Flet mjekja gastrohepatologe, Albana Aleksi: Problemet më të shpeshta të stomakut, shkaqet dhe trajtimi

Jan 12, 2018 | 13:00
SHPËRNDAJE

Gastriti, ulcera peptike, sëmundja e refluksit gastro-ezofageal dhe kanceri janë disa nga problemet më të shpeshta të stomakut. Mjekja gastrohepatologe Rozana Aleksi na njeh në mënyrë të detajuar për secilën prej tyre, duke u ndalur në faktorët e riskut, simptomat dhe çfarë është më e rëndësishme në metodat e trajtimit që aplikohen.

Përveç barnave, peshë ka edhe modifikimi i stilit të jetesës, kryesisht regjimit ushqimor, duke shmangur kikirikët, mishin e fortë, ushqimet pikante, ushqimet e ftohta, kafen e zezë, çajrat e fortë, agrumet dhe lëngjet e tyre, pijet me gaz, ushqimet e skuqura dhe të yndyrshme.4147

Kjo vlen për gastritin, por edhe në rastin e sëmundjes së refluksit pastro-ezofageal doktoresha këshillon shmangien e kafesë, alkoolit, ushqimeve me acide si domatet apo portokallet, pijet me gaz, si edhe qumështit.

Një dietë e ekuilibruar vlen edhe për parandalimin e kancerit të stomakut. “Nuk ka mënyrë për të parandaluar kancerin e stomakut.

Megjithatë, ju mund të ulni riskun duke pasur një stil jete të shëndetshme, mospërdorimin e alkoolit dhe duhanit, shmangien e ushqimeve të konservuara, trajtimin e infeksionit të stomakut nga helicobacter pylori, dieta e pasur me fruta dhe perime të freskëta dhe vitamin C”, pohon mjekja gastrohepatologe Rozana Aleksi.

32625147GASTRITI

Gastriti është një sëmundje, që shkaktohet nga inflamacioni i veshjes së brendshme të stomakut.

Shkaqet e gastritit

Dy shkaqet kryesore janë: Infeksioni nga helicobacter pylori. Këto janë baktere që dëmtojnë shtresën mbrojtëse të stomakut, duke e bërë veshjen e stomakut më vulnerabël nga acidi gastrik.

Prodhimi i tepërt i acidit gastrik. Prodhimi i tepërt i acidit gastrik shkatërron shtresën mbrojtëse të stomakut dhe shkakton inflamacion të indit të stomakut nën të. Shkaqet e prodhimit të tepërt të acidit gastrik janë: Më i shpeshti është stresi dhe ankthi, që automatikisht rrisin prodhimin e acidit si pasojë e reagimit të sistemit nervor simpatik.

Trashëgimia – disa pacientë kanë histori familjare problemesh gastrike. Pacientët me grup gjaku 0 janë të predispozuar të vuajnë më shumë nga gastriti ndërsa pacientët me grup gjaku A kanë më tepër tendencë për kancer stomaku.

Vaktet e parregullta krijojnë tendencë për prodhim më të madh acidi gastrik në kohën e vakteve të rregullta. Përdorimi i alkoolit dhe duhanit shtojnë prodhimin e acidit.

Barnat – përdorimi i zgjatur i barnave antiinflamatore josteroide si aspirina apo ibuprofeni.

Sëmundje të ndryshme, si anemia pernicioze, çrregullimet autoimmune, refluksi kronik i lëngjeve biliare, gjithashtu mund të jenë shkak i gastritit.

Si diagnostikohet gastriti Gastriti diagnostikohet me teste mjekë-sore:

Endoskopia e sipërme gastrointestinale (gastroskopia). Mjeku fut gastroskopin, një tub të hollë me kamerë nga goja deri në stomak dhe duoden për të parë mukozënveshjen e stomakut. Kontrollohet për inflamacion dhe mund të merren grimca të vogla për biopsi. Biopsia dallon se sa i rëndë është inflamacioni, a ka prani të helicobacter pylorit dhe nëse ka qeliza kanceroze. Përveç kësaj, nëse ka polipe (masa të vogla beninje në stomak, ato hiqen njëkohësisht dhe çohen për biopsi)

Analiza gjaku: për evidence të infektimit me H. pylori dhe rruazat e kuqe (nëse ka anemi). Anemia mund të shkaktohet nga gjakrrjedhja në stomak. Testi i ureazës me frymëmarrje gjithashtu përcakton nëse jeni të infektuar nga H. pylori.

Analiza e feçes për të parë nëse ka prani gjaku në feçe, shenjë e hemorragjisë. Gjithashtu analiza e feçes bëhet edhe për praninë e H. pylorit në traktin tretës.

Si trajtohet

Trajtimi bazohet kryesisht në: Uljen apo reduktimin e stresit. Riorganizimi i punës në mënyrë që të jeni në gjendje të menaxhoni më mirë stresin dhe të hani vakte të rregullta.

Modifikimi i dietës. Shmangni ushqimet e forta si kikirikët, mishin e fortë, ushqimet pikante, ushqimet e ftohta, kafen e zezë, çajrat e fortë, agrumet dhe lëngjet e tyre, pijet me gaz, ushqimet e skuqura dhe të yndyrshme.

Hani vakte më të shpeshta dhe më të vogla Shmangni alkoolin dhe duhanin

Shmangni ilaçe si aspirina, barnat kundër dhimbjes, steroidet, të cilat mund të irritojnë stomakun dhe të rrisin prodhimin e acidit.

Mjekimi

Trajtimi zakonisht përfshin barna si: Antiacidet: për të pakësuar acidin në stomak dhe për të lehtësuar simptomat dhe nxitur shërimin.

Antagonistët e H2 (p.sh ranitidina) dhe frenuesit e pompës acide (psh., es/omeprazol, pantoprazol, lansoprazol etj) Antispastikët (psh., buskopan) për të pakësuar spazmat e stomakut dhe duodenit

Nëse gastriti shkaktohet nga një infeksion, edhe ai duhet trajtuar. P.sh mjeku mund të japë antibiotikë për të zhdukur infektimin nga H. pylori.

ULCERA PEPTIKE

Ulcera peptike është një plagë apo gërryeje në stomak apo duoden.

Shkaqet

Një formë më e rëndë inflamacioni sesa gastriti që shkakton një plagë apo gërryerje në murin e stomakut apo atë të duodenit (pjesa fillestare e zorrës së hollë).

Simptomat e ulcerës peptike

Simptomat më të zakonshme janë: Dhimbje apo diskomfort në pjesën e sipërme të barkut. Dhimbja është më e theksuar gjatë ditës për ulcerat e stomakut dhe më e theksuar gjatë natës për ulcerat e duodenit. Ulcerat gastrike tentojnë të japin dhimbje shpejt pas ngrënies së ushqimit. Ulcerat duodenale tentojnë të shkaktojnë dhimbje kur stomaku është bosh.

Gromësirat, fryrja e barkut.

Djegia në pjesën e sipërme të barkut dhe gjoksi. Prania e gjakut në të vjella apo feçet me ngjyrë të zezë (melena), të cilat mund të jenë shenjë e gjakrrjedhjes në stomak apo duoden dhe mund të tregojnë një problem serioz që kërkon vëmendje mjekësore të menjëhershme.

Humbja e oreksit apo anoreksia

Rënia në peshë për shkak të keqtretjes dhe keqthithjes së ushqimeve.

Diagnostikimi

Për diagnostikimin e ulcerës peptike aplikohen të njëjtat metoda si në rastin e gastritit

Komplikacionet e një ulcere të patrajtuar

Gjakrrjedhja/hemorragjia Stenoza (ngushtimi i rrugës së kalimit të ushqimeve) Perforacioni i stomakut

Trajtimi i ulcerës

Trajtimi kryesor është zakonisht i njëjtë si ai i gastritit. Kirurgjia është opsioni i fundit kur trajtimi i medikamentoz nuk funksionon. Cila është prognoza /ecuria e ulcerës peptike? Shërimi ndodh brenda 6-12 javësh. Megjithatë rekurenca (rikthimi)është i zakonshëm.

SËMUNDJA E REFLUKSIT GASTRO-EZOFAGEAL S

ëmundja e refluksit gastrointestinal është një sëmundje kronike e ezofagut, mukoza e të cilit dëmtohet nga kthimi/refluksi jonormal i acidit gastrik nga stomaku në ezofag.

Shkaqet

Inkompetenca e sfinkterit të poshtëm të ezofagut lejon kthimin e lëngut dhe acidit të stomakut lart në ezofag. Inkompetenca e kardias (bashkimit midis stomakut dhe ezofagut) Dëmtim i pastrimit të acidit të kthyer nga ezofagu. Hernia hiatale-zgavra/vrima që ka diafragma ku ndahet ezofagu nga stomaku është e zmadhuar dhe lejon kthim më të lehtë lart në ezofag të acidit.

Obeziteti dhe shtatzënia: rritja e peshës trupore bën që presioni në bark të shtyjë përmbajtjen e tij acide lart në ezofag.

Sindroma Zollinger-Ellison – kjo gjendje në mënyrë tipike shton acidin gastrik.

Hiperkalcemia, shton prodhimin e gastrinës duke çuar në aciditet të rritur. Kortikosteroidet, si prednizoloni- mund të irritojnë mukozën e stomakut dhe të shtojnë acidin gastrik.

Scleroderma dhe Skleroza multiple, sëmundje që përfshijnë dhe ezofagun. Simptomat e sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal

Djegia e gjoksit – një diskomfort pas dërrasës së kraharorit. Vështirësia në gëlltitje/disfagia.

Dhimbja kronike e gjoksit. Kolla – kthimi i acidit mund të irritojë laringun dhe të nxisë refleksin e kollitjes.

Ngjirja e zërit – për shkak të inflamimit të kordave zanore. Ndryshimi i zërit – si më lart. Dhimbje kronike e veshit – inflamacioni i fytit nga refluksi i acidit mund të prekë tubin e Eustakit të veshit të mesëm duke dhënë dhimbje.

Dhimbje gjoksi djegëse

Të përzierat dhe gromësitjet Sinusiti – acidi mund të gjejë rrugën nga fyti në sinuse

Si diagnostikohet

Një histori e detajuar e refluksit në ezofag Ekzaminime të dobishme Skopi me barium Manoetria e ezofagut – matja e presionit në ezofag Monitorimi 24 orë i pH – matja e aciditetit të ezofagut Ezofagogastroduodenoskopia – futja e një tubi të holle me kamera në ezofag dhe stomak e duoden. Në përgjithësi endoskopia bëhet kur:

Pacienti nuk i përgjigjet trajtimit Ka simptoma të rrezikshme si: disfagia/ vështirësia në gëlltitje, anemi, gjak në feçe, marrje fryme, rënie në peshë, ndryshim të zërit

Komplikacionet e sëmundjes gastroezofageale

Striktura/ngushtimi

Ezofagu i Barret

Spazmat e ezofagut

Ulcerat e ezofagut

Kanceri i ezofagut, sidomos në adultët mbi 60 vjeç

Trajtimi

Trajtimi synon

A. parandalimin e refluksit:

1. rënia në peshë për obezët

2. terapi e pozicionit

a. gjumi në pozicion kthyer në anën e majtë ul në mënyrë drastike episodet e refluksit

b. ngritja e kokës së krevatit është gjithashtu e efektshme.

Ngritja duhet të jetë të paktën 15-20 cm për të parandaluar kthimin mbrapsht të lëngjeve të stomakut

Disa ushqime duhet të shmangen për të parandaluar refluksin gastro-ezofageal:

Kafeja

Alkooli

Ushqimet acide si domatet, portokallet dhe sasia e ekzagjeruar e vitaminës C

Antiacidet me bazë karbonat kalciumi aktualisht e rrisin aciditetin e stomakut

Ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre – vonojnë zbrazjen e stomakut

Pijet me gaz, me ose pa sheqer

Çokollata Zarzavatet e familjes crucifere: qepët, lakra, lulelakra, brokoli, spinaqi

Qumështi dhe produktet me bazë qumështi, që përmbajnë kalcium dhe yndyrë

Ngrënia e vakteve brenda 2 orësh nga koha e fjetjes

Vaktet e mëdha (vaktet e vogla ulin rrezikun e refluksit)

Përdorimi i duhanit ul kompetencën e sfinkterit të poshtëm të ezofagut, prandaj duhet shmangur

Qëndrimi përkulur Shmangni stresin

Neutralizimi i refluksit të acidit gastrik

Trajtimi me barna

Frenuesit e pompës protonike janë ilaçet më të mira që përdoren për uljen e sekretimit të acidit gastrik (esomeprazole, lansoprazole, pantoprazole).

Antiacidet (ato të lëngshmet shpesh më të efektshme se tabletat)

Acidi alginik (Gaviscon) mbron mukozën si dhe rrit pH dhe pakëson refluksin).

Bllokuesit e receptorëve H2, si ranitidinë, ulin sekretimin e acidit gastrik. Sucralfati është përdorur për të ndihmuar në shërimin dhe parandalimin e dëmtimit të ezofagut nga refluksi, megjithatë duhet marrë disa herë në ditë dhe të paktën dy orë larg vakteve dhe medikamenteve të tjera

Trajtimi kirurgjikal

Ka metoda të ndryshme kirurgjikale, të kryera endoskopikisht apo me laparoskopi për trajtimin e shkaqeve të sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal.

Si parandalohet sëmundja e refluksit gastro-ezofageal

Është një sëmundje kronike, kështu që trajtimi zgjat gjithë jetën dhe rikthimi është i zakonshëm. Parandaloni duke limituar: ushqimet acidike, si qitrot, portokallet, domatet apo uthullën. Ushqimet pikante – specat djegës.

Shmangni qëndrimin shtrirë për 2-3 orë pas vakteve. Përdorni mish pa yndyrë dhe ushqime pa yndyrë.

Shmangni ushqimet që nxisin refluksin – çokollatë, mente, agrume, domate, spec, uthull, ketchup dhe mustardë Shmangni pijet që nxisin refluksin – si pijet me alkool, kafeinë dhe ato të gazuara. Hani vakte më të shpeshta, por më të reduktuara dhe shmangni stresin. Mundohuni të keni një stil jete të shëndetshme.

KANCERI I STOMAKUT

Kanceri i stomakut (i quajtur gjithashtu kancer gastrik) është rritja e qelizave jonormale në mukozën/veshjen e stomakut, të cilat pësojnë ndryshim dhe shumohen duke dhënë zhvillim të kancerit të stomakut. Kanceri i stomakut mund të përhapet në organet përreth tij si mëlçi, pankreas dhe zorrë. Nëse këto qeliza arrijnë në qarkullimin e gjakut mund të shpërndahen në tru, kocka dhe veshka.

Faktorët e rrezikut

Infeksioni kronik me helicobacter pylori. Ky bakter gjendet në stomak dhe shkakton ulcera të stomakut dhe kancer të stomakut.

Historia familjare me kancer stomaku

Konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të konservuara apo tymosura si zarzavatet, peshku dhe mishi i kriposur. Nga gatimi i tyre çlirohen nitrozamine –lëndë kancerogjene

Ndërhyrje e mëparshme kirurgjikale e stomakut me heqjen e një pjese të tij

Anemia pernicioze – një çrregullim gjaku i rrallë

Duhanpirja

Meshkujt preken më tepër se femrat

Mosha mbi 50 vjeç Njerëzit me grup gjaku A kanë risk më të lartë

Diagnostikimi

Historia mjekësore dhe një ekzaminim i plotë fizik

Eko e barkut, për të zbuluar shkaqet e tjera që shkaktojnë dhimbje në bark Gastroskopi: ekzaminimi me një tub të hollë me kamera që futet nga goja në stomak

Biopsi: gjatë gastroskopisë, merret një copëz indi i dyshimtë nga stomaku për t’u ekzaminuar në mikroskop për qeliza kanceroze.

Trajtimi i kancerit të stomakut Trajtimi për kancerin e stomakut mund të përfshije kirurgjinë, kimioterapinë ose radioterapinë, ose kombinim të tyre. Zgjedhja e trajtimit varet nëse qelizat kanceroze lokalizohen vetëm në stomak apo janë të përhapura në pjesë të tjera të trupit. Mosha dhe gjendja shëndetësore e pacientit po kështu do të ndikojë te zgjedhja e trajtimit.

Si parandalohet kanceri i stomakut

Nuk ka mënyrë për të parandaluar kancerin e stomakut. Megjithatë, ju mund të ulni riskun duke: pasur një stil jete të shëndetshme, mospërdorimin e alkoolit dhe duhanit, shmangien e ushqimeve të konservuara, trajtimin e infeksionit të stomakut nga helicobacter pylori, dieta e pasur me fruta dhe perime të freskëta dhe vitamin C.

sks

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura