Flet mjekja pneumologe, Elona Hila: Mushkëritë, shenjat që sinjalizojnë kancerin

Jun 5, 2018 | 19:43
SHPËRNDAJE

Kancerin e mushkrive e shënon numrin më të lartë të fataliteteve në vendin tonë në raport me sëmundjet e tjera kanceroze. Dita botërore e luftës kundër duhanit që u shënua vetëm pak ditë më parë nxori në pah se shifrat e të prekurve po rriten frikshëm nga viti në vit. Nëse deri dje, meshkujt ishin më të prekurit, rritja e konsumit të duhanit nga femrat ka bërë që kjo disbalancë të tkurret.

Këtë e pohon për gazetën mjekja penumologe në Spitalin e Traumës, dr. Elona Hila. Për fat të keq, pjesa më e madhe e pacientëve shkojnë në dyert e spitalit kur sëmundja është në stad të avancuar. Nisur nga kjo, dr. Hila apelon pacientët të mos neglizhojnë kurrsesi shenjat klinike si: kollë, dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, debulesë, rënie në peshë e të tjera.

Mjekja
Mjekja

Sa i takon shërimit, ai realizohet me kombinimin e disa metodave si dhe kërkon koordinim të mjekëve të specialiteteve të ndryshme. Si për çdo sëmundje, rregulli i artë vlen dhe për kancerin pulmonar, sa më herët të kapet në kohë, aq më të mëdha janë shanset e trajtimit dhe jetëgjatësisë.

KANCERI PULMONAR

Është një tumor malinj i indit pulmonar dhe karakterizohet nga një rritje e pakontrolluar e qelizave të indeve pulmonare. Është një pasojë fenotipike e akumulimit të ndryshimeve molekulare dhe gjenetike ende të panjohura që sjellin proliferim qelizor të pakontrolluar. Kanceri pulmonar mbetet kanceri me numrin e vdekjeve nga sëmundjet kanceroze më të lartë në vendin tonë. Vitet e fundit shihet një tendencë në rritje e numrit të pacientëve të diagnostikuar në vit. Është shkaku numër një i vdekshmërisë nga sëmundjet malinje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si te femrat ashtu edhe te meshkujt. Në total, janë më të prekur meshkujt nga kjo sëmundje, por me rritjen e konsumit të duhanit te femrat vihet re një tendencë e rritjes së sëmundshmërisë edhe tek ato.

SHKAQET

Ndër shkaktarët kryesorë të lidhur me kancerin pulmonar, e para në renditje është duhanpirja, në një lidhje të drejtpërdrejtë me numrin e cigareve të pira në vit, moshën e fillimit të duhanpirjes dhe vitet totale të duhanpirjes. Më pas faktori gjenetik, është konstatuar një risk i rritur për kancer pulmonar me 2.4 herë te familjet me prindër të sëmurë. Faktori gjenetik mund të jetë edhe i fituar si një çrregullim i balancës ndërmjet gjeneve onkogjendominante dhe gjeneve supresorët e tumoreve. Rrezatimi është një faktor tjetër i rrezikut të shtuar për kancer pulmonar. Silikoza, fijet e amiantit gjithashtu lidhen me risk të shtuar.

SIMPTOMAT Shenjat kryesore klinike që duhet të merren me seriozitet, sidomos në popullatë duhanpirëse janë: kolla (shpesh duhanpirësit kanë kollë); sput (gëlbazë); hemptizi (nxjerrja e gjakut me gëlbazë); dhimbje torakale (gjoksi); vështirësi në frymëmarrje; debulesë; rënie në peshë. DIAGNOSTIKIMI Siç referuam më parë, pacientët shpesh paraqiten në faza të vonshme sepse neglizhojnë për disa kohë shenjat klinike. Diagnostifikimi fillon me vizitën te mjeku specialist, grafi pulmonare, CT thorac (skanerpulmoni), më pas me fibronkoskopi, ekzaminim histopatologjik. Shpesh janë të nevojshme CT abdomeni, PET (pozitron tomography), torakotomiosetorakoskopi, biopsytranstorakale. Të gjitha ekzaminimet kryhen për konfirmimin biotik të lezionit/masës së dyshuar si dhe përshkrimi përfundimtar i përmasave, gjëndrave limfatike të prekura, prekjen e organeve të tjera (metastazave).

Tipi histopatologjik i ndan në dy grupe të mëdha: NSLC (carcinome me qeliza jo të vogla) dhe SLC (carcinome me qeliza të vogla). Në grupin e parë hyjnë: karcinoma skuamo-qelizore, adenokarcinoma, karcinoma adero skuamoze, karcinoma qelizat e mëdha, karcinoma sarkomatoide, tumori karcinoid, tumori i gjëndrave kalivare. Dhe çdo kategori kanë ndarjet e tjera histopatologjike. Stadifikimi i sëmundjes bëhet sipas sistemit TNM (tumor-nodes limfonodujt e përfshirë dhe (M) prezenca ose jo, e metastaza veintratorakale ose distance).

Stadet janë nga I deri në IV. Stadifikimet ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme, duke dhënë mundësi më të mira trajtimi dhe përfitimin nga kjo sëmundje. Shpesh për grupin e karcinomës me qelizat e vogla është përdorur stafidikimi i sëmundjes së lokalizuar dhe asaj të përhapur, por aktualisht përdoret dhe sistemi TNM.

TRAJTIMI

Sa i takon trajtimit, ai lidhet ngushtë me tipin histopatologjik dhe stadin e sëmundjes. Ai është kombinim i metodave kirurgjikale (në rastet e tumoreve të operueshëm), kimioterapisë dhe radioterapisë Prej vitesh vazhdojnë studimet dhe aktualisht janë futur në protokoll edhe terapia mbi TARGET-terapinë, që nënkupton terapi me antitrupa që shenjestrojnë antigen e specifiken e kancerit pulmonar. Trajtimi është i vështirë dhe kërkon bashkëpunim të mjekëve nga disa fusha duke nisur nga pneumologu, radiologu, bronkologu, kirurgu torakal, anatomopatologu, onkologu. Si përfundim, mund të themi që kanceri pulmonar është një sëmundje e shpeshtë me vdekshmëri të lartë dhe që, fatkeqësisht, diagnostikohet në faza të avancuara.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura