Flet prokurori që arrestoi Fatos Nanon: Pse u nxituan me Tahirin, nuk duhej…

Oct 23, 2017 | 9:30
SHPËRNDAJE

Kërkesa e prokurorisë për t’i hequr imunitetin e deputetit Saimir Tahirit, ka hapur mjaft debat ditët e fundit në politikën shqiptare. Prej dy ditësh Këshilli i Mandateve është mbërthyer nga diskutimet e replikat dhe prokuroria është akuzuar se nuk paraqiti prova të forta në ngarkim të ish-ministrit.

fato-dervishi-fotooooo

Kjo çështje ka shkaktuar interpretime nga më të ndryshmet në radhët e ekspertëve. Por një emër që është i njohur në hetimin e zyrtarëve të lartë është Fatos Dervishi. Bëhet fjalë për prokurorin që arrestoi Fatos Nanon dhe bashkë me të mjaft personalitete të politikë shqiptare të pas viteve ’90. Në një prononcim për gazetën “SOT”, ai ka folur mbi rrugën që do të duhej të kishte ndjekur prokuroria në rastin e Tahirit.

Sipas Dervishit, gjëja e parë që duhej të kishte bërë organi i akuzës, është të kishte kërkuar një komision të përbashkët me autoritetet italiane, për të siguruar të dhëna dhe dëshmi të plota për këtë rast.

“Unë urgjentisht do t’i kisha kërkuar Prokurorisë Kombëtare të Antimafias në Itali që të zhvillohej pa humbur kohë një komision rogatuar midis Prokurorive respektive, ku nga ana e Prokurorisë shqiptare të dërgoheshin pyetjet e detajuara për të gjithë të arrestuarit dhe të gjithë personave që kanë dijeni për veprimtarinë kriminale të këtij grupi dhe në të njëjtën kohë do t’i kisha kërkuar Gjykatës së Apelit të Katanias që të më autorizonte dhe të mundësonte marrjen në pyetje dhe marrjen e të gjithë materialit hetimor të kryer dhe administruar së bashku me evidencat përkatëse, përgjimet dëshmitë, fotografitë, videot etj. Unë vetë kam kryer 4 komisione të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme”, tha ai.

Një tjetër debat ka hapur dhe shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend. Ajo është vetëm 4 faqe, ndërkohë që janë paraqitur dhe disa prova të tjera, por asnjë provë e drejtpërdrejtë kundër ish-ministrit. Për zotin Dervishi, prokuroria duhej t’i kishte kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për të hapur më tej hetimet.

“Shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend ishte e nxituar. Nuk duhej që t’i kërkonte Kuvendit autorizim për arrestim. Kuvendit duhej t’i kërkohej të heqë imunitetin dhe të hapë rrugë për hetime të mëtejshme. Nxitimi tjetër është që prokurorët vajtën shumë shpejt në Kuvend.

Më datë 17 regjistruan procedimin penal dhe menjëherë i bënë kërkesë Kuvendit. Kur shumë mirë mund të prisnin të siguronin të gjitha provat e nevojshme. Kërkesa në Kuvend duhej të kishte prova bindëse”, tha ai. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve pati debat dhe mbi deklaratat e prokurove, të cilët thanë se hetimet nisën pas shkrimeve në gazeta.

Për Dervishin, mund të nisen hetime të tilla, por gjithmonë duhet të hetohet për të siguruar prova të tjera. “Në çdo vend të botës nisin hetime mbi bazë të artikujve në media. Kjo nuk ka asgjë të keqe. Por ajo duhet të jetë indicie, pastaj ti si prokuror duhet të hetosh dhe të sigurosh provat e nevojshme.

Prokuroria shumë lehtë duhej të priste të vinte dosja nga Italia, ta përkthente dhe të paraqiste të gjithë elementët që implikojnë ish-ministrin”, tha ai. Aktualisht prokuroria është në pritje të përgjigjeve nga Italia, për të sjellë të tjera prova mbi bandën e Habilajve dhe ish-ministrin Tahiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura