Flet mjeku: Prostatiti, trajtimi mjekësor dhe popullor i sëmundjes

May 5, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

Dhimbja në regjionin e prostatës, urinimi i dhimbshëm dhe i vështirë janë vetëm disa nga shenjat identifikuese të asaj që në gjuhën mjekësore quhet prostatit. Përpos kancerit të prostatës dhe zmadhimit të saj, infeksioni i prostatës është një ndër patologjitë e shpeshta që, ndryshe nga dy të parat nuk prek vetëm meshkujt e moshuar, por edhe të rinjtë dhe ata në moshë të mesme.

Mjeku urolog, Rezar Rusi, iluminon më tepër mbi sëmundjen, si shfaqet ajo, simptomat, komplikacionet që sjell e deri te kurimi dhe stili i jetesës së të prekurve nga prostatiti. Baktere të zakonshme apo dëmtimi i nervave të pjesës së poshtme të traktit urinar njihen si kontribuuesit e shfaqjes së prostatitit, ndërsa si faktorë risku shërbejnë disa. Gjetja e shkakut është me rëndësi, pasi në varësi të tij përcaktohet dhe trajtimi. Rusi nuk e përjashton mjekësinë alternative për këtë patologji, ndërsa vjen edhe me një grup këshillash për lehtësimin e dhimbjes në kushte shtëpie. Por, më e rëndësishme, sipas mjekut urolog, i cili ka diagnostikuar raste të tilla pa fund, është trajtimi në kohë i prostatitit, pasi sjell pasoja serioze në organizëm.Capture

PROSTATITI

Prostatiti është një inflamacion dhe ënjtje e prostatës, e cila është një gjëndër qe gjendet vetëm te meshkujt. Ajo ka madhësinë e një gështenje dhe vendoset poshtë vezikës urinare. Gjëndra e prostatës prodhon lëngun e prostatës, që ushqen dhe transporton spermatozoidet. Prostatiti shpesh shkakton urinim të dhimbshëm dhe të vështirë. Përveç kësaj, prostatiti jep dhe simptoma të tjera si: dhimbje në rrëzë të kofshës, në zonën e legenit dhe të organeve gjenitale. Nganjëherë simptomat janë të ngjashme me ato te gripit. Prostatiti prek meshkujt në të gjitha moshat, por më tepër shfaqet tek ata nën 50 vjeç. Kjo sëmundje ka një sërë shkaqesh. Nganjëherë shkaqet nuk identifikohen. Nëse prostatiti shkaktohet nga një infeksion mikrobial, mund të mjekohet me antibiotikë. Ne varësi të shkakut, prostatiti mund të shfaqet gradualisht ose menjëherë. Ai mund të përmirësohet shpejt, qoftë vetvetiu, qoftë me anën e mjekimit. Disa tipa të prostatitit vazhdojnë me muaj ose bëhen kronike (prostatiti kronik). Në bazë të simptomave dhe ekzaminimeve, prostatiti mund të ndahet në disa forma: Prostatiti bakterial akut. Shpesh shkaktohet nga baktere te zakonshme. Në përgjithësi ky tip i prostatitit fillon në mënyrë të papritur dhe shoqërohet me temperaturë, ethe dhe të vjella. Prostatiti bakterial kronik. Kur antibiotikët nuk çrrënjosin bakteret, atëherë sëmundja mund të përsëritet dhe të vështirë- sohet trajtimi i saj. Në këtë lloj prostatiti i sëmuri mund të mos ketë simptoma. Prostatiti kronik që nuk shkaktohet nga bakteret. Shpesh shkaku i tij nuk përcaktohet.

SHKAQET

Prostatiti bakterial shpesh shkaktohet nga baktere të zakonshme. Infeksioni mund të filloje kur mikrobet nga urina kalojnë në prostatë. Infeksioni trajtohet me anë të antibiotikëve. Nëse nuk eliminohen mikrobet, atëherë sëmundja mund të përsëritet ose të vështirësojë trajtimin (prostatiti kronik). Dëmtimi i nervave të pjesës së poshtme të traktit urinar, i cili mund të shkaktohet nga ndërhyrjet kirurgjikale ose traumat ne këtë zonë, mund të kontribuojë në shfaqjen e prostatitit, në të cilin nuk është shkaktar një infeksion bakterial. Në shumë raste nuk zbulohet shkaku. Ka disa faktorë që mundësojnë fillimin e sëmundjes, mes të cilave mosha (kryesisht preken burra të rinj dhe me moshë mesatare); infeksionet e mëparshme të vezikes urinare ose të uretrës (tubi që transporton spermën dhe urinën në penis); Traumat e legenit, siç janë ato që shkaktohen nga ngarja e biçikletës ose nga shala e kalit; Përdorimi i kateterit për të zbrazur vezikën urinare; Procedura e marrjes së biopsisë së prostatës. HIV/AIDS është gjithashtu faktor predispozues për zhvillimin e prostatitit.

KOMPLIKACIONET

Në rast se nuk kurohet në kohën duhur, prostatiti mund të shoqërohet me komplikacione si: përhapja e infeksionit në gjak (bakteriemia) Epididimiti, (inflamacioni i tubit që ndodhet mbi testikul); Grumbullimi i qelbit në brendësi të prostatës (absces i prostatës) si dhe ndryshime anormale të spermës e deri në infertilitet.

DIAGNOZA

Për të përcaktuar diagnozën e prostatitit, sipas mjekut Rezar Rusi fillimisht duhen përjashtuar sëmundje të tjera që shfaqen me të njëjtat shenja si dhe të përcaktohet lloji i prostatitit. Pacienti pyetet në lidhje me historinë e sëmundjes dhe simptomat që paraqet. Mjeku bën një ekzaminim të prostatës me gisht dhe mund të kërkojë disa analiza të tjera si analiza e urinës, me anë të së cilës përjashtohet mundësia e një infeksioni të traktit urinar. Po ashtu, nevojitet edhe analiza e gjakut për të parë nëse ka shenja infeksioni ose probleme të tjera të prostatës dhe analiza e lëngut të prostatës, që merret me anë të masazhit të saj. Të nevojshme janë edhe ekzaminime shtesë si ECHO e prostatës ose scanner i traktit urinar.

TRAJTIMI

Trajtimi i prostatitit varet nga shkaktarët e tij. Më të përdorshmit janë: Antibiotikët. Ky është trajtimi më i zakonshëm i prostatitit. Në raste të rënda mund të jepen edhe me injeksione në venë. Medikamentet që relaksojnë qafën e vezikes urinare dhe muskujt e saj aty ku bashkohet prostata me veziken. Këto lehtësojnë simptomat si, urinim i dhimbshëm dhe i shpeshtë.

Medikamentet antiinflamatore si Ibuprofeni

MJEKËSIA ALTERNATIVE

Terapia alternative është premtuese në pakësimin e simptomave të prostatitit. Këtu përfshihet: Akupunktura. Kjo konsiston në futjen e disa gjilpërave të imta në lëkurë në disa pika të trupit dhe në thellësi të ndryshme. Barnat popullore dhe suplementet. Disa bimë si: çaji jeshil, qepët, ekstrakti i një bime që rritet në Amerikën e Veriut dhe që quhet saw palmetto, përmirësojnë simptomat.

PROSTATITI DHE AKTIVITETI SEKSUAL

Në përgjithësi, seksi nuk e përkeqëson prostatitin. Megjithatë, disa burra që vuajnë nga prostatiti ankohen për dhimbje gjatë ejakulacionit. Kjo mund të influencojë në cilësinë e seksit. Siç e përmendëm me lart, në përgjithësi prostatiti shkaktohet nga infeksionet bakteriale, por zakonisht nuk transmetohet te partneri gjatë marrëdhënieve seksuale. Në raste të rralla ai shkaktohet nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Rekomandohet ndërprerja e seksit deri ne sqarimin nga mjeku nëse ju keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm, që shoqërohet me rrjedhje të sekrecioneve nga penisi. Si konkluzion, prostatiti nuk duhet të neglizhohet, për arsye të pasojave serioze që ai shkakton nëse nuk kurohet në kohën e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura