Flet mjekja: Tumoret e pankreasit, shenjat që lajmërojnë sëmundjen

Aug 1, 2018 | 18:52
SHPËRNDAJE

Ndonëse jo aq i zakonshëm sa disa forma të tjera të kancerit, tumoret e pankreasit njihen si shkaku i pestë i vdekjeve nga kanceri në botë. Veç kësaj, përmendet si një ndër sëmundjet më të vështira për t’u diagnostikuar për shkak se në fillim rrallëherë jep shenja, të cilat shpesh mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera për shkak të ngjashmërisë.

Mjekja onkologe, Esmeralda Sera, flet për disa nga simptomat që shërbejnë si zile alarmi për kancerin e organit të fshehur pas stomakut. Personat mbi 60 vjeç dhe femrat me një predominancë të lehtë kundrejt meshkujve janë më të rriskuarit, bazuar në praktikën klinike të doktoreshës.

Esmeralda Sera
Esmeralda Sera

Ndërsa faktorët e riskut që çojnë në kancerin e pankreasit janë disa, prej të cilëve: diabeti, obeziteti, duhanpirja, infeksionet pankreatite e deri te trashëgimia. Ashtu  si për çdo sëmundje tjetër, diagnostikimi në kohë me qëllim marrjen e trajtimit të duhur është këshilla dhe hapi i parë që çdo person, që paraqet disa nga simptomat që përmend mjekja onkologe, duhet të ndërmarrë. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese, që nënkupton ushqim dhe jetë aktive, janë të vlefshme edhe në këtë rast.

Çfarë janë tumoret e pankreasit? Si formohen?

Pankreasi është një organ rreth 6 centimetra i gjatë, i cili vendoset pas stomakut. Pankreasi është i rrethuar me disa inde në formë ishujsh, të cilët prodhojnë hormonin e insulinës që derdhet në gjak. Pankreasi ka disa enzima që derdhen në dueden nëpërmjet kanalit përkatës. Enzimat e tij plotësojnë tretjen e lëndëve ushqimore në zorrë të hollë. Mosfunksionimi i pankreasit shkakton dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, përzierje, vjellje, veçanërisht pas marrjes së ushqimit dhe heqje barku, nuk treten yndyrat. Tumoret e pankreasit ndahen në tumore beninje, pra, të kurueshme dhe në tumore malinje ose kanceri. Tumoret malinje formohen kur vetë qelizat e pankreasit shtohen në mënyrë të pakontrollueshme dhe ndryshojnë formën e tyre normale.

Çfarë e rrit rrezikun për tumore në pankreas? Shkaktarët…

Shkaqet e sakta të sëmundjes ende nuk janë zbuluar nga shkencëtarët, por ekzistojnë faktorët e rrezikut të cilët mund të shkaktojnë ndryshime në ADN-në tonë. Disa nga këta faktorë rreziku janë: diabeti, obeziteti, historiku familjar, duhanpirja (është e lidhur me gati 1/3 e rasteve të kancerit pankreatik. Tymi i duhanit përmban toksina të dëmshme dhe kimikate, që mund të shkaktojnë irritim dhe inflamacion në indet dhe organet e trupit) si dhe infeksionet kronike të pankreasit. I tillë është pankreatiti. Ndonëse jo shumë i shpeshtë, pacientët me pankreasit të trashëgueshëm kanë një rrezik të veçantë për kancer pankreasit, sidomos mbi moshën 40 vjeç.1

Duke qenë se folëm për faktorët e riskut, a mund të themi se cila gjini apo moshë është më e rriskuar nga tumoret në pankreas?

Në fakt, është parë se prekja nga kanceri i pankreasit është pothuajse i njëjtë për të dyja gjinitë me një predominancë të lehtë te femrat. Kanceri pankreatik zakonisht prek persona mbi 60 vjeç, por kjo nuk do të thotë se moshat e reja janë imunë ndaj kësaj sëmundjeje.

Cilat janë simptomat që shërbejnë si zile alarmi?

Kur kanceri i pankreasit zhvillohet, në fillim rrallëherë shkakton simptoma. Kjo e bën të vështirë për t’u zbuluar dhe diagnostikuar, sepse pacienti nuk mund të vërejë as-gjë të pazakontë derisa kanceri ka arritur në një stad të avancuar. Gjithsesi, janë disa shenja që mund të sinjalizojnë dhe nxisin mjekun t’i marrë në konsideratë për të dyshuar për tumor në pankreas dhe që edhe vetë pacientët duhet t’u kushtojnë vëmendje. Një nga simptomat e hershme të këtij tumori është ikteri ose ngjyra e verdhë e syve ose mukoza. Por ka dhe shenja të tjera siç janë: urina e errët, feçet në ngjyrë të zbardhur, rënie në peshë pa shkak dhe mungese oreksi, dhimbje e theksuar në mes, lodhje e tepërt e të tjera.

Çfarë komplikacionesh sjell në organizëm prania e tumorit në pankreas?

Duke qenë një sëmundje serioze dhe ndikimet e saj në organizëm janë të tilla. Simptomat që shkaktohen ulin cilësinë e jetës së pacienteve dhe si e tillë sëmundja duhet të diagnostikohet dhe të jepet terapia e duhur në këto raste sa më shpejt.

Meqë jemi në këtë pikë, a diagnostikohet lehtë tumori në pankreas dhe si trajtohet ai?

Kur te një pacient shfaqen simptomat e mësipërme, atëherë ai duhet të paraqitet te mjeku dhe mos të neglizhojë situatën. Disa nga ekzaminimet e kërkuara janë analizat e përgjithshme të gjakut, ekzaminimi klinik nga ana e mjekut, eko abdominale, skaner abdomeni dhe në rast zbulimi të ndonjë mase, edhe biopsia e saj për të vendosur diagnozën përfundimtare. Gjithashtu dhe markusit tumoral kanë një rol të rëndësishëm në këtë sëmundje dhe janë: CA 19,9 dhe CEA. Pas vënies së diagnozës vendoset dhe trajtimi i rastit me ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi, radioterapi ose terapi e kombinuar.

Çfarë do t’u këshillonit të sëmurëve apo atyre që janë të predispozuar për t’u prekur?

Këshillat që unë jap, janë që njerëzit duhet të drejtohen drejt një jete të shëndetshme me ushqim të shëndetshëm dhe jetë aktive. Rëndësi ka kapja në kohë e simptomave dhe mosneglizhimi i tyre. Kapja dhe trajtimi në kohë ndihmon në trajtimin sa më të mirë të sëmundjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura