Flet nëndrejtori i ISSH: Pensionet para e pas ‘94, si përfitohen vitet e punës

Aug 16, 2018 | 22:10
SHPËRNDAJE

DORINA AZO / Kur një qytetar ka mbushur moshën për përfitimin e pensionit, aplikimi që ai kryen pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore shoqërohet me verifikim të dokumentacionit. Verifikimi i dokumentacionit ka si qëllim njohjen e vjetërsisë në punë për kontributet e derdhura. Por, për përcaktimin e vjetërisë në punë para dhe pas vitit 1994, mungesa e dokumentacionit apo dëmtimi i tyre e vështirëson procesin.

Nendrejtori Ali Emini
Nendrejtori Ali Emini

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, nëndrejtori i ISSH-së, Ali Emini, shpjegon sesi veprohet për periudhën e siguruar para dhe pas vitit 1994, për rastet kur libreza e punës ka humbur apo kur biznesi ku dikush mund të ketë punuar, ka mbyllur aktivitetin. Nëndrejtori i ISSH-së shpjegon se çfarë duhet të bëjnë qytetarët, kur kanë mungesa të vjetërsisë dhe pasaktësi në librezën e punës.

Çfarë problematikash janë hasur në dokumentacionin e munguar për njohjen e vjetërsisë në punë dhe kontributet e paguara para dhe pas vitit 1994?

Në disa ndërmarrje dhe institucione, dokumentacioni ka rezultuar me të meta thelbësore, duke i krijuar probleme ISSH-së në përcaktimin e vjetërsisë në punë dhe përllogaritjen e përfitimeve që ofron legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore. Ndër të metat kryesore, me të cilat u arkivua dokumentacioni janë: I dorëzuar si dokument jo i plotë; me rubrika të pambyllura përsa i përket vjetërsisë në punë; me mangësi dhe gabime në gjeneralitete; me korrigjime të shumta; me faqe ku ishte ndërhyrë, duke shtuar emra; listëpagesa të paplota dhe të shkruara me laps plumbi; me shkrime të pakuptueshme; libreza të punës të pambyllura dhe të pahedhura të gjitha rubrikat e punës. Me gjithë vështirësitë e ndeshura në këtë fushë, ISSH-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për të mos i mohuar përfitimet e rrjedhura nga vjetërsia e punës, duke shfrytëzuar çdo hapësirë ligjore për kompletimin e vjetërsisë për çdo të siguruar. Duke qenë se pensioni lidhet nëpërmjet mesatares së pagave, që nga fillimi i punës e deri në plotësimin e kushteve për pension, kërkohet vjetërsia e punës që nga fillimi i punës e deri më 31.12.1993 dhe nga 01.01.1994 e deri sa të plotësojë kushtet për pension. Para vitit 1994, shërbejnë pagat referuese të miratuara me VKM, ndërsa pas vitit 1994, plotësohet tabela e pagave me pagat reale. Në këto kushte, është e domosdoshme plotësimi i të gjithë periudhës se punës, fakt që lidhet me pagat referuese, por dhe me vjetërsinë në punë, që ka efekte financiare në përllogaritjen e pensionit.

Por, në disa raste qytetarëve u është dashur të shkojnë në gjyq. Përse ka ndodhur ky fenomen?

Pas viteve ’90, me shpërbërjen e ndërmarrjeve ekonomike dhe kooperativave bujqësore, nuk u tregua asnjë vlerësim dhe kujdes për ruajtjen dhe sistemimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë, ku evidentohej vjetërsia në punë dhe posti i punës i çdo shtetasi. Dokumentacioni, në më të shumtën e rasteve, u hodh pa inventar në magazina apo ambiente të papërshtatshme. Bazën kryesore të dokumentacionit para viteve ’90 e përbënin regjistrat themeltarë të punonjësve, ku evidentohej në mënyrë analitike i gjithë historiku i punës për çdo punonjës që me fillimin e punës, listëpagesat e punonjësve, në të cilat evidentoheshin për çdo 15-ditor, pagat e përfituara prej tyre dhe nënshkrimi i punonjësit. Një dokument personal tepër i rëndësishëm për evidentimin e vjetërsisë në punë është Libreza e Punës, e cila evidenton gjeneralitetet (emri, atësia, mbiemri, datëlindja, qendra e punës që e ka lëshuar dokumentin, data e lëshimit, numri i regjistrit themeltar, nënshkrimi, si dhe vula e subjektit që e ka lëshuar).

Si veprohet kur një personi i ka humbur libreza e punës?

Këtu duhet të theksojmë se, kur libreza e punës është e rregullt, origjinale dhe pa korrigjime, vjetërsia e punës konsiderohet e mirëqenë dhe përfitimet që ofron legjislacioni i sigurimeve shoqërore, si pensione pleqërie, pensione invaliditeti, pensione familjare, raporte mjekësore, leje lindjeje etj., jepen në bazë të rubrikave të regjistruara në librezat e punës. Duke qenë se një pjese të qytetarëve i mungon libreza e punës, qoftë për faj të ish-ndërmarrjeve apo të vetë qytetarit, me aplikimin për pension apo për përfitime të tjera, qytetari plotëson një formular ku përfshihen rubrikat; periudha e punuar fillim – mbarim, (ditë, muaj, vit) subjektet ku qytetari ka punuar, sektori brenda subjektit. Në rast se qytetari nuk është i sigurt për datën e fillimit e deklaron atë me afërsi. Zakonisht, kjo kërkesë bëhet në kërkesën paraprake për pension, 1 vit para plotësimit të moshës, për t’i paraprirë caktimit në kohë të pensionit. Duke pasur këtë kërkesë dhe gjeneralitet e kërkuesit, si emër, atësi, mbiemër, vendi dhe data e lindjes, mbiemri i vajzërisë, vendbanimi, punonjësit e sigurimeve shoqërore i referohen regjistrit themeltar të subjektit të fundit ku ka punuar qytetari. Në rast se në këtë subjekt janë të mbartura të gjitha periudhat sipas kërkesës, problemi konsiderohet i zgjidhur dhe plotësohet vërtetimi i vjetërsisë në punë, sipas rubrikave të rezultuara në regjistër. Në rast se në regjistër mungojnë rubrikat e kërkuara nga qytetari, atëherë punonjësit e Sigurimeve Shoqërore u referohen listëpagesave të dorëzuara nga subjekti. Në rast se gjendet emri i personit në listëpagesë, periudha e kontributeve konsiderohet e mirëqenë. Por, kur fondi i listëpagesave është i plotë, por emri i personit kërkues nuk rezulton në listëpagesë, atëherë vjetërsia në punë e kërkuar nuk është reale.

Si veprohet kur libreza e punës ka rubrika të pambyllura?

Edhe në këtë rast u referohemi regjistrave themeltarë të punës, për verifikimin e këtyre periudhave. Në rast se dhe në regjistrat rubrika rezulton e pambyllur, referencë janë listëpagesat. Në mungesë të listepagesave, bëhet konfirmimi në librat e llogarive personale. Në rast se me gjithë këto verifikime dokumentacioni nuk gjendet për konfirmimin e periudhave, i interesuari duhet t’u drejtohet organeve gjyqësore për të vërtetuar vjetërsinë përkatëse.

Si veprohet kur ka ndryshim të gjeneraliteteve, si në emër, mbiemër, atësi apo detaje të tjera?

Duke qenë se një pjesë e femrave janë të regjistruara me mbiemrin e vajzërisë, si në librezën e punës ashtu dhe në dokumentacionin tjetër të punës, apo në universitet, në aplikimin që bëhet kërkohet (dhe Zyrat e Gjendjes Civile e njohin si problem) edhe mbiemri i vajzërisë. Në rast se aplikuesi ka devijime minore nga emri, mbiemri apo atësia dhe të gjithë gjneralitetet e tjera përputhen, atëherë me një vendim të Degës së Pensioneve, mund të konsiderohet i mirëqenë. Në rastet kur kemi devijime madhore, atëherë aplikuesi duhet t’u drejtohet organeve gjyqësore për ndreqjen e devijimit.

Po konfirmimi i datëlindjeve për efekt përfitimi pensioni, si realizohet?

Ashtu sikurse theksuam, aplikuesit dorëzojnë në organet e Sigurimeve Shoqërore certifikatë lindjeje. Për çdo aplikues bëhet verifikimi i certifikatës së dërguar, me regjistrin e shtetasve të gjendjes civile. Ky konfirmim po bëhet dhe për pensionet e lidhura, në kuadrin e informatizimit të pensioneve, ku kanë rezultuar shumë abuzime nëpërmjet dokumenteve fiktive. Ju thatë se këto veprime i përkasin dokumentacionit para vitit 1994.

Po për dokumentacionin mbas vitit 1994 si veprohet, për shembull, kur ka humbur libreza e punës?

Kur personi që do të aplikojë për pension apo për përfitime të tjera nuk disponon librezë pune, hapat që duhet të hedhë janë: Në qoftë se është në marrëdhënie pune, është detyrimi i subjektit, ku personi është i punësuar, për ta pajisur me një librezë dublikatë, e lëshuar në datën që është bërë kërkesa, ku të shënohen të gjitha rubrikat e punës, si për subjektin ku është i punësuar dhe për subjekte të tjera që duhet të jenë të regjistruara në regjistrin themeltar të punonjësve. Kjo dublikatë është e vlefshme për t’u paraqitur dhe për të aplikuar për të gjithë llojet e përfitimeve. Kur personi nuk është në marrëdhënie pune, për t’u pajisur me librezë pune do të drejtohet në subjektin e fundit ku ka punuar. Edhe ky subjekt do të pajisë me librezë dublikatë personin që aplikon, duke shënuar të gjitha rubrikat që përmban regjistri themeltar. Në rast se subjekti i fundit ku ka punuar aplikuesi është i mbyllur, mund t’u drejtohet subjekteve të tjera ku ka punuar dhe që kanë aktivitet, për të regjistruar periudhën që rezulton në regjistrat e tyre. Për pjesën e mbetur, të paplotësuar, do të kërkohet që kjo periudhë të konfirmohet nga Drejtoria Rajonale ku bëhet aplikimi.

Si veprohet kur libreza ka rubrika të pambyllura?

Personi që aplikon, në rastin kur ndërmarrja apo institucioni që përfaqësohet në këtë rubrikë është me aktivitet, i drejtohet këtij subjekti për të plotësuar rubrikën e pambyllur. Kur subjekti në fjalë ka ndërprerë aktivitetin dhe administrata nuk funksionon, këtë rubrikë do e kërkojë në organet e Sigurimeve Shoqërore për ta konfirmuar. Në disa raste, dokumentacioni që u referohet këtyre mungesave nuk gjendet në arkivat e Sigurimeve Shoqërore, si rezultat i dëmtimeve të periudhës së tranzicionit ose të ngjarjeve të vitit 1997. Në këtë rast, aplikuesi do të marrë një përgjigje zyrtare nga ana e organeve të Sigurimeve Shoqërore, që për këtë periudhë në këtë subjekt nuk gjendet asnjë bazë dokumentare për konfirmimin e periudhës kontributive dhe e vetmja zgjidhje është vërtetimi në Gjykatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura