Misticizmi mbështjell gjithë jetën e saj. Një fejesë që në djep, pamundësi për të mbetur nënë, mrekullia e Dede Ahmetit, ëndrrat që e shoqëruan në momentet më kritike. Historia e lindjes dhe jetës së Baba Mondit, kreut të Kryegjyshatës Botërore, rrëfyer nga e ëma, Merushe Brahimaj
E fejuar që kur ishte dy vjeçe, Merushe Brahimaj nuk pati kurrë dyshime për atë që do të bëhej më pas bashkëshorti i saj. Ata i përkisnin të dy të njëjtës botë, ishin banorë të të njëjtit fshat dhe martesa që do të ndodhte kur ajo ishte rreth të 18-ave do të ishte kurorëzim pa fjalë i asaj çfarë vite më parë vendosën gjyshi i saj dhe vjehrri i ardhshëm. Kjo martesë, e cila në fillim u duk se nuk ishte e bekuar me fatin e mëmësisë, do të kishte yllin e vet mbrojtës. Rrëfimi i mëposhtëm ngjan me një histori mistike, që mbase prej shumëkujt mund të duket dhe i pabesueshëm, por është një rrëfim i sinqertë i një njeriu praktikant dhe plot besim në bektashizëm. Është historia e sjelljes në jetë të njeriut, që sot është në krye të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondit (Haxhi Baba Edmond Brahimaj)…
Jeni nëna e njeriut që sot është në krye të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si ju bën të ndiheni ky fakt?
Unë e dija që ai do të ishte i kësaj “bote” që para se të lindte. Katër vjet pasi u martova, nuk linda fëmijë. Nuk mund të lindja. Shkova te tre mjekët më të mirë të kohës, të cilët më thanë që nuk mund të lindja fëmijë. Atëherë i thashë tim shoqi: Ti je djalë i vetëm dhe nuk ke fëmijë. Unë nuk mundem të të jap, ndaj martohu! “Po pse, do që të të lë për një fëmijë? Si do të rrish ti? Do ta gjejmë dhe fëmijën. Marrim një fëmijë, ose marrim motrën (ime vjehrrë sapo kishte lindur një vajzë, që ishte nëntëmuajshe) dhe e hedhim mbi veten”, më tha.
Por ju nuk i kishit humbur shpresat apo jo…?
Im shoq më tha që të shkoja në Kryegjyshatë, të takoja Dede Ahmetin. I treguam Dedeit që isha e sëmurë. Nuk isha as për burrë, as për shtëpi. Nuk ndihesha mirë. Më dhembte koka, barku. Megjithatë, trupin e kisha të lidhur dhe Dedei tha: “Do ta rregullojmë! Ikni sonte dhe për tri ditë Merushja do të vijë prapë këtu”. Pas tri ditëve, shkuam te shtëpia e vëllait të Dede Ahmetit, qëndrova për tre vjet. Kur u largova nga fshati e sëmurë. Sapo shkova te Dedei, mbeta shtatzënë që të nesërmen. Dedei më dha dhe një nuskë me vete, që ta mbaja. “Se ti do të ikësh, tha, ashtu dhe unë”. Dhe vërtet, shumë shpejt unë ika dhe ai u largua nga Tirana, shkoi në Drizan, në Mallakastër. U ktheva përsëri në Bratanj, kur isha tremuajshe shtatzënë me Baba Mondin. “Do të të jap këtë nuskën, më tha, dhe këtë fëmijë do ta kesh edhe për vete, edhe për mua”. Në atë kohë, Dede Ahmeti ishte kryegjysh.
Pas kësaj “mrekullie”, erdhi në jetë Baba Mondi…
Nuk ishte e lehtë si shtatzëni. Megjithatë mjekët u habitën të gjithë dhe nuk u besohej, kur më panë gjashtëmuajshe shtatzënë. “Mos u çudit doktor, i thashë, se Perëndia është e madhe. Ju shkurtoni dhimbjet, të këqijat, por Zoti është një”. Ishte shtatzëni e çuditshme. Villja gjak, nuk haja bukë. Më kujtohet që ngrita njëherë një shtamë me ujë në dorë dhe më pas, më filloi hemorragjia për tri ditë e për tri net. Unë qaja. E vetmja gjë që më mbante ishte besimi te Zoti. Më kujtohej ajo çka më tha Dedei që “ky fëmijë është dhe për ty, dhe për mua”. Duke qarë, u shtriva në dhomën time dhe më zuri gjumi. Pashë një ëndërr të çuditshme, por kur u zgjova, ndjeva që fëmija lëvizte në bark. Kjo është historia e Baba Mondit, i cili pati një lindje shumë të vështirë dhe një fëmijëri jo edhe aq të shëndetshme.
Nga sa tregoni, bashkëshorti ju ka dashur, pavarësisht se mund të mos bëheshit nënë. Si jeni njohur?
Fejesa ime u bë mes gjyshit tim dhe vjehrrit tim. Unë kam qenë dy vjeçe dhe burri katër vjeç. Familjet njiheshin, ishim nga i njëjti fshat, Bratanj. Kur isha dy vjeçe, shkova një ditë te vjehrri, që kishte një qostek të bukur me sahat dhe i mora qostekun. Atëherë, vjehrri im i tha gjyshit: Ta marr këtë për djalin? Të qoftë falë, i tha gjyshi im dhe nuk e pyeti babain tim fare. Para se burri im të shkonte në shkollë të lartë, u pyetëm të dy në shtëpi nga prindërit, nëse do të martoheshin. Unë nuk u ndjeva. Kurse burri im, Hyseni, tha: Unë jam dakord! Prenë ditën e dasmës më 15 korrik. Në maj mbusha 18 vjeçe, në korrik u martova. Ishte viti i kooperativës, 1957. Siç ishin zakonet, bëra pajën e gjërat gati dhe u martuam. Gjysmën e rrugës e bëra me kalë me shalë, gjysmën me makinë. Shkova nuse me vello dhe jo me cipë, siç martoheshin atëherë. Dasma zgjati tri ditë dhe tri net. Vetëm 15 ditë ndenja e martuar me burrin. I doli shkolla e lartë dhe iku në Tiranë. Biseduam bashkë të dy atë natë para se të ikte. Pasnesër zihej matemi dhe burri im nuk duhej të flinte me mua gjatë atyre ditëve. Ai kishte qenë muhin që 15 vjeç dhe i ndiqte gjithë ritet. Do të largohej që të nesërmen për në shkollë në Tiranë. Hyseni ishte i shqetësuar. “Ti ke një hall, i thashë. Por mos ki merak, nëse jam me fustan do të vesh pantallona. Do të punoj me gocat. Pesë vjet janë ato”. Kishte merakun që do të mbetesha vetëm. “Kam Zotin me vete, vjehrrin e vjehrrën”, i thashë. Kështu iku ai.
Siç dhe rrëfeni, keni qenë një familje që i keni ndjekur zakonet dhe ritet fetare, edhe gjatë kohës së regjimit komunist. Keni pasur frikë në atë periudhë se mos u dënonin apo pësonit gjë?
Po. Ne kemi pasur Dedej në shtëpi. Spiunët i kemi pasur poshtë pallatit, njëri madje ka qenë dhe dervish e më pas u zhvesh. Asnjëherë nuk mbetëm pa bërë hashuren. Njëherë shkonim e bënim në Pazar të Ri, te shtëpia e Gani Qeses, njëherë në Shkozë te motra e Baba e Reshatit, e njëherë te shtëpia jonë. Kur na pyesnin se ç’bënim, pasi rrinim zgjuar e këndonim deri në 02:00 të natës, i thoshim që është ditëlindja e Armandit, e Dallëndyshes apo e Mondit e kështu me radhë. Kujtoj që në kohën e komunizmit, Dede Ahmeti ka qenë në Krujë. Ishte në mos gaboj viti ’73. Partia në atë periudhë donte ta largonte Dede Ahmetin e ta sillnin në Tiranë, te i vëllai. Hyseni që e mori vesh i tregoi për këtë gjë. Ai e çoi nga Tirana, në Bratanj. Meqë bëri këtë lëvizje, Hysenin e lëvizën nga vendi i punës. Në atë periudhë, im shoq punonte në Ministrinë e Industrisë së Minierave dhe për qarkullim e çuan në Kurian të Fierit, si llogaritar të thjeshtë. Po në këtë periudhë, në vitin 1976, na ka vdekur edhe vajza e vogël.
Mendoni se edhe vdekja e vajzës ka qenë një lloj “dënimi” nga sistemi, një lloj “vrasjeje e paramenduar”?
Ajo ishte shtatë vjeçe. U dogj në shtëpi, vetëm për 45 minuta kur ne nuk ishim atje dhe atë e kishim lënë në gjumë. Mënyra se si u dogj, është enigmë. Për mua vdekja e vajzës ka qenë e qëllimshme.
Gjatë periudhës së komunizmit, djali juaj, Baba Mondi, ka shërbyer si oficer. Si mund të ishte një ushtarak praktikant feje?
Oficer e çova unë, se nuk më jepej e drejta për djalin e vogël, i cili studioi për inxhinieri ndërtimi, që të vazhdonte shkollën e lartë. Mbaj mend që në ato vite, kur ishte koha e Fekenit, djali vjen e më tregon një fotografi të Imam Aliut, duke më pyetur: “Të pëlqen? Të jap llaf”? “Ç’llaf more, i thashë, ti je në kufi!” “Nuk i di gjërat ti”, më tha. “Për ashtu u nise në bark, por me këtë kohë!”, psherëtiva. Që në periudhën e komunizmit, baba Mondi mori fotografinë e Dedeit dhe e vendosi në repart, fotografinë e babait dhe me radhë. Kur e pyetën: Ç’e ke këtë, ai u tha: I kam gjak, xhaxhallarë! Në atë periudhë, kaluan kufirin dy-tre vetë dhe atij i thanë që t’i vriste, por ai bëri sikur nuk i pa dhe i la të largoheshin. Atëherë e morën në hetuesi. Për fat nuk pati pasoja më tej dhe Baba Mondi e la vetë rrobën e oficerit, u zhvesh.
Si e pritët momentin kur ai fillimisht u vesh dervish?
Ai ndenji dy vjet dervish. Unë nuk e dija dhe doja ta fusja te Skënder Gazheli, si kasap. Dede Ahmeti më kishte thënë: “Do të hapet teqeja, por jo tani që jam unë, por kur të udhëtoj unë. Këto libra që të kam dhënë unë, ruaji”, duke parashikuar këtë ditë. Kur u dogj vajza, kisha librat dhe ato mendova. Baba Mondi gjithmonë kur vinte nga shërbimi, shkonte te Dede Reshati më parë dhe bisedonin. Çfarë flisnin, nuk e di. Por mund të them se kjo është dhunti e tjetërkujt. Nuk besova në ato vite se ai do të bëhej njeri i Zotit, se monizmi ishte shumë i keq. Ka qenë në vitin e fundit në Shkollën e Bashkuar, në vitin 1982, kur është veshur dhe atëherë ka qenë Baba Reshati. Ai më tha: “Do të ma japësh këtë djalë mua, do të ma falësh”. “Me gjithë qejf, të tre fëmijët tuajit janë”, iu përgjigja dhe ai më tha: -Të tjerët janë për ty. Unë dua atë.” Edhe kur ishte oficer, ai shkonte në Sarisalltik, në Krujë.
Si është marrëdhënia juaj si nënë e djalë?
Kemi qenë shumë afër. Ka qenë e është shumë punëtor e më ka ndihmuar shumë. Kur vinte nga shërbimi ku ishte oficer, i ndrisnin rrobat. Ka qenë shumë merakli.
Si nënë, ju erdhi keq që ai nuk krijoi një familje, të kishte grua, fëmijë?
Unë e dija këtë që kur ishte në bark, kur më tha Dede Ahmeti, por mirë nuk më erdhi. Deri në momentin e fundit megjithatë ka qenë sekret. Atë ditë që u vendos kjo, kam rënë tri herë pa vetëdije. Edhe Hyseni ka qarë shumë. Sepse mendoja çfarë vuajti Dede Ahmeti, Dede Reshati dhe thosha se ky djalë do të më vuajë, se kjo është një mënyrë prove, se këta e kanë provën shumë të rëndë dhe shumë të madhe.
Ka pasur më parë Baba Mondi histori njohjeje apo takime me vajza?
E kanë kërkuar për t’u martuar në shtëpinë time. Kanë ardhur edhe vetë vajza para se të vishej dervish, por ai nuk donte, nuk ka pasur mendje për njohje a martesë. Baba Mondi është rritur me këtë ide që herët. Të paktën që në ’85-n, kur vdiq Enver Hoxha, e kishte shfaqur idenë që do t’i përkushtohej kësaj gjëje.
Baba Mondi
Edmond Brahimaj ose Haxhi Baba Edmond Brahimaj është udhëheqës fetar dhe botëror (Kryegjysh) i Urdhrit Bektashi, një urdhër islamik sufi në Tiranë dhe në Ballkan. Pas vdekjes së Baba Tahir Emini, Baba Mondi ka qenë më parë në krye të Teqesë së Turanit në Korçë, ka pasur në mbikëqyrje Teqenë e Harabatit në Tetovë, Maqedoni. Në qershor 2011, Baba Edmond Brahimaj u zgjodh në krye të Urdhrit Bektashi.
Mrekullibërësi
Kryegjysh Dede Ahmeti e zhvilloi aktivitetin fetar dhe atdhetar nga viti 1948 deri në mbylljen e fesë nga diktatura. Në vitin 1945 shërbeu në Teqenë e Kuzum Babait në Vlorë me titullin “Baba” deri në vitin 1948. Në postin e lartë, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve me seli në Tiranë punoi për bektashizmin në Shqipëri dhe marrëdhëniet me teqetë në botë, pjesëmarrës në konferencat e paqes. Gjatë viteve 1958 – 1976 internohet në Drizar në Mallakastër së bashku me dervish dhe Haxhi Dedë Reshat Bardhin. Nga viti 1967 e deri në vitin 1980 jetoi në Tiranë, në mënyrë ilegale punoi për bektashizmin. Zotërues i gjuhës arabe dhe turke dhe përktheu shumë libra.
BLERINA GOCE