Flet mjeku psikiatër: Depresioni, shkaqet dhe trajtimi i duhur

Jul 11, 2018 | 18:30
SHPËRNDAJE

Në nivel global, 15 deri në 20% e popullatës vuajnë nga depresioni. Por, pak prej tyre janë të prirur ta identifikojnë, e akoma më të paktë janë ata që e marrin seriozisht dhe kërkojnë ndihmën e bluzave të bardha.

Kjo situatë në vendin tonë është edhe më e rëndë. Edhe pse statistikat mungojnë, rastet e bëra publike dhe praktika klinike flet për një numër të madh personash, që nga të rinjtë e deri te të moshuarit që vuajnë nga sëmundja e shekullit. Për mjekun psikiatër Pasho Maksuti, në vitet që vijnë niveli i sëmundshmërisë nga depresioni pritet të arrijë e madje të tejkalojë edhe sëmundjet e zemrës.

Nisur nga kjo, apeli shkon për familjarët që të identifikojnë persona të tillë, për të mos vonuar ndihmën e duhur mjekësore. Doktor Maksuti tregon disa nga format dhe simptomat që ngrenë alarmin, ndërsa kurimi është përgjegjësi e mjekut të familjes, i cili duhet ta orientojë drejt mjekut psikiatër.

mjkeu

Përmendet shpesh depresioni, por cili është përkufizimi i kësaj sëmundjeje?

Depresioni është një nga çrregullimet madhore që hasim në praktikën e përditshme. Kur flasim për depresion, zakonisht mendojmë depresionin madhor, por brenda tij si term ka shumë forma të cilat shkaktohen nga probleme të shumta të tjera të jetës së përditshme, që gjithashtu kanë probleme shëndetësore dhe pasoja të caktuara.

Cilat janë format e depresionit? Si manifestohet ai te një person?

Të tilla janë depresione të caktuara nga sëmundje të tjera. Një person që vuan nga një sëmundje kronike madhore reflektohet në një përqindje të lartë edhe në stresin e përgjithshëm dhe manifestimin e shenjave depresive. Po ashtu kemi forma të tjera, si depresion shkaktuar nga përdorimi i substancave, nga humbje të mëdha monetare, njerëzore, strese të caktuara që njihen si çrregullim i stresit pas një traume të caktuar. Të gjitha këto manifestohen me simptoma depresive që në periudha të caktuara mund të akutizohen.

A ka shifra për personat që vuajnë nga depresioni?

Kur flasim për depresionin, kemi parasysh një fenomen shumë më të madh se sa depresioni i brendshëm, që ne i themi endogjen, që nuk është i lidhur me situata të caktuara jetësore. Kjo, sipas statistikave botërore të vendeve të zhvilluara që kanë të dhëna, të cilave ne iu referohemi, është një shifër që shkon 2-4 për qind e popullatës, e cila vuan nga depresioni. Por, në qoftë se kësaj shifre i shtohen edhe depresione të shkaktuara nga probleme të tjera, shëndetësore, sociale, ekonomike e familjare atëherë statistikat arrijnë vende-vende 15-20 për qind. Pra, një në gjashtë njerëz vuajnë ose përjetojnë një episod depresiv.

Pritshmëria është që në vitet në vazhdim depresioni të arrijë e mbase ta tejkalojë edhe patologjitë e zemrës që sot janë shkaktari numër një për invalidizimin e personave në botë. Është një problematikë nga më të mëdhatë që shpeshherë edhe neglizhohet për shkak se disa forma të depresionit, që ne i quajmë kronike ose minore, vazhdimisht kanë ankesa. Për t’u përcaktuar si diagnozë kërkon që së paku për dy vite të ketë shqetësime, prandaj quhet kronik, ndërkohë që ankesat nuk janë të mëdha dhe personi vuan. Në raste të caktuara, ai mund të ndërmarrë dhe diçka kundër vetes, deri në fatalitet.

Shpesh ndodh që persona, që i kemi në rrethin e njohjeve të ndërmarrin një akt negativ ndaj vetes. E vetëm pas kësaj rezulton që ai vuante nga depresioni. Cilat shenja sinjalizojnë sëmundjen?

Simptomat e depresionit janë të shumta e të larmishme. Nuk do të thotë se një person duhet t’i ketë të gjitha simptomat, pasi disa janë më të theksuara, e të tjera më pak. Fillimisht duhet të përcaktojmë se jo çdo mërzitje quhet depresion, se ne e keqpërdorim këtë term. Kur përdorim depresion, nënkupton sëmundje, diagnozë. Ne çdo ditë kemi arsye për t’u gëzuar ose hidhëruar, por kjo s’do të thotë se sot jemi depresivë e nesër s’jemi. Depresioni është një gjendje psiko-emocionale e qëndrueshme e cila zgjat. Për t’u vënë diagnoza, ka kriteret e veta që zgjasin mbi 2 javë.

Një nga shenjat është rënia e humorit. Pa ndonjë arsye personi mërzitet, ndërsa nuk kënaqet me aktivitete që deri dje ndiente kënaqësi. Ndihet i frenuar, fillon të tërhiqet nga aktivitetet sepse bie energjia fizike dhe psikologjike e personit dhe bëhet më pak aktiv. Ndihet i lodhur fizikisht, bie oreksi, bie kënaqësia për aktivitet e përditshme, dëshira për t’u marrë me diçka, vullneti dhe personat fillojnë të shmangin detyrimet e veta dhe s’i bëjnë si duhet.

Disa forma të depresionit madhor mund të kenë edhe simptoma psikotike, të cilat karakterizohen me njëlloj humbje të realitetit objektiv me të cilin përballemi. Këto persona fillojnë të dëgjojnë ca zëra, të kenë halucinacione ose deluzione. Këto raste hyjnë te format e rënda të depresionit sepse kemi edhe depresion të shoqëruar me psikozë, ku personi tjetërsohet. Nganjëherë ato shoqërohen me probleme brenda familjes ose shkaktojnë të tilla, siç është për shembull, deluzioni i xhelozisë. Fillon si deluzion xhelozie dhe pastaj manifestohen simptomat depresive. Përveç rasteve të personave me humor të rënë kemi dhe persona që preken nga çrregullimi bipolar depresiv.

Personi është me aktivitet të shtuar, i gjallë, aktiv, me një besim të pashoq ndaj vetvetes, flet shumë, merr aktivitet që mund t’i prishin punë, është vazhdimisht në lëvizje, energjik. Shpeshherë, rastin e parë, kur personi është me aktivitet të ulët, familjarët nuk e shikojnë, për aq kohë sa personi është i urtë dhe nuk përbën problem për ta. Ndërsa kur kalon në anën tjetër është problem sepse shpenzon, kërkon, nuk i ndalet goja, mund të marrë kredi e të tjera.

Po vetë pacientët zakonisht janë të prirur për të kërkuar ndihmë mjekësore?

Një pjesë e tyre kërkojnë ndihmë nëpër mjekë, ndërsa të tjerë për arsye nga më të ndryshmet, edhe nga padijenia, edhe nga mentaliteti pasi nuk e perceptojnë si sëmundje, nuk kërkojnë ndihmë. Ndodh që te disa persona mund të ketë ankesa trupore të ndryshme, që nga dhimbja e kokës, vështirësi në frymëmarrje, ndihet ankthioz, i frikësuar nga gjendja e përgjithshme shëndetësore. Prandaj detyra e mjekut të familjes është t’i orientojë drejt. Një pjesë e mirë e rasteve njerëzit vetë çorientohen dhe mendojnë se janë fuqi të mbinatyrshme që s’kanë të bëjnë me mjekësinë, por me fenë apo ku di unë. Shpenzohen, lodhen dhe rrezikojnë duke u endur lart e poshtë për të gjetur magjitë se ku janë fshehur dhe kush i ka bërë. Kjo nuk është vetëm në kulturën tonë. Por detyra jonë është që ne të orientohemi e informojmë drejt popullatën.

Mungesa e gjumit, a është një ndër simptomat shqetësuese?

Është një ndër shenjat e para që manifestohet sëmundja. Nis me pagjumësi të arsyeshme, mendime pesimiste lidhur me të ardhmen e tij, me veten, familjen…

A ngatërrohet depresioni me çrregullimet e ankthit?

Ato janë sëmundje të ndryshme. Ankthi mund të jetë shoqërues e depresionit. Në këtë rast kemi depresion të shoqëruar me ankth, ndërsa ankthi nuk shoqërohet gjithmonë me depresion. Ankthi është patologji shumë më e lehtë dhe më e shpeshtë.

Si trajtohet depresioni?

Ne kur kemi një rast të ri, duhet të jemi të kujdesshëm me terapinë, e cila nuk mund të bëhet me mjekim 10 ditë ilaçe. Puna e parë, si në çdo degë të mjekësisë, duhet vlerësuar rasti për t’u përcaktuar diagnoza. Më pas, bëhet plani i mjekimi dhe bashkëpunimi me pacientin. Mjekimi është afatgjatë. Një episod depresiv i zakonshëm mjekohet mbi 6 muaj. Dhe nëse është me simptoma psikotike kërkon së paku një vit dhe mjekimi është i kombinuar. Problemi është se disa persona nuk arrijnë të kuptojnë se depresioni nuk është sëmundje e lehtë.

Shpesh marrin trajtimin e duhur dhe e ndërpresin pas disa kohësh me arsyetimin që u bëra më mirë. Kjo e vështirëson problematikën. Disa forma depresioni marrin karakter kronik dhe trajtimi bëhet afatgjatë, pasi ka pësuar disa episode. Shumë e rëndësishme është saktësimi i diagnozës e mbi bazën e saj të bëhet mjekimi. Nuk bëhet mjekimi duke marrë ilaçe ose medikamente nga farmacisti, nga dikush që ka vuajtur nga këto probleme apo kushdo tjetër duke vonuar fillimin e kurës. Këtu te ne mund të merren në farmaci medikamente si vetëshërbim. Specialisti i fushës është rruga e vetme që duhet të ndiqet.

Nisur nga praktika juaj klinike, sa problem është depresioni në moshën e tretë?

Vetmia, abandonimi, mungesa e mjeteve për mbijetesë, paaftësi fizike, shoqëruar dhe me sëmundje të tjera bën që shumë persona mbi 60 vjeç të preken nga depresioni. Fillimi i një depresioni mund të jetë alarm se mund të fillojë një sëmundje tjetër për demencë, që shenjat e para i ka depresive.

Në rastet e të moshuarve që mbesin pa mbikëqyrje shanset për depresion janë të mëdha. Hasen shpesh dhe në këto raste kemi një gërshetim sëmundjesh: kanë tension, probleme kardiake apo të tjera që lidhen me depresionin e shkaktuar nga probleme të tjera. Shërimi konsiston në zgjidhjen e problemeve të tjera që shkaktuan depresionin. Ne përdorim antidepresivë, të cilët vetëm sa e ndihmojnë, por nuk zgjidhin problemin bazë, për më tepër i shton dhe kosto.

A ka shërim depresioni?

Po, ka, por e keqja e tij është tendenca për t’u përsëritur. Janë disa gjenerata antidepresivësh të rinj, që kanë përmirësuar jashtëzakonisht shumë ecurinë, si në anën e varësisë dhe atë të marrëdhënies së pacientit me terapinë dhe ecurinë e depresionit. Se si do përdoren dhe sasinë, duhet ta përcaktojë specialisti. Aq më tepër që një depresion mund të kalojë dhe në anën tjetër, bipolar dhe ilaçi antideprsiv mund të shërbejë për këtë punë. Shpeshherë, këtu ngatërrohen dhe shkojnë te neurologu, disa prej të cilëve e marrin përsipër me një mendjelehtësi, por në fakt bëjnë gabim dhe dëm pacientit pasi nuk e menaxhojnë dot.

Është shumë e rëndësishme të dihet se neurologu dhe psikiatri nuk janë i njëjti specialitet. Shpesh më vijnë familjarë të personit dhe më thonë që “e kam pasur te doktori”, pa specifikuar se ç’doktor mund të jetë. Ka depresione që kanë karakter stinor dhe vetëm një psikiatër mund ta kuptojë pas disa episodesh. Me mjekim, mundësia për t’u përsëritur është më e pakët.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura