Flet mikesha e Alba Çobaj të “BB8”: Alba, trasgresivja që pëlqen motorët dhe tatuazhet

Mar 16, 2015 | 11:58
SHPËRNDAJE

Në foto: Alba me miqtë e saj
Mund të konsiderohet trasgresivja e “Big Brother 8” 24-vjeçarja nga Tirana, Alba Çobaj. Flokë të shkurtër, tatuazh në krahun e majtë, e veshur me lëkurë, e apasionuar pas motorëve dhe mjaft energjike. Për të gjitha sekretet e menaxheres së një klubi nate në Tiranë, afrimitetin që në javën e parë me banorin tjetër Fationin dhe famën që synon në televizion, flet mikesha e saj më e afërt, Eni Bano.
Sa e lidhur je me Albën, ia di sekretet asaj?
Ne jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Alba gjithnjë është e rrethuar nga shoqëria e saj. Dalim, drekojmë, darkojmë, por shpeshherë mblidhemi edhe në shtëpitë tona, gatuajmë e diskutojmë gjërat e ditës ose shohim ndonjë film. Natyrisht ia dimë sekretet njëra-tjetrës.
Në skedën e prezantimit thuhet se Alba është vajzë e vetme me prindër të pasur. Çfarë jete ka bërë ajo deri tani?
Alba është fëmijë i vetëm dhe, për sa i përket pasurisë familjare, kjo është çështje personale, që edhe ne si shoqëri dimë pak. Mund të them që Albës kurrë s’i ka munguar gjë. Edhe pse pavarësisht kësaj ka filluar të punojë që në moshe të vogël, sepse është vajzë ambicioze dhe i pëlqen ta sfidojë jetën.
Shumë e kanë komentuar si tip djali. Ka marrë ndonjëherë ngacmime nga femrat?
A e ka ngacmuar ndonjë femër? Ndoshta, s’më vjen ndërmend ndonjë histori tani (qesh).
Sa tërheqëse është Alba për gjininë mashkullore?
Për meshkujt ka qenë gjithmonë shumë tërheqëse si nga pamja e jashtme, ashtu edhe për tipin e saj.
Ka përjetuar ndonjë histori të bukur dashurie apo që vazhdon ndërkohë jashtë shtëpisë? Ç’mund të na tregosh për jetën e saj sentimentale?
Për histori të bukura dashurie i mbetet asaj t’i rrëfejë. Siç ka thënë dhe vetë brenda shtëpisë, ajo hyri “single” dhe do të dalë “single”. Me sa e njoh unë, jam e sigurt që s’do krijojë lidhje aty. Por kurrë mos thuaj kurrë, kështu që ngelet për të parë.
Ndërkohë që në javën e parë, ajo po përflitet se ka filluar të ndiejë për Fationin, pikërisht djalin që refuzoi të bëhej çift në “BB”. Njiheshin më parë?
Ndjenjë për Fatjonin?! Jooo. Jam e sigurt që s’ka asnjë lloj ndjenje, përveç shoqërisë në shtëpi. Sa për njohjen para se të hynin në lojë, them jo. Por pesë ditë para se të niste “Big Brother”, rastësisht janë takuar në një dyqan te TEG, duke provuar veshje. Dhe ajo e kujtoi menjëherë. Madje, kur hynë në shtëpi, reagimi i saj ndaj Fationit ishte: “Uaa ti që po blije rroba atë ditë në Teg, e more atë këmishën? …” Kjo ishte njohja.
Nga pamja të lë përshtypjen e vajzës së ekstremeve. Mund të na rendisësh disa hobe të tjera të saj?
Përveç motorëve ka hobi tatuazhet, librat, muzikën (sidomos atë klasike, edhe pse s’ta lë përshtypjen), si dhe gjuhët e huaja, degë për të cilën studion.
Cili është kuptimi i tatuazhit që ka në krah?
Ka pikturuar një gejshe, sepse njihen në histori për sensualitetin e tyre dhe shpirtin artistik, por si të tilla paragjykohen shumë në shoqëri. Alba e gjen shumë veten te ky tatuazh, sepse është shumë e ndjeshme dhe me shpirt të madh artistik e ndonjëherë paragjykohet në pamje të parë.
I ka ajo paratë qëllim në vetvete?
Si çdo njeri normal, po. Por për Albën paraja nuk është gjithçka. Nëse ka pasion diçka edhe me të vërtetë e dëshiron, ajo e bën qoftë edhe pa para fare.
Ëndrra e saj më e madhe?
Ëndrra më e madhe e Albës është bota e televizionit. E ka ëndërruar gjithmonë dhe është e sigurt në atë që do.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura