Flet mjeku urolog: Problemet më të shpeshta të prostatës, mënyrat e reja të trajtimit

Jul 26, 2017 | 9:56
SHPËRNDAJE

Rreth 1 në 7 meshkuj preken nga kanceri i prostatës”. Kështu pohon mjeku urolog, Artan Koni. Sipas tij, veç kancerit, një ndër problemet më të shpeshta te meshkujt është edhe zmadhimi i prostatës. “Me rritjen e volumit të prostatës, rritet mundë- sia që të kemi vështirësi gjatë urinimit. Rritja e prostatës është diçka e pashmangshme.

Gjithsesi, te disa njerëz kjo rritje mund të jetë e vogël, te disa të tjerë mund të jetë shumë më evidente”, thotë Koni. Kontrollet periodike janë ato që më së shumti këshillohen nga mjekët. Vetëm duke e diagnostikuar në kohë mund të parandalohen komplikimet që këto sëmundje mund të sjellin. “Kanceri i prostatës e ka pikun midis moshave 50-60- vjeçare. Vitet e fundit është shtuar kanceri në mosha më të reja, kështu që rekomandimi për fillimin e kontrolleve periodike nuk është më mosha 50- vjeçare, siç ka qenë më parë, por tani botërisht rekomandohet mosha 45-vjeçare.

MJEKU UROLOG, ARTAN KONI
MJEKU UROLOG, ARTAN KONI

Pas moshës 75-vjeçare, prevalenca e kancerit të prostatës zvogëlohet, kështu që kontrollet periodike rekomandohen deri në këtë moshë”, shprehet më tej doktori. Nga ana tjetër, zmadhimi i prostatës fillon rreth moshës 40-vjeçare, por moshat më të rriskuara janë 50 deri në 70 vjeç. Në intervistën dhënë për gazetën, mjeku na njeh edhe me metodat e reja të trajtimit që ulin ndjeshëm rrezikun për komplikacione dhe pasoja pas operacionit.

Cilat janë problemet më të shpeshta që shfaq prostata?

Problemet e prostatës janë problemet më të shpeshta që ndodhin te meshkujt. Kanceri i prostatës është padyshim problemi më i shpeshtë, dhe gjithashtu kanceri më i shpeshtë të meshkujt. Rreth 1 në 7 meshkuj kalojnë këtë sëmundje gjatë jetës së tyre. Me gjithë prevalencën e lartë, kanceri i prostatës ka një vdekshmëri të vogël. Shumica e pacientëve kurohen plotësisht nga kanceri i prostatës dhe vazhdojnë jetën e tyre normalisht, gjithmonë nëse kihen parasysh metodat bashkëkohore të trajtimit. Zmadhimi i prostatës është nga ana tjetër një problem po aq i shpeshtë te meshkujt. Zmadhimi i prostatës është një fenomen fiziologjik që ndodh te të gjithë meshkujt. Me rritjen e volumit të prostatës, rritet mundësia që të kemi vështirësi gjatë urinimit. Rritja e prostatës është diçka e pashmangshme. Gjithsesi, tek disa njerëz kjo rritje mund të jetë e vogël, te disa të tjerë mund të jetë shumë më evidente. Metodat kirurgjikale bashkëkohore të trajtimit në këto raste kanë ulur ndjeshëm rrezikun për komplikacione dhe pasoja pas operacionit, duke i bërë njerëzit t’i shohin me optimizëm sëmundjet e prostatës.images

Nëse të parandalosh është shumë herë më mirë sesa të trajtosh, sa gjasë ka kjo të ndodh në rastin e sëmundjeve të prostatës ?

Nuk bëhet fjalë për parandalimin e kancerit të prostatës, por për kontrolle periodike. Të gjithë meshkujve, mbi moshën 45-vjeçare, i rekomandohet analiza e gjakut PSA dhe një kontroll tek urologu. Ky është një rekomandim, në pamje të parë i thjeshtë dhe jo i vështirë për meshkujt. Por, nga eksperienca ime këtu në Shqipëri, shoh që shumica e meshkujve e neglizhojnë këtë kontroll periodik. Në vendet e zhvilluara kontrollet e prostatës merren më seriozisht, kurse në Shqipëri aktualisht këto kontrolle lihen pas dore ndaj edhe ju përgëzoj për këtë rubrikë dhe ndihmën që jepni në sensibilizimin e lexuesve. Për sa i përket zmadhimit të prostatës, gjendja është e njëjtë, nuk bëhet fjalë për një parandalim real.

Për derisa zmadhimi i prostatës është një proces biologjik, nuk mund të parandalohet. Meqenëse jo të gjitha prostatat e zmadhuara japin probleme, nuk është as e domosdoshme të parandalohet një fenomen i tillë. Por duke pasur parasysh, që një pjesë e mirë e meshkujve në moshë vuajnë nga shqetësimet e prostatës, të paktën njerëzit e prirur gjenetikisht mund të bëjnë diç- ka për të frenuar disi këtë proces. Urinimi i rregullt e në kohë është një hap i rëndësishëm. Këshillohet të mos mbahet urina më shumë se 2-3 orë gjatë ditës. Para se të biem në shtrat duhet ta zbrazim vezikën urinare. Nëse do të urinonim ulur, muskujt e tabanit pelvik do të relaksoheshin më lehtë. Pas moshës 50-60 vjeç urinimi ulur është diçka e këshillueshme. Kontrolli i sheqerit në gjak është një hap tjetër i rëndësishëm. Njerëzit që vuajnë nga diabeti mund të kenë vështirësi në perceptimin e shqetësimeve gjatë urinimit.

Ndalemi te moshat, cilat kategori janë më të rriskuarat? Kanceri i prostatës e ka pikun midis moshave 50-60 vjeç. Vitet e fundit është shtuar kanceri në mosha më të reja, kështu që rekomandimi për fillimin e kontrolleve periodike nuk është me mosha 50-vjeçare siç ka qenë më parë, por tani botërisht rekomandohet mosha 45-vjeçare. Pas moshës 75-vjeçare, prevalenca e kancerit të prostatës zvogëlohet, kështu që kontrollet periodike rekomandohen deri në këtë moshë. Nga ana tjetër, zmadhimi i prostatës fillon rreth moshës 40-vjeçare. Para moshës 50- vjeçare, janë shumë të rrallë njerëzit që shfaqin probleme me zmadhimin e prostatës. Moshat më të rriskuara janë 50 deri në 70 vjeç. Pas moshës 70-vjeçare, zvogëlohet mundësia e shqetësimeve në lidhje me prostatën. Njerëzit që janë të prirur për kështu lloj problemesh, bëhen evidente para këtyre moshave.

Çfarë komplikimesh mund të sjellë mostrajtimi i sëmundjeve të prostatës në kohë?

Kanceri i prostatës është një sëmundje që avancon shumë ngadalë, madje është kanceri me zhvillim me të avashtë se gjithë të tjerët. Do të duhej rreth 10 deri në 15 vjet që kanceri i prostatës të kalonte nga faza e kurueshme plotësisht, te faza ku kura nuk dihet si shkon. Në fakt 10-15 vjet është një periudhë e gjatë kohe, megjithatë, akoma shohim raste që vijnë për herë të parë në faza të avancuara të sëmundjes. Nga ana tjetër, zmadhimi i prostatës krijon probleme me urinimin. Moszbrazja e vezikës urinare ashtu siç duhet, mund të ketë një sërë pasojash. Infeksionet urinare janë të shpeshta te njerëzit, të cilët i mbetet një pjesë e urinës brenda.

Po ashtu, gurët në vezikën urinare mund të formohen më lehtë në një ambient ku nuk zbrazet urina mirë. Të qenët përherë plot e vezikës urinare, prish edhe vetë funksionin normal të kësaj vezike. Pas një kohë të caktuar vezika “lodhet” duke u munduar të mposhtë pengesën e prostatës dhe pacienti futet në një qark vicioz ku problemet dyfishohen. Me lodhjen e vezikës, zvogëlohet forca për të mposhtur prostatën dhe rrjedhimisht mbetet më shumë urinë brenda. Me shtimin e sasisë së urinës së mbetur, vezika “lodhet” edhe më shumë. Një fenomen që në gjuhën mjekësore quhet “lazy bladder”. Një problem tjetër që haset jo rrallë, është komplikimi i sistemit të sipërm urinar, problemet me veshkat. Moszbrazja siç duhet e vezikës, vë në vështirë- si veshkat. Veshkat që nuk zbrazin urinën normalisht janë të prirura për një sërë problemesh, të cilat variojnë që nga një zgjerim i lehtë, e deri te mosfunksionimi i plotë i veshkave, dhe për rrjedhojë dializa. Problemet me urinimin mund të arrijnë një pikë maksimale, pacienti mund të bllokohet totalisht, një tablo që përbën urgjencë mjekësore dhe që i detyron pacientët të drejtohen tek urgjenca më e afërt.

Cilat janë mënyrat kirurgjikale moderne të kurimit?

Duhet theksuar se me gjithë përparimin e teknologjisë mjekësore dhe asaj farmaceutike, në kancerin e prostatës, kirurgjia ruan ende vendin e parë, duke siguruar kurë të plotë të sëmundjes. Radioterapia (rrezet, siç njihen ndryshe) dhe ilaçet e ndryshme nuk sigurojnë kurë të plotë në shumicën e rasteve, por vetëm lehtësojnë dhe mbajnë gjendjen e pacientit nën kontroll. Kirurgjia e hapur qëndron akoma metoda me bashkëkohore në trajtimin e kancerit të prostatës. Sigurisht bëhet fjalë për metodat bashkëkohore të kirurgjisë së hapur, e cila ndryshon shumë nga metodat klasike që bëheshin para 10 apo 15 vjetësh. Këto metoda sigurojnë jo vetëm kurimin nga kanceri, por edhe parandalojnë problemet që haseshin dikur nga kirurgjitë e më- parshme, si problemet e impotencës seksuale dhe kontrollit të urinës. Operimi i prostatës me laparoskopi është një metodë më pak invazive, e cila vitet e fundit e ka humbur popullaritetin në operacionet e prostatës. Ndërkohë, vitet e fundit është në modë kirurgjia robotike, kjo është fjala e fundit e shkencës. Bëhet fjalë për një pajisje me 5 ose 6 krahë, të cilat vendosen te pacienti, dhe komandohen nga kirurgu me anë të një konsolli. Gjithsesi, për momentin, rreth 70 % e operacioneve për kancerin e prostatës bëhen me metodën e hapur dhe rreth 30 % me kirurgji robotike.

Po në rastin e zmadhimit të prostatës?

Ndryshe nga kanceri i prostatës, kur bëhet fjalë për zmadhimin e prostatës, metodat bashkëkohore kirurgjikale përfshijnë pothuaj shumë pak operacionet e hapura. Shumica dërrmuese e këtyre operacioneve bëhet me anë të metodave endoskopike, d.m.th me disa aparatura të holla të cilat futen nga kanali urinar. Këto janë metodat bashkëkohore që zbatohen rutinë edhe në Shqipëri. Metodat endoskopike përdorin në thelb 2 teknologji të ndryshme. E para, është rryma elektrike, e cila për shumë vjet ka qenë monopolare. Kohët e fundit kemi teknologjinë bipolare me të cilën janë ulur komplikacionet e kësaj kirurgjie. Metoda e dytë është ajo që njihet ndryshe lazeri. Ka disa lloje lazerash, të cilët kanë ndryshime të vogla në aparatura dhe parametra, por në thelb janë të njëjtë. Disa lazera përdoren për ta evaporuar prostatën, disa të tjerë për ta ndarë në pjesë të vogla të cilat nxirren me lehtësi. Lazerat përdoren më pak në Shqipëri për vete faktin sepse aparaturat kushtojnë. Për sa i përket rezultateve, nuk ka ndryshime thelbësore të rrymës elektrike dhe lazerit. Kështu që zgjedhja e metodave përkatëse bëhet në sajë të specifikave të vetë pacientit.

/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura