Flet mjeku: Kanceri i mushkërive shenjat që shfaq dhe metodat e trajtimit

Apr 26, 2017 | 10:28
SHPËRNDAJE

Kollë e zgjatur, e shoqëruar me gjak, rënie nga pesha, anoreksi, vështirësi në frymëmarrje, të vjella dhe gjendje diskonforti në gjoks. Janë këto disa nga shenjat me të cilat manifestohet kanceri i mushkërive. Por këto simptoma nuk shfaqen menjëherë, çka e bën të vështirë trajtimin në kohë.

mjek
Arian Mezini

Sipas mjekut pneumolog, Arian Mezini, karakteristikë e sëmundjeve tumorale të mushkërive janë se shenjat klinike shfaqen në stade tepër të avancuara, pikërisht në ato stade kur në përqindje shumë të lartë kjo sëmundje është e pashërueshme, ndaj edhe shkalla e rrezikshmërisë është e lartë. Doktori sjell në vëmendje statistikat e Ligës së Tumoreve Zvicerane, ku në një vit kalendarik nga 4100 persona që kanë humbur jetën si pasojë e tumoreve, 3100 vuanin nga kanceri i mushkërive.

Ndërsa në vendin tonë, për vitin e kaluar, në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” raportohen rreth 610 raste të diagnostikuara me këtë sëmundje. Duhanpirja, thekson Mezini, cilësohet si një ndër faktorët e riskut. “Në Europë, rreth 80% e të gjitha rasteve me këtë sëmundje kanë në bazë të tyre konsumin e duhanit. Në studime të ndryshme të bëra në kohë të ndryshme ka rezultuar se në 10 pacientë të prekur nga kjo sëmundje, nënte prej tyre ishin duhanpirës.

Është një patologji që prek më tepër gjininë mashkullore dhe kjo, sigurisht ka të bëjë me faktin që kjo gjini konsumon me tepër duhanin. Por ajo që është vënë re pas viteve ’50-’60, sidomos në atë që në Europë dhe SHBA lidhet me të ashtuquajturin modernizim të jetës dhe tendenca drejt veseve, ku hyn dhe konsumi i duhanit, bëri që dhe gjinia femërore të priret drejt një konsumimi më të rritur të duhanit, dhe sot vihet re një rritje eksponenciale e përqindjes së kësaj sëmundshmërie te seksi femër”, thotë doktori.

Kur flasim për sëmundjet tumorale, kanceri i mushkërive listohet i pari sa i takon shkallës së rrezikshmërisë. Diçka më tepër rreth kësaj sëmundjeje, nga se shkaktohet dhe cilët janë faktorët e riskut? Sa ndikon apo çfarë peshe ka stili i jetesës?

Kur flasim për sëmundje tumorale. kemi të bëjmë me një grup sëmundjesh që në një përqindje të lartë dhe sigurisht, në njëfarë mase, të shtrira dhe në kohë përbëjnë kërcënim për jetën. Sa i përket kancerit të mushkërive, ai përben rreth 10% të të gjitha sëmundjeve tumorale nga të cilat preket popullata në një vit dhe ku raporti gjinor i prekjes nga kjo patologji shkon nga 62% te meshkujt dhe deri në 38% te femrat. Sa i përket rrezikshmërisë së kancerit të mushkërive, ajo është tepër e lartë, ku mund të sjell si shembull për këtë statistikat e Ligës së Tumoreve Zvicerane, ku në një vit kalendarik, nga 4100 persona që kanë humbur jetën si pasojë e tumoreve, 3100 vuanin nga kanceri i mushkërive. Faktori kryesor i riskut është duhanpirja. Në Europë, rreth 80% e të gjitha rasteve me këtë sëmundje kanë në bazë të tyre konsumin e duhanit. Në studime të ndryshme, të bëra në kohë të ndryshme, ka rezultuar se në 10 pacientë të prekur nga kjo sëmundje, nëntë prej tyre ishin duhanpirës. Është një patologji që prek më tepër gjininë mashkullore dhe kjo, sigurisht ka të bëjë me faktin që kjo gjini konsumon me tepër duhanin. Por ajo që është vënë re pas viteve ’50-’60, sidomos në atë që në Europë dhe SHBA lidhet me të ashtuquajturin modernizim të jetës dhe tendenca drejt veseve, ku hyn dhe konsumi i duhanit, bëri që dhe gjinia femërore të priret drejt një konsumimi më të rritur të duhanit dhe sot vihet re një rritje eksponenciale e përqindjes së kësaj sëmundshmërie te seksi femër. Si faktor risku doja të theksoja që është duhanpirja aktive, por në një shkallë jo të vogël, edhe ajo pasive. Faktorë të tjerë riskantë janë radoni, një gaz fin radioaktiv, ashtu si dhe ndotja e ajrit nga karburantet, dhe sidomos nafta, asbesti, kromatet dhe lidhjet e nikelit, të cilat shtojnë riskun për këtë sëmundje.muskrit_462243386

Cilat janë shenjat klinike që manifeston?

Karakteristikë e sëmundjeve tumorale të mushkërive janë se shenjat klinike shfaqen në stade tepër të avancuara të sëmundjeve, pikërisht në ato stade kur në përqindje shumë të lartë kjo sëmundje është e pashërueshme. Nga këto shenja do të përmendja kollën. Një kollë që zgjat deri në 4 javë duhet si rregull të mos përbëjë bazë për t’u shqetë- suar, por kolla që persiston mbi 4 javë dhe pas trajtimit mjekësor duhet të shërbejë si një indikator për kërkimin e një konsulte mjekësore më të specializuar, sepse kjo kollë e zgjatur, veç sëmundjeve të tjera të mushkërive, mundet që si shkak të ketë dhe tumoret pulmonare. Shqetësime jo mirë të përcaktuara në kafazin e kraharorit. Rreth gjysma e pacientëve të prekur nga tumoret bronkopulmonare referojnë për gjendje diskonforti në gjoks dhe deri për dhimbje gjoksi, që në jo pak raste pacienti nuk arrin të bëjë lokalizimin e saktë të dhimbjes. Dispneja ose mosngopja me frymë, siç përshkruhet nga populli, objektivizohet në rreth 2/3 e pacientëve të prekur nga kjo patologji, sidomos kur tumori prek rrugët bronkiale me kalibër të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë bën të pamjaftueshëm ajrimin dhe kur pjesa e mbetur e mushkërive është e pamjaftueshme për furnizimin me oksigjen dhe, sidomos kjo bëhet më evidente në situatat e efortit fizik nga pacienti. Hemoptizia ose kolla e shoqëruar me gjak shoqëron rreth 1/3-ën e pacientëve që kanë këtë sëmundje. Shenja të tjera klinike mund të shfaqen si pasoje e invasionit tumoral në pleura ose më tej, gjithashtu në këta pacientë simptomatologjia varion që nga ngjirjet e zërit, të vjellat, rënia në peshë, anoreksia, gjendje presioni në regjionet e qafës, dhimbje kockore, çrregullime të sistemit nervor etj.

Fakti që simptomat shfaqen heshturazi apo edhe kur sëmundja ka përparuar, a e bën të vështirë diagnostikimin në kohë?

Kanceri bronkopulmonar në mbi 95% të rasteve diagnostikohet në stade të avancuara dhe pikërisht shfaqja e shenjave klinike që përmendëm më sipër, e detyrojnë pacientin t’i drejtohet mjekut, por për fat të keq në këto momente sëmundja kur diagnostikohet është në stade tepër të avancuara, ku në një përqindje të lartë bën të mundur afrimin e një terapie onkologjike ose terapisë paliative.

Në sa forma shfaqet ky kancer?

Kanceri i mushkërive ndahet në dy tipa: Kanceri me qeliza të vogla (SCLC) dhe kanceri bronkopulmonar me qeliza jo të vogla( NSLC). Kjo ndarje bëhet e mundur nën vëzhgimin me mikroskop të materialit të përfituar nga kryerja e biopsisë dhe kjo ndarje ka shumë rëndësi dhe për përcaktimin e strategjisë terapeutike më pas. Më shumë se 80% e pacientëve të prekur nga kjo patologji diagnostikohen me kancer me qeliza jo të vogla, që nga ana mikroskopike paraqitet me qeliza të mëdha. Ky grup tumoresh rriten relativisht më avash dhe kanë tendencë kryesisht për invazion fillimisht të indeve kufitare dhe kanë tendencë metastazimi me të avashtë dhe në këtë mënyrë ky tip histologjik në stadet e para bën të mundur dhe trajtimin kirurgjikal. Ndërsa në tipin e karcinomës bronkiale me qeliza të vogla, kanë një ecuri më të shpejtë dhe është një formë tepër agresive dhe shpesh në momentin e diagnozës shikohet dhe prekje e organeve të tjera nga metastazat dhe në këtë mënyrë jetëgjatësia te ky tip është e shkurtër. Prognoza në tërësi në sëmundjen e kancerit bronkopulmonar në tërësinë e vet është jo e mirë dhe, ashtu si u përmend dhe më sipër, është në varësi të tipit qelizor (kanceri me qeliza të vogla dhe ai me qeliza të mëdha), si dhe jetëgjatësia varet dhe në stadin në të cilin bëhet diagnoza. Në stadet e para, konkretisht në stadin e parë dhe të dytë kur bëhet largimi radikal i tumorit me rrugë kirurgjikale, një numër i lartë i këtij grupi pacientësh arrijnë një jetëgjatësi deri në 5 vjet pas vendosjes së diagnozës.

A ka një predispozitë moshore, pra cilat janë grupmoshat më të riskuara?

Prek kryesisht grupmoshën nga 50 deri në 70 vjeç.

Duke pasur parasysh stadet e sëmundjes, a ekziston mundësia për ta parandaluar?

Momentalisht mjekësia nuk ka metoda efikase për parandalimin e kësaj sëmundjeje, megjithatë sot studime të ndryshme në Europë dhe SHBA kanë bërë të mundur që me bërjen e kompjutertomografisë me dozim rrezatimi të ulur, duke e përdorur këtë ekzaminim si “screening” ka bërë të mundur diagnostikimin e kësaj sëmundjeje në popullatën me risk shumë të lartë (pra, te personat duhanpirës të fuqishëm) në stade të hershme, ku dhe terapia ka mundësi të ketë më shumë sukses. Mirëpo duhet të kemi parasysh që kjo metodë “screening” për kancerin e mushkërive është me kosto tepër të lartë dhe jo pak e dëmshme për shëndetin, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me rrezatim dhe ka vlerë nëse realizohet çdo vit.

Si trajtohet kanceri i mushkërive?

A ka progres sa u takon metodave të trajtimit, pra është më i lehtë kurimi tani? Trajtimi i kancerit të mushkërive është variabël në varësi të tipit qelizor, stadit dhe përhapjes. Ky trajtim realizohet me kirurgji, kimioterapi, radioterapi dhe në shumë raste bëhet e domosdoshme edhe kombinimi i terapive të më- sipërme, si dhe rehabilitimi. Në lidhje me pyetjen tuaj për përparimin e terapisë do të thosha që përparimi i shkencës mjekësore dhe sidomos avancimi teknologjik, patjetër që e ka bërë të mundur një terapi më efikase, por për fat të keq ky lloj tumori, siç e përmendëm më sipër, kapet në stade të avancuara në momentin e vendosjes se diagnozës dhe suksesi i terapisë dhe i jetëgjatësisë mbetet për fat të keq i limituar.

Disa këshilla…

Këshilla më e mirë e mundshme është një jetë e shëndetshme, ku do të thosha se ndërgjegjësimi i popullatës për dëmin që shkakton duhanpirja jo vetëm në lidhje me këtë patologji vdekjeprurëse, por dhe për sëmundje të tjera, sidomos grupsëmundjet të sistemit kardiovaskular dhe për duhanpirësit do të këshilloja që nuk është kurrë vonë për ndërprerjen e duhanit. Nga ana tjetër, për personat duhanpirës do të kërkoja se në rast se kanë kollë që zgjat më shumë se katër javë, apo në rast se kolla ndryshon intensitetin e saj, dhimbje apo diskonfort në kafazin e kraharorit, gjendje debulese, apo rrema gjaku në gëlbazë, t’i drejtohen mjekut për konsulencë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura