Flet mjeku urolog: Zmadhimi i prostatës, mënyrat natyrale të trajtimit

Oct 30, 2018 | 15:37
SHPËRNDAJE

Rreth 50 për qind e meshkujve mbi moshën 50 vjeç vuajnë nga hiperplazia beninje e prostatës ose, thënë ndryshe, zmadhimi i prostatës. Predispozita për të vuajtur nga kjo sëmundje është e lidhur me moshën.

Të dhënat tregojnë se më shumë se 80 për qind e atyre që janë në pragun moshor 70 deri në 80 vjeç vuajnë nga zmadhimi i prostatës. Lajm i mirë është se një dietë e pasur me vitamina dhe minerale të caktuara mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin tuaj dhe të ulë rrezikun për BPH.

Duke qenë se mbipesha është një tjetër faktor rreziku për zhvillimin e kësaj patologjie, përzgjedhja e produkteve ushqimore është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të hequr kilet e tepërta në të njëjtën kohë edhe për të reduktuar rrezikun e vuajtjes nga hiperplazia beninje e prostatës.p-3

Mjeku urolog Rezart Xhani na njeh në mënyrë të detajuar mbi këtë sëmundje, simptomat e saj, faktorët e riskut, si edhe dietën ushqimore. Qumështi, ushqimet e pasura me amina si p.sh buka, makaronat, picat, patatet, orizi, sipas doktorit, bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “listë e zezë”. Përkundrejt tyre rekomandohen produkte ushqimore të pasura me vitaminë D dhe kalcium, të cilat konsiderohen aleate për mbrojtjen e prostatës.

MBI PROSTATËN

Prostata është një organ, i cili përbëhet nga ind fibro-muskular dhe gjëndra, ka përmasat e një gështenje dhe ndodhet përreth uretrës dhe poshtë vezikës urinare. Ky organ është i rëndësishëm sepse prodhon likidin seminal. Hiperplazia beninje e prostatës është zmadhimi i prostatës, i cili shkakton simptoma obstruktive apo inflamatore.

Sa e përhapur është kjo patologji? Janë të shumtë pacientët e prekur nga kjo sëmundje, 10–15 për qind mbi moshën 40 vjeç dhe pothuajse 80% mbi moshën 70 vjeç.

Cilat janë shenjat e para që dëshmojë se ka filluar hiperplazia beninje e prostatës? Janë simptomat obstruktive, pacienti ka vështirësi në zbrazjen e vezikës urinare dhe urinon shpesh dhe pak, ose simptoma inflamatore, që çojnë në urinimin gjatë natës (nikturia) dhe kjo shoqërohet me djegie gjatë urinimit apo urgjencë në urinim. Problemi qëndron te fakti që me kalimin e kohës këto simptoma të patrajtuara mund të shkaktojnë probleme me ereksionin.

Cilët janë faktorët që e favorizojnë shfaqjen e hiperplazisë beninje të prostatës?

Faktori kryesor është hormoni i dihidrotestosteronit, i cili lidhet me receptorë të pranishëm në indin prostatik, duke bërë të mundur zmadhimin e saj. Dihidrotestosteoni është metabolit i testosteronit, i cili shndërrohet në këtë hormon nëpërmjet një enzime të quajtur 5-alfa-reduktaza. Kjo enzimë është shumë e rëndësishme për rritjen e organeve mashkullore te fëmija.

Si është e mundur që kjo enzimë, e cila i shërben fëmijës për rritjen e organeve mashkullore dhe për t’u bërë adult, të shfaqet edhe në moshë të madhe? Është mënyra e të ushqyerit, e cila e prodhon këtë enzimë në një moshë të madhe, kur në fakt ne nuk kemi më nevojë për këtë enzimë. Kështu, p.sh në popullatat orientale apo amerikanët kjo patologji ishte e panjohur. Vetëm në kohët e sotme, kur ushqimet që konsumojnë kanë ndryshuar, kjo sëmundje është rritur në mënyrë eksponenciale.

Cilat janë ushqimet, të cilat shkaktojnë hiperplazine beninje të prostatës?

Kryesisht qumështi, buka, makaronat, picat, patatet, orizi. Ndërkohë, popullatat orientale përdornin orizin në sasi shumë të vogël.

Pra, ushqimet më të konsumuara aktualisht në Shqipëri janë më të dëmshmet?

Për fat të keq po, do të doja shumë të ishte e kundërta sepse janë ushqime të shijshme, por kjo nuk është e vërtetë.

Si e shkaktojnë këto ushqime hiperplazine prostatike?

Për sa i përket qumështit, është faktori i rritjes IGF-1, i cili lejon rritjen e shpejtë të vicit kur pi qumësht nga nëna, pikërisht IGF-1 prodhon enzimën 5-alfa-reduktazë e cila transformon testosteronin në dihidrotestosteron. Pra, është e qartë që nëse konsumojmë qumësht, do të kemi prodhim të dihidrotestosteronit. Për sa u përket ushqimeve të pasura në amina, fenomeni që ndodh ka lidhje me faktorin GHL, i cili nxit IGF-1 e për rrjedhojë dihidro-testosteronin.

Pra, nuk duhet të konsumojmë qumësht, makarona, pica, patate?

Nëse nuk duam që pas moshës 40 vjeç të kemi zmadhim të gjëndrës prostatike apo të ngrihemi shpesh natën për të urinuar dhe sidomos shfaqjen e një tumori të prostatës, këto ushqime duhen konsumuar në sasi të pakët

Atëherë, cilat janë ushqimet që ju këshilloni?

Ushqimet, të cilat ulin acidozën si p.sh. kalciumi, i cili është një element që përdoret nga trupi ynë për të ulur acidozën, vitamina D, e cila ndihmon në përthithjen e kalciumit dhe ushqimet, të cilat ulin kortizolin. Dihet që kortizoli rrit gliceminë duke shkaktuar acidoze, integratore si tribulus terrestis, vitamina D dhe melatonina e frenojnë këtë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura