Flet mjeku: Diabeti, pse është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm

Nov 17, 2017 | 15:26
SHPËRNDAJE

Çdo vit shtohen 3 deri në 5 mijë raste të reja me diabet. Në vendin tonë, të dhënat flasin për rreth 75 mijë të diagnostikuar me këtë sëmundje. Por kjo është vetëm një copëz nga tabloja e asaj që ekziston në të vërtetë. Ndërsa njohim atë që duket, shqetësim më të madh përbën pjesa e fshehur.

Sipas mjekut endokrinolog, prof. Florian Toti, një pjesë shumë e madhe e rasteve janë me diabet tipi 2, por nuk e dinë. Diagnostikimi i vonë mund të bëhet “kërcënim”, jo më shumë nga sëmundja se sa nga komplikimet që ajo jep. Në këto kushte, fokusi duhet të vendoset te parandalimi.

Disa studime kanë treguar se njerëzit me ‘prediabet’, pra që kanë predispozitë për të bërë diabet nëse ushtrojnë në mënyrë sistematike aktivitet fizik, mund të zvogëlojnë ndjeshëm gjasat e zhvillimit të sëmundjes.

Muaji nëntor konsiderohet si muaji i diabetit, cili është fokusi për këtë vit?

Data 14 nëntor është dita botërore e diabetit, e vendosur nga Federata Botërore e Diabetit dhe që lidhet me ditëlindjen e Frederick Banting, i cili zbuloi dhe përdori për herë të parë insulinën te një fëmijë me diabet. Që nga viti 1991, është caktuar kjo ditë që në të gjithë botën të kryhen aktivitete në lidhje me ndërgjegjësimin e popullatës dhe institucioneve politikëbërëse mbi rëndësinë dhe peshën që ka diabeti në shëndetin e individit, por edhe në koston sociale dhe ekonomike që mbart. Pikërisht për këtë arsye, është vendosur data 14 nëntor. Por, pothuajse i gjithë muaji nëntor cilësohet si muaji i diabetit sepse përgjatë gjithë muajit organizohen aktivitete sensibilizuese. Çdo vit, dita e diabetit ka një temë të veçantë. Për këtë vit është “Diabeti dhe gratë”. Ka dy qasje kjo, e para sepse gratë preken nga një lloj i veçantë diabeti që është diabeti gjatë shtatzënisë, i cili mund të shërohet, por gratë mbesin të rriskuara për të bërë diabet gjatë jetës. Tjetra është prej faktit se gruaja luan një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin dhe edukimin e familjes për mënyrën e të ushqyerit sa më shëndetshëm.

Pra, nuk është e vërtetë që gratë janë më të predispozuara për t’u prekur në raport me burrat?

Jo, gratë janë po aq të rriskuara për diabet sa janë edhe burrat. Madje, nëse shohim prevalencën e diabetit në botë, ka një përqindje më të rritur te meshkujt, por diferencat janë shumë të vogla. Ndaj, edhe për ne, rreziku është në nivelin 50 me 50 për qind. Gratë duhet të tregohen të kujdesshme gjatë shtatzënisë. Në qoftë se zbulojnë se vuajnë nga diabeti, kujdesi duhet të jetë i dyfishtë, duke u ndjekur nga një mjek obstetër dhe endokrinolog në të njëjtën kohë.

Të dhënat në botë flasin për 415 milionë të prekur nga sëmundja e diabetit. Ndërkohë, çfarë e bën situatën edhe më gri, është fakti që deri në 2040 numri i të sëmurëve pritet të shkojë 642 milionë. Cila është situata në vendin tonë, duke qenë se ju jeni edhe presidenti i “Shoqatës së Diabetit”?

Të gjitha parashikimet e bëra deri më tani për diabetin, janë tejkaluar nga shifrat reale. Konkretisht, nëse në vitin 2000 është thënë që në 2025 do të ketë 330 milionë diabetikë, ne sot jemi në vitin 2017 dhe flasim për 415 milionë të tillë. Druaj se edhe shifrat që janë dhënë për vitin 2040 apo 2040 do të tejkalohen. Në ditët e sotme, po shtohet shumë popullata e rriskuar për diabetin tipi II, i cilësuar edhe si diabeti i të rriturve ku mënyra e jetesës, obeziteti, sedentariteti, ushqyerja jo e shëndetshme, e rrisin edhe më tej predispozitën. Ndërkohë, sa i takon diabetit tip I, ka një rritje të lehtë krahasuar me vitet ’70, ’80 por nuk është rritje alarmante. P.sh, në Shqipëri, çdo vit me diabet tip 1 shtohen 60, 70 fëmijë. Kjo është një shifër që është pak a shumë e njëjtë në të gjitha vendet e botës. Pra, ka një incidencë që varion 14, 15 raste të reja për 100 mijë fëmijë. Shqetësuese është situata me diabetin tipi 2, ku çdo vit në Shqipëri shtohen 3 mijë deri në 5 mijë raste të reja. Kur ne kemi bërë studimin në vitin 2005, rezultonin rreth 30 mijë diabetikë, të regjistruar, pra që ndiqeshin me trajtim. Shifrat e fundit flasin për 75 mijë të diagnostikuar. Pra, në 10 vite kemi një rritje mbi dyfish të numrit të personave me diabet. Kjo është një shifër zyrtare. Por nuk duhet të harrojmë pjesën tjetër. Për fat të keq, një pjesë shumë e madhe e rasteve me diabeti tipi 2, janë me diabet, por nuk e dinë.

Diabeti në vetvete konsiderohet si sëmundje e heshtur dhe kjo “përligj” deri diku edhe faktin që ka një numër jo të paktë të të prekurve, por që nuk janë diagnostikuar. Ka të dhëna mbi këtë kontingjent?

Në fakt, diabeti është një sëmundje që nuk “thërret”, pra nuk dhemb. Ai është aty, dëmton, por pa dhënë shenja të dukshme që të bëjnë të shkosh të vizitohesh. Në mënyrë të përvitshme, Shoqata e Diabetit organizon fushata depistimi dhe sensibilizimi për diabetin. Edhe këtë vit kemi filluar. Gjatë gjithë muajit nëntor, do të jemi në lëvizje, nëpër rrethe. Kemi filluar në Lushnje, Lezhë, Elbasan, Laç dhe Shkodër dhe përgjatë këtyre dy ditëve do të jemi në Tiranë. Me këto depistime që ne kryejmë çdo vit, konstatojmë se ka një numër të madh personash që janë me diabet, por që nuk e dinë. Përgjatë 4 viteve kemi mbi 12 mijë persona që kemi depistuar dhe kemi një prevalencë të diabetit të panjohur, që shkon gati 3.5-4 për qind. Pra, në qoftë se do t’i shtonim kësaj popullate ekzistuese që kemi me diabet pacientët që janë me diabet, por që nuk e dinë, numri i të prekurve do të shkonte nga 100 deri në 150 mijë.

Sa i rrezikon këta pacientë mosdiagnostikimi në kohë i sëmundjes?

Diabetin e bën të rëndë jo aq sëmundja në vetvete, por komplikimet që jep në organizëm. Sa më vonë të diagnostikohet diabeti (tipit 2), aq më tepër shanse ka që pacienti të ketë ndërlikime, të cilat mund të shfaqen në fazat e mëvonshme. Mund të sjellë prekje të syve, me dobësim të shikimit, dëmtime të veshkave, sëmundje të enëve të gjakut duke filluar nga sëmundjet ishemike të zemrës, infarkti, neuropatia e deri te plagët diabetike, të cilat mund të çojnë në një problem madhor, sikundër është këmba diabetike. Janë pikërisht këto komplikacione, që prishin cilësinë e jetës të të sëmurëve me diabet, rrisin koston e trajtimit dhe mbi të gjitha rrisin shumë sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë. Ndaj, ka shumë rëndësi që diabeti të parandalohet. Nëse nuk mund ta parandalojmë, të paktën të diagnostikohet sa më herët. Për fat të keq, ne akoma nuk kemi të dhëna për numrin e personave të diagnostikuar rishtazi me diabet.

Programi i kontrollit shëndetësor bazë, pra check-up, a ka shërbyer në këtë drejtim, pra për diagnostikimin në fazat e hershme të sëmundjes?

Patjetër. Të dhënat që ne disponojnë janë ato të publikuara edhe nga Ministria e Shëndetësisë një vit më parë. Rezultoi që kishte një prevalencë të diabetit të padiagnostikuar, e cila shkonte rreth 4 për qind. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rastet me diabet, por për ato që janë rastet me prediabet, pra për ata persona që nuk janë akoma diabetikë, por kanë filluar që të kenë çrregullimet e metabolizmit të glukozës dhe që janë shumë të predispozuar për të kaluar në diabet. Nga kontrolli shëndetësor bazë, këto shifra shkonin rreth 12%. Dua të vë në dukje se check-up prek moshat nga 35 deri në 70 vjeç, ndërsa depistimet që kryen Shoqata e Diabetikëve nisin nga mosha 20 vjeç dhe nuk janë të limituara. Por ne nuk bëjmë bilancë të plotë ekzaminimesh. Ne bëjmë vetëm depistime, e cila të jep një ide se ku je dhe ku qëndrojnë problemet. Këto të dhëna duhet të shërbejnë si bazë për institucionet vendimmarrëse dhe politikëbërës, përfshirë edhe specialistët e sëmundjeve kronike ku diabeti zë një rol shumë të rëndësishëm, për krijimin e një strategjia kombëtare dhe të ketë një hartë të situatës aktuale. Kjo hartë nuk të tregon vetëm si është situata sot, por të jep një ide si do të jetë situata pas 10 apo 20 vitesh duke na dhënë mundësinë të kuptojmë se ku duhet ndërhyrë. Pjesa e zbulimit të diabetit dhe sëmundjeve të tjera është e rëndësishme, por më i rëndë- sishëm është parandalimi i tyre. Në jemi të gjithë dëshmitarë se po ulet mosha e fillimit të sëmundjes, konkretisht, nëse diabeti tipi 2 diagnostikohej mbi 40 vjeç, sot ai diagnostikohet te moshat 30 apo edhe 20 vjeç. Kemi filluar të kemi fëmijët obezë me diabet tipi 2. Ky është një problem i madh. Ndaj, sot duhet të luftojmë shumë që të ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës.

Në botë këto probleme janë të njohura, të pranuara dhe zgjidhjet shikohen në hartimin e strategjive dhe rritjen e shpenzimeve pasi çdo nismë ka kosto. Ne, në vendin tonë, akoma nuk e kemi një strategji, ju e keni ngritur më herët këtë shqetësim…

Që të hartohet strategjia, nevojitet vullnet nga të gjitha palët. Në vitin 2014, ne u përpoqëm të krijojmë një forum të diabetit duke ftuar edhe institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse, por për fat të keq, nuk pati një vazhdueshmëri dhe një ndikim shumë të madh në ndryshimin e situatës.

Për “faj” të kujt dështoi nisma?

Shoqatat e Diabetit është një nga aktorët. Ne nuk mund të marrim rolin e flamurmbajtësit për këtë. Ne e kemi ngritur si problem, i kemi bërë të qartë ato që mungojnë në Shqipëri, por pjesa tjetër ka të bëjë me strategjitë dhe prioritetet e qeverisë. Diabeti është një sëmundje me kosto shumë të lartë. Zë vendin e parë si shpenzim për medikamente. Buxheti i medikamenteve është një faktor i rëndësishëm, por është vetëm një zë. Për fat të keq, buxheti i shëndetësisë në total është shumë më i vogël në raport edhe me vendet e tjera të rajonit. Investimi që bëhet në parandalim, nuk ta jep rezultatin menjëherë, por pas disa vitesh. Ndaj, edhe që të kërkohet një strategji e tillë, kërkohet koordinim dhe dëshirë e mirë nga disa institucione, që mund të jenë, përveç Ministrisë së Shëndetësisë, Ministria e Arsimit pasi duhet të integrohet në programet e shkollave, këshillat për mënyrën e shëndetshme të jetesës. Kërkon një bashkëpunim me Ministrinë e Financës që të alokohen më shumë fonde për programe në drejtim të informimit. Duhet po ashtu, bashkëpunim shumë i mirë me Ministrinë e Bujqësisë sepse mënyra e shëndetshme e jetesës kërkon ushqime të shëndetshme. Në shumë vende të botës, për produkte të caktuara aplikohen çmime të reduktuara, në mënyrë që të nxitet konsumimi i tyre. Në Francë, nëpër shkolla nuk gjen më distributorë të pijeve të ëmbla, ofrohet vetëm ujë falas nga shkolla. Në shumë vende të botës ka programe taksimi për pijet e ëmbla. Pra, kanë gjetur mekanizmat për të bërë atë që njihet parandalimi primar. Në këtë drejtim ne kemi ofruar disa zgjidhje.

Cilat janë zgjidhjet që ju keni propozuar?

Të sëmurët me diabet sorollaten pafund për të bërë rimbursimin e insulinave. Nuk është e nevojshme që të sëmurët të vijnë dy herë në spital për të marrë një letër, mund të vijnë për të dorëzuar dokumentacionin dhe ne si shoqatë ose spitali vetë, të bëjë dërgimin e letrës me anë të postës te mjeku i familjes. Edhe në aspektin e kostos, kjo është një nismë që mund të përballohet. Nga ana tjetër, ne si shërbim endokrinologjie kemi depozituar, gjithashtu një kërkesë që të lehtësohen procedurat e rimbursimit të insulinave. Pra, pacientët të mos vijnë deri në Tiranë, por ta zgjidhin në rrethet ku banojnë. Për të kaluar te pjesa e rimbursimit, e kuptojmë që ka kosto, por të paktën të ofrohet falas për fëmijët deri në 18 vjeç.

Këto zgjidhje janë për ata që janë aktualisht të diagnostikuar me diabet, por çfarë mund të bëhet për atë që njihet si parandalimi primar?

Në shumë vende të botës ka komisione, të cilat përfshijnë shumë aktorë dhe që merren me programet apo me strategji kombëtare për parandalimin e sëmundjeve kronike. Kur flasim për sëmundjet kronike, nuk bëhet fjalë vetëm për diabetin, bëhet fjalë edhe për hipertensionin, obezitetin, dislipideminë apo edhe sëmundjet kardiovaskulare. Në qoftë se ne përmirësojmë mënyrën e jetesës duke u kujdesur për regjimin ushqimor dhe duke ushtruar aktivitet fizik, përfitojmë persona me më pak probleme me peshën, me një balancë lipidikë më të mirë, përfitojnë persona me shifra më të mira të presionit arterial. Vetëm një ecje 30 minuta në ditë, mund të parandalojë 30% të rasteve me diabet. Në planin afatgjatë, kjo do të sjellë një popullatë më të shëndetshme, më pak e sëmurë, gjë që ul edhe kostot për shëndetësisë.

Të rinjtë sot kërcënohen nga sedentarizimi dhe ushqimet e shpejta…

Ne kemi një studim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Në vitin 2013, mesatarisht studentët e mjekësisë bënin diku te rreth 8800 hapa në ditë. Një njeri quhet sedentar nëse bën më pak se 10 mijë hapa në ditë. Pra, në vitin 2013 studentët ishin sedentarë. Të njëjtin studim e kemi përsëritur këtë vit, nga ku rezultoi që mesatarja e hapave ishte rreth 10400. Pra, kemi një përmirësim. E përsëris, 10 mijë hapa nuk të bëjnë aktiv, por të nxjerrin nga rrethi i sedentarizimit. Megjithatë, duhet konsideruar një hap pozitiv.

Regjimi ushqimor mbetet çelësi për një jetë të shëndetshme, për diabetikët çfarë rekomandohet dhe çfarë është e ndaluar?

Në parim nuk ka ushqime që janë të ndaluara për diabetikët. Personi me diabet mund të përdorë të gjitha llojet e ushqimit. Gjithë problemi është te sasia dhe te shpeshtësia. Ne rekomandojmë që të përdoren shumë pak pijet e ëmbla apo ëmbëlsirat. Por nëse një person me diabet ka një festë familjare dhe aty shërbehet ëmbëlsirë, ai nuk mund të privohet. Ai nuk do të hajë racionin e plotë, por gjysmën. E rëndësishme, në çdo rast, është që të ruhet balanca e vakteve. Në përgjithësi nuk rekomandohet që të përdoren gjërat e skuqura, por ato të ziera dhe sa më tepër të përdoren zarzavatet, kryesisht ato jeshile.

Cilat janë metodat që aplikohen sot për trajtimin e diabetit?

Në treg ofrohen shumë produkte, shpesh edhe të shtrenjta, por duke qenë se nuk jepen si duhet, ku duhen dhe kur duhen, edhe rezultati i tyre nuk është ai që pritet. Por nganjëherë nuk ka të bëjë shumë se çfarë medikamenti po i jep një personi, por se sa i motivuar është ky person për të ndjekur mjekimin siç duhet. Dua të vë në dukje po ashtu se një medikament sado i mirë të jetë, nëse nuk shoqërohet me këshillat dietike, monitorimin e glicemisë, me një person të edukuar dhe një personel mjekësor po ashtu të edukuar, rezultati nuk ka për të qenë maksimal. Ndaj konsiderohet një sfidë e përbashkët, për të cilën ne jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura