Flet mjeku psikiatër: Policia të fliste me ne për gjendjen e Arishtës

Oct 6, 2015 | 10:40
SHPËRNDAJE

Mjeku psikiatër që është marrë me rastin e Ruzhdi Arishtës thotë se, ndonëse 56-vjeçari njihej për problemet e tij mendore, askush nga uniformat blu nuk ka kërkuar nga mjekët për t’u treguar për të.

Gjon Preçi thotë në një intervistë për “Panoramën” se Arishta vuante nga një lloj skizofrenie që ia bënte realitetin si në gjendje lufte imagjinare.

Mjeku Gjon Preci
Mjeku Gjon Preci

Për këtë arsye, mjeku shprehet se e argumenton dhe rezistencën prej 12 orësh të autorit të vrasjes së komandantit të FNSH-së dhe plagosjes së një 21- vjeçari.

A e njihnit Ruzhdi Arishtën, duke qenë se ka qenë një person me probleme të shëndetit mendor?

Po, e njoh prej vitesh. Ka qenë pacienti ynë. Ka pasur një psikozë mjaft rezistente, paranoide të skizofrenisë ku gjithë mjedisi ku jeton i sëmuri bëhet armiqësor sipas tij, ndaj dhe reagon ashpër. Ka shumë që është diagnostikuar dhe madje ka pasur edhe statusin e invalidit, për shkak të humbjes së aftësisë nga sëmundja kronike. Ka qenë një person që nuk është mjekuar siç duhet për shkak edhe të vështirësisë që kishte ai për t’u bindur. Ka pasur shtrime në psikiatri në mënyrë të përsëritur, sepse është një histori shumëvjeçare.

Si ishte tipi i Arishtës?
Ruzhdi Arishta ka pasur integritetin intelektual të tillë që të reagojë me saktësi të veprimeve ose kundërveprimeve të forcave të policisë apo RENEA-s. Nuk ka qenë ndonjë person që bënte një veprim kaotik dhe mund ta kapje të papërgatitur. Këta persona kanë një hipervigjilencë, janë shumë vigjilentë dhe shumë dyshues. Është interesante se ku e ka gjetur armatimin, duke qenë se ka qenë i identifikuar nga komuniteti si i sëmurë e të gjithë i ruheshin dhe nuk e ngacmonin.

Pse është lejuar të dalë nga spitali, duke ditur që ka pasur kriza të herëpashershme? Shërbimi mjekësor komunikon me familjen se si duhet që ta mjekojnë dhe pastaj, kur i sëmuri ka kriza, familjarët na njoftojnë ne. Kur ne nuk mund të ndërhyjmë dot me autoritetin tonë për shkak të sjelljes së dhunshme apo negativizmin që ka i sëmuri, kërkojmë ndihmën e policisë. Me këtë koncept nuk ka kuptim që për shkak të potencialit agresiv që kanë këta persona, të rrinë gjithë kohën në spital. Duhet të kemi spitale gjigante, ose siç i quajmë ne çmendina, dhe ku të gjithë shkojnë aty, dhe sado vështirësi të kenë për t’u mjekuar në komunitet, do mbaheshin aty. I sëmuri trajtohet në krizë në shërbimet tona, pastaj janë hallkat komunitare, mjekësia familjare dhe të gjithë bashkë komunikojnë në mënyrë të rregullt dhe e mbajnë stabël për një kohë të gjatë të sëmurin mendor.

Si ka mundësi që një person i tillë t’u rezistojë 12 orë forcave të RENEA-s?
Është interesante sepse gjendja psikotike të bën që të bësh edhe luftë imagjinare dhe sëmundja bën që ajo situatë reale lufte është e barabartë me një situatë imagjinare që ka në kokën e tij edhe në ditët e tjera. Kjo është arsyeja se pse Ruzhdi Arishta ka marrë masa dhe ka fortifikuar apo ka izoluar mirë vetveten, duke menduar se kur do t’i vijnë armiqtë. Ka raste të tjera të njohura ku me ditë të tëra njerëz të tillë rrinë pa gjumë, në dritare dhe në përgjim. Kështu që 12 orë mbase nuk janë edhe aq shumë për një të sëmurë të tillë. Këtë natyrisht që nuk mund ta themi për një njeri normal që komunikon me forcat e rendit dhe pastaj fillon e lodhet dhe nis e i nënshtrohet arsyes e logjikës, duke bërë dallimin në mes situatës aktuale me pasojat që mund të vijnë. Një i sëmurë psikik është gjithmonë në luftë dhe në antagonizëm jashtëzakonisht të thellë me realitetin.

Disa herë i është përsëritur nga familjarët, kryeplaku, si edhe forcat RENEA që të dorëzohet, por jo veçse nuk është dorëzuar, por edhe është kundërpërgjigjur me armë. Po kjo si shpjegohet?
Thjesht psikoza. Të mos bëjë dallimin midis një situate reale dhe një situate imagjinare që e kishte në kokë çdo ditë. Ka qenë si në ëndërr, duke e perceptuar gjithnjë me një situatë konflikti me mjedisin rrethues.

Kaq e vështirë për ta bindur?
Sëmundja nuk është bindje. Ka vetëm bindje patologjike në kokën e tij. Kjo është edhe arsyeja se pse ndërhyhet me forcë, neutralizohet dhe dërgohen në spital në rastet kur kanë kriza. Për disa kohë mund të qëndrojnë edhe të lidhur dhe pasi qetësohen, nisin e rregullohen, ulet agresiviteti, rregullohet gjumi dhe perceptimi, pastaj fillon e normalizohet. Këta kanë një perceptim të shtrembër. Kanë komplet bindje patologjike përtej realitetit. Prandaj reagojnë si në një situatë lufte, siç ka ndodhur dhe njësoj në një situatë normale. Edhe sikur t’i kishin shkuar me lule, sërish do kishte reaguar në të njëjtën mënyrë. Sikur të ishte mbajtur gjatë për disa ditë i rrethuar, ndodh fenomeni që humbet energjia, lodhet, rraskapitet, gjë e cila mund ta bëjë që të dorëzohet ose të kapet i gjallë në gjendje shoku, pa pasur nevojë për ta vrarë.

Në gjykimin tuaj është normale që të lihet në shtëpi dhe të mos mbahet në spital?
Ne komunikojmë me familjarët dhe në momentin që personi lë mjekimin, ata duhet që të na njoftojnë. Kemi mundësi, i shkojmë në shtëpi dhe e mjekojmë, nëse jo, atëherë shtrohet në spital. Ajo që ndodh është se shtrimet në spital i kanë frikë dhe nuk i dëshirojnë, dhe presioni i shtrimit në spital i bën që të mjekohen. Ruzhdi Arishta ka qenë autoritar, familjarët e tij nuk kanë pasur forcë as për ta bindur, por as për ta detyruar. Situata lihet ashtu nga familjarët, janë situata që vazhdojnë me vite të tëra, familjarët bashkëjetojnë me këtë lloj problemi dhe ngelet edhe nga mungesa e një kujdesi të gjithmonshëm.

A jeni pyetur nga policia, FNSH-ja, apo forcat RENEA, duke qenë se ka qenë një person me probleme me shëndetin mendor?
Jo, nuk jemi pyetur për asgjë. Policia apo forcat e tjera nuk kanë kërkuar asnjë mendim nga shërbimet tona lokale të psikiatrisë. Mund të ishte e arsyeshme që të bëhej një komunikim telefonik me ne mjekët. Për këtë policia ka bashkëbiseduesit e vet për një situatë të tillë. Policia apo forcat e tjera do duhej që të dinin më shumë ndoshta për personalitetin e tij, për tiparet e tij apo për shkallën e sëmundjes që kishte. Duke ditur edhe tiparet e tij, personalitetin dhe gjendjen mendore aktuale, them se mund të kishte edhe një zgjidhje tjetër. Një situatë dihet që kërkon marrjen e informacionit dhe kur komuniteti që është në fqinjësi me të ka thënë se është i sëmurë, atëherë duhet pyetur se një i sëmurë mendor ku i ka marrë shërbimet e psikiatrisë, cilat janë autoritetet dhe mund të merret informacioni i duhur për të arritur neutralizimin që edhe mund të ishte arritur.
Senad Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura