish në Tiranë, edhe pse profesionalisht jo për mirë, për shkak të një ngjarjeje që ndodhi në familje.
Çfarë ndodhi?
Në fund të viteve ’80, nipi im, djali i motrës, Tedi Papavrami, shkoi për studime në Francë. Pak vite më vonë iu bashkua edhe ime motër, meqenëse djali ishte i vogël, jo në moshë për t’i dalë zot vetes. Për më tepër që me të mbaruar liceun do duhej ta rikthenin në Shqipëri, gjë për të cilën mësuesit e tij kundërshtonin, donin ta mbanin atje. Në këto kohë, nga fundi i qëndrimit pra, shkon për t’i vizituar edhe burri i motrës që ishte pedagog në Akademi. Meqenëse nxënës i tij në violinë ishte nipi i Enverit, Shpati, u krijuan mundësitë që të shkonte. Dhe në fakt shkoi, po nuk u kthye më, qëndruan të tre atje. Nga kjo, natyrisht që do të penalizohej pjesa e familjes që ishte këtu. Dhe ashtu ndodhi.
Konkretisht…
Dy prindërit tanë, edhe pse të moshuar, i hoqën nga Tirana dhe i çuan në Kurbnesh. Ime motër që ishte përkthyese në Akademinë e Shkencave, shkoi mësuese në fshat. Mua më hoqën nga puna dhe më çuan me turne në Kombinatin Tekstil, pavarësisht gjithë përvojave të studimeve pasuniversitare.
Flisnit ndërkaq me motrën, a ishin ata në dijeni?
Ne nuk mund të flisnim, ama ata e mësuan se ç’ndodhi me ne. Ishin vazhdimisht në kontakt me Ambasadën Franceze në Shqipëri për të marrë vesh ç’po i ngjiste familjes. Përfaqësues të Ambasadës kërkonin vazhdimisht informacione, madje edhe të takonin tim atë. Punonjësit e shtetit i thoshin se nuk i kemi ngacmuar, janë aty ku kanë qenë. Shkuan një ditë e morën tim atë në Kurbnesh dhe e çuan në takim në Ambasadë që t’i bindnin se ishte mirë. Dhe natyrisht që duhet të thoshte e të tregonte gjithçka që e kishin porositur. Pas Kurbneshit i çuan në Berat e aty ndenjën për disa vite edhe demokracia ishte në prag e gjërat ndryshuan.
Për mirë?
Po të paktën nuk ishim më nën vëzhgim dhe mund të zgjidhnim punën që do të bënim, jo atë çfarë do të vendosej për ne. Unë nisa punë në Ambasadën Gjermane dhe qëndrova aty deri sa dola në pension në 2005-n.
Pra, nuk është se i shfrytëzuat gjuhën dhe njohjet me Kinën, meqenëse ishin të paktë njerëzit që i kishin, për të bërë diçka ndryshe, biznes për shembull…?
Jo, nuk e bëra. Por e bënë shumë shok të mitë të shkollës që ende edhe sot vazhdojnë të merren me biznes në Kinë. Disa kanë qëndruar atje kur shkuan pas ’91-shit, të tjerë punojnë vajtje-ardhje. Rrjedha që mori jeta ime më vonë s’kishte të bënte fare me njohuritë që kisha marrë prej saj, edhe pse ishin sërish gjuhët e huaja, njohja e pesë të tillave, që më hapën rrugët.
Si nisët të rimerreshit me të?
Krejt rastësisht, pas pensionit. Një shoqja ime që kishte qenë me mua në Kinë, më shtyu më shumë që të merreshim me realizimin e një fjalori, meqenëse nuk ekzistonte asnjë i tillë. Në fillim refuzova, kishin kaluar 40 vite, pastaj e mendova më seriozisht.
E mbanit mend?
As kisha komunikuar e as isha marrë me literaturë kineze deri në atë kohë. Mendova se do të ishte e vështirë t’i rifuteshe mësimit, por jo. Me të nisur punën, duke lexuar libra e duke punuar me fjalorë në gjuhë të tjera, të gjitha dijet sikur u rikthyen vetë. Më kanë ndihmuar edhe kinezë që banojnë këtu, sepse pavarësisht njohurive dhe të kuptuarit, nuk dija të bëja hieroglifët dhe të vija theksat që kanë program e pajisje të veçantë.
Fakti që kinezishtja është përfshirë në gjuhët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e bën edhe më të nevojshëm përdorimin e fjalorëve…
Po në momentin që u vu gjuha në Fakultet, u zgjerua përdorimi i fjalorëve. Zëvendësambasadorja kineze këtu na ndihmoi edhe më tepër për shpërndarjen e tij, sado që puna është vetëm në fillime, sepse njerëzit as që e dinë që kjo gjuhë është në universitet e jo më ta mësojnë privatisht. Ka shumë pak njerëz, ata që kanë marrëdhënie direkte me Kinën, që kërkojnë të bëjnë kurse private.
Pra, edhe pse sot të gjitha rrugët janë të hapura, atëherë kishte më shumë informacion lidhur me vendin dhe gjuhën…
Po po, atëherë ato ishin vite të dashurisë së madhe, edhe pse kinezët na emërtonin si hundëmëdhenj për shaka.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura