Flet mjekja: Artriti reumatoid, pse nuk mund të mjekohet nga vetë pacienti

Oct 29, 2018 | 18:27
SHPËRNDAJE

Deformimet në kyçe, prekja e zemrës dhe mushkërive, çrregullimet e ankthit, humorit dhe gjumit janë disa nga komplikacionet më të shpeshta të artritit reumatoid. Mjekimi në kohë bën të mundur parandalimin e tyre, duke mundësuar një jetë sa më cilësore për pacientët. Mjekja reumatologe Blerina Dhamo këshillon që të mos neglizhohet asnjë dhimbje kyçesh, që zgjat mbi 6 javë.54545

Sipas saj, vetëm përmes një skeme mjekimi korrekte mund të arrihet në rezultatet që duam. Nga vendosja e kompresave të ftohta në raste të dhimbjeve deri te kontrollet rutinë janë jo pak këshilla të vlefshme, që duhen marrë në konsideratë. Trajtimi apo çdo tentativë për ta mjekuar sëmundjen pa ndihmën e një specialisti, nuk do të sillte gjë tjetër veçse përkeqësim të situatës pa përjashtuar këtu edhe pasojat fatale.

“Artriti reumatoid kurrsesi nuk mund të mjekohet nga vetë pacienti. Është sëmundje shumë komplekse, medikamentet e përdorura nëse merren pa kriter mund të kenë pasoja deri në fatale për pacientin ose nëse nuk merren në dozën dhe intervalin e duhur nuk veprojnë në organizëm”, vë në dukje doktoresha.

Artriti reumatoid është një sëmundje që nuk prek vetëm kyçet, por edhe organet e tjera si, zemrën, veshkat dhe mushkërinë. Çfarë ndodh nëse nuk mjekohet në kohë? Pra, cilat janë komplikacionet?

Njësoj si shumë sëmundje të tjera, që nëse zbulohen dhe mjekohen herët suksesi në trajtim dhe parandalimi i komplikacioneve është i pritshëm, ashtu dhe artriti reumatoid, nëse dignostikohet në muajt e parë, pacienti do bëjë një jetë më cilësore në sajë të parandalimit të komplikacioneve. Imagjinoni një pacient që vjen te mjeku kur sëmundja tashmë i ka deformuar kyçet, ka prekur mushkërinë, zemrën etj.. Sigurisht që pritshmëria e suksesit të terapisë është e vogël, por mbi të gjitha ky individ është kthyer tashmë në një invalid. Dua të theksoj se flasim për mosha që janë aktive, femra ose meshkuj 40-50 vjeç. Komplikacionet më të shpeshta të artritit reumatoid janë deformimet në kyçe, sëmundja e osteoporozës, që shton riskun për fraktura. Shumë pacientë humbasin vendin e punës për shkak të këtyre komplikacioneve. Prekja e zemrës dhe mushkërive janë komplikacione më të rralla, për fat të mirë, por shumë të rëndësishme në përcaktimin e jetëgjatësisë së pacientit.

Një komplikacion tjetër, që anashkalohet, janë dhe çrregullimet e humorit, ankthit, gjumit. Pacientët me dhimbje kronike nga artriti janë të lodhur nga situata e tyre shëndetësore dhe kanë më shumë mundësi të bëjnë këto komplikacione. Mjeku duhet të vlerësojë me shumë kujdes dhe anën psikologjike të pacientit. Femrat dhe meshkujt, që janë në moshë riprodhuese dhe mjekohen për artrit, duhen informuar mbi rrezikun që ka sëmundja dhe medikamentet e artritit në sferën e shëndetit riprodhues. Disa nga këto medikamente janë të sigurta, por disa të tjera duhen ndërprerë para konceptimit të shtatzënisë ose gjatë saj, pasi kanë efekte negative mbi embrionin. Për fat të mirë, sot në sajë të rritjes së informimit dhe mjekimeve të reja për artritin, pacientët kanë filluar të ndërgjegjësohen mbi sëmundjen dhe pasojat e saj.rhematoid

Mjekimi në mënyrë të pavarur, hera-herës edhe larg konsultimit me një specialist, sa prezent është dhe çfarë pasojash mund të sjellë?

Artriti reumatoid kurrsesi nuk mund të mjekohet nga vetë pacienti. Është sëmundje shumë komplekse, medikamentet e përdorura nëse merren pa kriter mund të kenë pasoja deri në fatale për pacientin ose nëse nuk merren në dozën dhe intervalin e duhur nuk veprojnë në organizëm. Sa frekuent është si fenomen, nuk mund t’ju jap një shifër të saktë, pasi duhet bërë një studim për këtë gjë. Mund të them, se kryesisht në fazat e para ka shumë pacientë që ndjekin udhëzimet e “doktor GOOGLE”. Dhe pasi e ndiejnë që situata del nga kontrolli, vijnë tek ne. Përgjithësisht, pasi mjeku e sqaron mirë pacientin mbi sëmundjen dhe terapinë që duhet të marrë, shumica fitojnë besimin dhe ndjekin rregullisht këshillat mjekësore.

Si trajtohet kjo sëmundje për t’u mbajtur nën kontroll?

Që sëmundja të kontrollohet, do të thotë që pacienti të jetë pa dhimbje, por nën mjekim të rregullt. Kjo i siguron atij një jetë si gjithë njerëzit e tjerë. Por që të arrijmë në këtë pikë, duhet të merret sa më saktë historia e sëmundjes, të vizitohet i sëmuri me shumë kujdes, të informohet pacienti mbi mjekimet që do përdorë, sa herë dhe në çfarë doze dhe, mbi të gjitha, të informohet mbi efektet e mundshme anësore. Nëse pacienti shkon te mjeku një herë në 2-3 muaj është e mjaftueshme për ta mbajtur situatën nën kontroll. Medikamentet, që përdoren sot për artritin, mund të jepen nga goja ose me injeksione venoze apo nën lëkurë. Ekzistojnë disa prej tyre, që përdoren sot në vendet jashtë Shqipërisë. Për fat të keq, jo të gjitha medikamentet ndodhen në vendin tonë. Shumë pacientë detyrohen t’i blejnë ato jashtë shtetit.

Çfarë do të këshillonit ju?

Këshilla kryesore është mos të neglizhojnë asnjë dhimbje kyçesh, që zgjat mbi 6 javë dhe të shkojnë te mjeku reumatolog, pasi ai është i duhuri për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Mjekimet duhen marrë rregullisht, pa harruar kontrollin një herë në dy tre muaj. Të ndalojnë duhanin nëse janë duhanpirës dhe të tentojnë rënien nga pesha me dietë të rregullt ushqimore dhe aktivitet fizik. Të përdorin kompresat e ftohta në raste të dhimbjeve deri sa të shkojnë te mjeku. Për femrat me artrit do t’u këshilloja qe në ambientet e kuzhinës të përdorin pajisje të përshtatshme si p.sh. tigan me bisht të trashë ose doreza mbrojtëse. Moshat e treta duhen të kenë shumë kujdes gjatë ecjes në sipërfaqet e rrëshqitshme dhe të lagura si p.sh. tualeti për të shmangur rrëzimet. Nëse sëmundja tashmë i ka deformuar kyçet, është shumë më e sigurt të përdorin paterica ose mbështetëse, që t’u sigurojnë lëvizje më të sigurt. Pacientët në moshë, që duan të bëhen prindër, duhen të këshillohen paraprakisht me reumatologun për t’u informuar mbi rreziqet dhe për medikamentet që mund të përdorin në këtë situatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura