Flet mjekja gastrohepatologe: Ulcera e stomakut, mjekimi për të shmangur rikthimin e sëmundjes

Oct 16, 2018 | 19:42
SHPËRNDAJE

Ardhja e vjeshtës mund të sjellë përkeqësim të simptomave për të gjithë ata që vuajnë nga ulcera e stomakut. Në këto kushte nuk duhet neglizhuar mjekimi, pasi një ndërhyrje në kohë mund të pengojë avancimin e sëmundjes.

mjekeMjekja gastrohepatologe Edlira Elezaj thotë se simptoma më e shpeshtë është dhimbja e lokalizuar në zonën epigastrike, por krahas saj, të sëmurët mund të kenë fryrje barku, djegie urthi, hemorragji dhe në disa raste edhe të vjella.

“Në rast se pacientët kanë simptoma tilla, konsulta me mjekun specialist është më se e domosdoshme, pasi mjeku do të vlerësojë situatën, vendosë diagnozën dhe do të japë trajtimin e duhur për kurimin dhe shërimin e pacientit”, pohon doktoresha. Moshat më të rriskuara janë ato mbi 40 vjeç, por kohët e fundit, sipas Elezajt, po konstatohet një trend në rritje i sëmundjes në mosha më të reja, kjo ndoshta e lidhur me abuzimin me pije alkoolike, duhan, kafe apo me ushqyerje jo të shëndetshme.

Në intervistën dhënë për gazetën, Elezaj ndalet edhe te mjekimi, duke dhënë këshillat e duhura për të shmangur rikthimin e sëmundjes. “Sëmundja ulceroze është e kurueshme dhe e shërueshme plotësisht, çka do të thotë që një i sëmurë që është diagnostikuar një herë me ulcer, nuk do të thotë që gjithë jetën do të vuajë nga ulcera. Por ky kontingjent të sëmurësh duhet të ketë kujdes në lidhje me mosabuzimin me pije alkoolike, duhan, kafe e ushqime pikante, çrrënjosje të helikobakter pilori, si një ndër shkaktarët e sëmundjes ulçeroze”.

Me vjeshtën nisin të shfaqen edhe problemet me stomakun. Si mund ta kuptojmë që vuajmë nga ulcera?

Së pari dua të them se sëmundja ulçeroze njihet për sezonalitetin e saj, çka do të thotë që të sëmurët që vuajnë nga ulcera e dinë se në sezonin e vjeshtës dhe të pranverës simptomat e sëmundjes mund të acarohen. Këtë e shohim dhe në përditshmërinë tonë të punës, ku vihet re një rritje e fluksit të pacientëve që vuajnë nga ulcera. Të sëmurët që vuajnë nga sëmundja ulçeroze, simptomën më të shpeshtë kanë dhimbjen, e cila është e lokalizuar në zonën epigastrike, që është zona mbi kërthizë ose në trajtën e dhimbjes së shpinës. Zakonisht, dhimbja fillon 2- 3 orë pas ushqimit ose është dhimbja e natës që e zgjon të sëmurin nga gjumi, rreth orës 3-4 të mëngjesit. Përveç dhimbjes, të sëmurët mund të kenë ose jo të vjella, fryrje barku, djegie urthi, hemorragji në trajtën e melenës në rastet kur del me feçet apo të hematemesis, nga goja, me të vjella.

Sa e rëndësishme është që të drejtohemi te mjeku specialist pasi kemi pikasur këto shenja?

Në rast se pacientët kanë simptoma tilla, konsulta me mjekun specialist është më se e domosdoshme, pasi mjeku do të vlerësojë situatën, vendosë diagnozën dhe do të japë trajtimin e duhur për kurimin dhe shërimin e pacientit. Sigurisht, diagnoza e saktë bëhet me ekzaminimin gastroskopi, me anë të të cilit shikohet pamja direkte e stomakut dhe patologjia që e ka shkaktuar shqetësimin. Shpesh ndeshim me refuzimin e ekzaminimit nga ana e pacientit për shkak të eksperiencave negative të ekzaminimeve që kanë bërë më parë, pa sedacion. Sot, ky kushte optimale, pasi kryhet me sedacion, duke e bërë procedurën shumë të tolerueshme nga ana e pacientit.download (1)

Kur ndodh të kemi hemorragji?

Zakonisht, hemorragjia ndodh në rastet e ulcerave të thella të vendosura afër një enë gjaku, por mund të ndodhë edhe në rastet e gastriteve erozive, që përfaqësojnë dëmtime ose gërryerje të mukozës së stomakut më shpesh nga përdorimi i aspirinës ose të antiinflamatorëve josteroidë të tipit brufen, indometacinë, oki, etj, të cilat i sëmuri i ka përdorur për dhimbje më shpesh me origjinë reumatizmale.

A ka një predispozitë moshore apo të gjithë janë të rrezikuar?

Së pari dua të them se kur themi sëmundja ulçeroze, kuptojmë ulcerën e duodenit dhe ulcerën e stomakut. Ulcera duodenale është më e shpeshtë se ajo e stomakut dhe takohet më shpesh në meshkujt dhe në mosha më të reja rreth 40-50 vjeç, në krahasim me ulcerën e stomakut, e cila takohet në mosha më të mëdha, rreth 60 vjeç. Kohët e fundit po shikojmë një trend në rritje të sëmundjes në mosha më të reja, ndoshta kjo e lidhur me abuzimin me pije alkoolike, duhan, kafe apo me ushqyerje jo të shëndetshme.

Si mjekohet dhe sa kohë duhet për shërimin e plotë?

Për sa i përket mjekimit, ai bëhet me frenues të pompës protonike të llojit omeprazol, pantoprazol lansoprazol, shoqëruar me antibiotikë nëse është prezent infeksioni nga helikobakter pilori. Skema dhe kohëzgjatja e mjekimit vendoset nga mjeku specialist gastrohepatolog dhe mund të jetë më shumë se një muaj.

Ata që kanë kaluar një ulçer, e dinë mjaft mirë mundësinë e rikthimit të sëmundjes. Kur ndodh kjo dhe cilat janë masat që duhet të marrim për të parandaluar që të ndodhë një gjë e tillë?

Dua të theksoj se sëmundja ulçeroze është e kurueshme dhe e shërueshme plotësisht, çka do të thotë që një i sëmurë që është diagnostikuar një herë me ulçer, nuk do të thotë që gjithë jetën do të vuajë nga ulcera. Por, ky kontingjent të sëmurësh duhet të ketë kujdes në lidhje me mosabuzimin me pije alkoolike, duhan, kafe e ushqime pikante, çrrënjosje të helikobakter pilori, si një ndër shkaktarët e sëmundjes ulçeroze. Së fundmi, personat që kanë vuajtur nga ulcera, nëse duhet të marrin mjekim me antiinflamatorë për probleme shëndetësore të tjera, p.sh reumatizmale, duhet të konsultohen me mjekun specialist gastrohepatolog për të marrë një mbrojtës për stomakun, duke evituar kështu një rikthim të sëmundjes e aq më tepër një hemorragji gastrike.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura