Flet ministrja/ Ndryshojnë dokumentet për pensionet me KEMP, ja ç’duhet

Feb 21, 2018 | 21:00
SHPËRNDAJE

Për të përfituar pagesën e paaftësisë për punë, nuk do të jetë më e nevojshme që qytetarët t’i drejtohen KMCAP. Me miratimin e rregullores së re, dosja e aplikimit do të dorëzohet elektronikisht nga mjeku dhe përgjigjja do të dërgohet në shtëpi nga administratori shoqëror.

manastirliu

Gjatë një takimi me strukturat e shëndetësisë dhe shërbimit social në të gjithë vendin, ministrja Manastirliu shpjegoi ndryshimin e procedurave, duke vënë në dukje se kjo praktikë do të sjellë edhe reduktim të numrit të dokumenteve.

“Nëse ne kemi bërë një revolucion me procedurën e pagesës së aftësisë së kufizuar, ku qytetarëve nuk do t’u kërkohen më 8 dokumente, por vetëm 2 për të aplikuar për në KMCAP dhe nuk do të jetë më e nevojshme që ata të paraqiten fizikisht, por dosja e tyre do të përcillet nga ndërveprimi institucion me institucion. Për këtë, duhet që ju të garantoni zbatimin me përpikëri të këtyre ndryshimeve, që kursejnë sorollatjet e qytetarëve me aftë- si të kufizuar nga njëra zyrë shteti në tjetrën”, tha Manastirliu.

Kështu, për të përfituar KEMPI-n, dosja përveç fletëdrejtimit për në KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) duhet të ketë edhe analizat dhe ekzaminimet e kryera. Kjo vlen për ata që dalin për herë të parë, ndërsa për ata që rikomisionohen, epikriza përcjellëse shoqërohet me analiza dhe ekzaminime shtesë që janë kryer në vijimësi. “Vetëm nga procedurat e reja për aplikim pranë KMCAPsë, u kursyen rreth 40 orë sorollatje për çdo qytetar që komisionohej dhe minimalisht 47 milionë lekë në total, që shpenzoheshin nga qytetarët, vetëm si kosto transporti”, vuri në dukje ministrja.

AFATET

Ndryshime kanë pësuar edhe afatet e daljes në komision. Në rastin e personave me aftësi të kufizuar dhe të verbërve, koha e rivlerësimit do të jetë 1, 3, 5 vjet dhe përgjithmonë. “Për kategorinë e përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar me diagnoza të përhershme, që deri dje detyroheshin të rikomisionoheshin çdo vit, vendosëm rikomisionimin 3-5 vjet, duke kursyer 16 orë sorrollatje dhe minimalisht 1 700 lekë”, shpjegoi ministrja e Shëndetësisë.

Ndërsa për ata persona që KMCAP i shpall të aftë për të punuar, koha e përfitimit të kempit do të jetë vetëm 48 muaj, me qëllim riintegrimin e tyre në tregun e punës dhe shkëputjen nga skema e mbështetjes financiare.

BARNAT ME RIMBURSIM

Lehtësira pritet të ketë edhe për skemën e barnave me rimbursim. “Në fazën e dytë do të rishikojmë disa procedura të tjera, siç është thjeshtimi i procedurës së rimbursimit të barnave të shtrenjta që pacientët të mos sorollaten nga rrethet drejt Tiranës për firma e vula pa fund, por të marrin shërbimin pranë vendbanimit”, u shpreh Manastirliu.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura