Flet mjekja Ada Myrto, trajtimi me medikamente: Koliti, të eliminohet marrja e qumështit dhe kafeinës

Feb 2, 2017 | 10:14
SHPËRNDAJE

Koliti, apo sindroma e zorrës së irrituar, është një nga patologjitë që haset më shpesh në popullatë. Burimi kryesor i kësaj sëmundjeje është kequshqyerja. Sipas mjekes gastrohepatologe, Ada Myrto, ndër elementet e dietës që e ndihmojnë më shumë pacientin janë përdorimi i fibrave dhe marrja e sasive të bollshme të ujit, rreth 6-8 gota në ditë. Por, nga ana tjetër, duhet që të shmanget kafeina, qumështi dhe nënproduktet e tij, si edhe ushqimet pikante.

“Duhet të provohet të eliminohen nga dieta, të paktën për disa javë, përdorimi i glutenit që gjendet në produktet e grurit, elbit dhe thekrës, të eliminohet marrja e qumështit dhe nënprodukteve të tij, produktet ushqimore pikante (speci djegës, piperi, erëzat), lëndët alkoolike, lëndët me gaz dhe lëndët me përmbajtje kafeine. Por duhet pasur parasysh se jo çdo ushqim apo medikament që është efikas te një pacient, mund të jetë dhe te tjetri, prandaj i kërkohet pacientit të provojë sa më shumë me ushqimet dhe të vlerësojë ato që e ndihmojnë dhe e anasjella”, bën me dije doktoresha.

Kujdes duhet të tregohet edhe gjatë konsumimit të vakteve, mbi mënyrën se si hamë. “Rekomandohen vakte jo të bollshme, pacienti duhet të përtypë ushqimin ngadalë, të mos flasë gjatë ushqyerjes, për të ulur mundësinë për të gëlltitur ajër. Duhet të stimulohet shumë kryerja e aktivitetit fizik, gjë e cila ka një ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e stresit dhe në lëvizjet e zorrës”, pohon mjekja.

Koliti duhet thënë nuk shfaq dëmtime të rënda në zorrë. Pjesa më e madhe e njerëzve mësohen të bashkëjetojnë me simptomat, duke iu përmbajtur një diete korrekte, duke përdorur medikamente dhe duke u munduar të eliminojnë stresin. Duke qenë se sistemi nervor luan rol kyç në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, kjo sindromë ka tendencën që të qetësohet pas kalimit të stresit psikologjik të pacientit.

zorret

MBI KOLITIN

Sindroma e zorrës së irrituar prek atë segment të traktit tretës që quhet zorra e trashë. Zorra e trashë, sipas mjekes gastrohepatologe, është një segment rreth 1.5 metër i gjatë, në këtë pjesë përthithet kryesisht uji dhe lëndët minerale me prejardhje nga zorra e hollë. Lëvizshmëria e zorrës së trashë kontrollohet nga nervat dhe nga hormonet që bëjnë të mundur kontraktimin e muskujve të zorrës, duke bërë të mundur eliminimin e feçeve dhe gazrave nga organizmi. “Në një pacient të prekur nga sindroma e zorrës së irrituar, lëvizjet e zorrës mund të jenë shumë të ngadalësuara dhe pacienti paraqitet me një tablo klinike, ku mbizotërojnë: vështirësia për të defekuar, defekimi i rrallë, ndjesia e fryrjes së barkut dhe dhembjet.

Një tjetër pacient i prekur po nga kjo sindromë mund të paraqitet me një tablo klinike ku mbizotërojnë: diarreja, krampet dhe mukusi në feçe. Zakonisht periudhat e diarresë dhe ato të konstipacionit alternohen gjatë një viti. Ajo që është tipike për sindromën e zorrës së irrituar është dhembja, e cila zakonisht lehtësohet pas defekimit. Dhembja është zakonisht e lokalizuar në pjesën e poshtme të barkut. Pacienti nuk paraqet rënie në peshë, nuk paraqet temperaturë dhe as defekim me gjak”, sqaron më tej doktoresha. Sindroma prek më shpesh femrat dhe në gjysmën e rasteve simptomat fillojnë të shfaqen para moshës 35 vjeç. Te pacientet e prekur nga koliti, muskujt e zorrës nuk kontraktohen siç duhet dhe lëndët që përmban zorra nuk lëvizin siç duhet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura