Flet komisionerja e BE: Celularët, ja pse Ballkanit i duhet një marrëveshje ‘roaming’

Nov 13, 2018 | 14:42
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Komisionerja për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale në Komisionin Europian, Marya Gabriel, e cila viziton sot Tiranën dhe do të takohet me drejtues të institucioneve shqiptare, shprehet në një intervistë për “Panorama”, se në zbatim të Axhendës Dixhitale, po punohet për uljen e tarifave roaming, e cila do të shtonte numrin e turistëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisionerja për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale në Komisionin Europian, Marya Gabriel
Komisionerja për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale në Komisionin Europian, Marya Gabriel

Sipas zonjës Gabriel, Shqipëria duhet të forcojë dhe të investojë në aftësitë e saj dixhitale dhe në administratën dixhitale për të ulur korrupsionin.

Zonja Komisionere, ju do të vizitoni Tiranën për t’u takuar me personalitete të nivelit të lartë të shtetit shqiptar. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor është një nga shtyllat kryesore të Strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, botuar në shkurt të vitit 2018. Pata kënaqësinë ta prezantoja zyrtarisht Agjendën Digjitale në Sofje, më 25 qershor, me udhëheqës nga të gjitha vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Kjo agjendë e re do t’i mundësojë BE-së të punojë ngushtësisht me fqinjët tanë për të kërkuar mënyrat më të mira për zgjerimin e përfitimeve të teknologjisë digjitale për qytetarët e rajonit nëpërmjet sjelljes së rezultate pozitive.

Si Komisionere Evropiane për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, është një kënaqësi e madhe për mua të jem në Tiranë, si pjesë e serisë së vizitave të mia në rajon. Gjatë vizitës sime, kam ndërmend të diskutoj me qeverinë tuaj mënyrën se si po zhvillohet digjitalizimi i ekonomisë dhe shoqërisë. Ne do të vlerësojmë së bashku se çfarë është e nevojshme për një zbatim të suksesshëm të Agjendës Digjitale. Jam e bindur se duke e zbatuar këtë strategji, Shqipëria dhe rajoni do të bëhen gjithnjë e më tërheqëse për investitorët dhe e gjithë kjo do të ndihmojë në arritjen e një rritjeje më të madhe dhe mundësive më të mira për qytetarët. Një çështje specifike që rrjedh nga Agjenda Digjitale është puna e vazhdueshme për uljen e tarifave roaming. Ne po punojmë për të zhvilluar një marrëveshje rajonale roaming, duke përfshirë gjashtë partnerët e rajonit, nga e cila do të përfitojnë të gjithë konsumatorët brenda rajonit, krahas përpjekjeve paralele për uljen e tarifave me BE-në. Kjo nuk do të arrihet brenda natës, por unë e di se dëshira ekziston, dhe rregullatorët evropianë dhe kombëtarë kanë rënë dakord ta monitorojnë këtë proces.

Gjatë vizitës time, kam ndërmend gjithashtu të diskutoj të gjitha fushat parësore për veprim në kuadër të Agjendës Digjitale. Veprime të tilla si ulja e kostos roaming, sigurimi i shtrirjes së bandës së gjerë në mbarë vendin, si dhe zhvillimi i shërbimeve eQeveria, eProkurimet, eShëndetësia do të ndihmojnë për modernizimin e Shqipërisë si dhe do t’i mundësojnë asaj të jetë plotësisht konkurruese, pas anëtarësimit, në Tregun e Përbashkët Digjital të Evropës. Për të qenë e suksesshme, Shqipëria duhet të investojë në aftësitë digjitale për njerëzit e saj, por të sigurojë gjithashtu edhe besimin dhe sigurinë digjitale, si dhe të rrisë digjitalizimin e industrive. Së fundmi, në përgatitje të anëtarësimit në BE, digjitalizimi do ta ndihmojë Shqipërinë që të miratojë me shpejtësi, si dhe të zbatojë dhe të vërë në jetë në mënyrë efektive të drejtën e BE-së.

Një nga plagët e tranzicionit shqiptar është korrupsioni në administratën publike. Kryeministri është angazhuar për reduktimin e nivelit të korrupsionit përmes modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve. Si i vlerësoni përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Agjendën Digjitale?

Po, me të vërtetë – korrupsioni kudo, dhe jo vetëm në organet publike, është një plagë që duhet trajtuar. BE-ja shpreson ta shohë në zbatim angazhimin e shprehur nga Kryeministri Rama për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Një administratë publike moderne, transparente dhe e digjitalizuar do të jetë kritike për të promovuar prosperitetin dhe vendin e ardhshëm të Shqipërisë në botë. Jam gjithashtu e kënaqur që Shqipëria po punon fort për të përgatitur anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Unë do të doja ta shihja Shqipërinë t’i përfundonte të gjitha dosjet prioritare. Ne, gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë nevojën që Shqipëria të konsolidojë progresin e bërë deri më tani për reformën gjyqësore, si dhe të japë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar.  

Sa do të ndikojë teknologjia në jetët e qytetarëve shqiptarë dhe a rrezikon ajo të rrisë nivelin e papunësisë? 

Sipas mendimit tim, teknologjia do të ketë një ndikim pozitiv në jetët e shqiptarëve. Nëse procesi i transformimit menaxhohet me kujdes, shqiptarët do të përfitojnë nga ky i fundit. Për ndërlidhjen, Shqipëria do të duhet të finalizojë procesin e vonuar të kalimit digjital dhe të rishikojë planin kombëtar të lidhjes me bandë të gjerë. Megjithatë, udhëheqja evropiane në informatikën me performancë të lartë apo në inteligjencën artificiale ka nevojë për shumë më tepër se ndërlidhja për të nxitur një transformim të suksesshëm të teknologjisë. Aftësitë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe trajnimi janë ndër prioritetet e mia më të mëdha, pasi, nëse njerëzit tanë – dhe veçanërisht gratë dhe vajzat – nuk janë gati për transformimin digjital, atëherë do të humbasim potencialin për të krijuar vende pune dhe kompani të reja. Jam e kënaqur të shoh pjesëmarrjen e madhe të Shqipërisë në aktivitetet më të fundit të Javës së Kodimit, por duhet bërë më shumë.

Shqipëria duhet të përqendrohet në pajisjen e qytetarëve me aftësi digjitale. Mungesa e diversitetit gjinor dhe prania e reduktuar femërore në fushën TIK do të sjellë efekte negative (si mungesat e aftësive) dhe mundësi të humbura (në drejtim të inovacionit dhe hapave të rinj në progresin teknologjik) për ekonomitë evropiane dhe shoqëritë në përgjithësi. Reduktimi kohët e fundit i përqindjeve të papunësisë në Shqipëri është i mirëpritur, por duhet bërë më shumë për të marrë vajza dhe gra në punë digjitale të përshtatshme dhe të mirëpaguara . Trajnimi i vajzave në shkollë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, si dhe në aftësi të tjera digjitale (të ashtuquajturat subjektet STEM) do të jetë kritike për krijimin e ardhshëm të vendeve të punës, rritjen ekonomike dhe sipërmarrjen. Për këtë arsye unë jam shumë e kënaqur të vizitoj zyrat e reja E-mma në Tiranë dhe të prezantoj këtë projekt që synon të promovojë diversitetin gjinor në fushën digjitale. E-mma punon në bashkëpunim me Microsoft, Google, RailGirls, Société Générale dhe kompani të tjera për të tërhequr më shumë vajza dhe gra për të fituar aftësi digjitale në Shqipëri.

Ne duhet të sigurohemi që shembujt femërorë në Shqipëri të mund të tërheqin më shumë sipërmarrës të rinj për të nisur kompanitë e tyre. Një studim i kohëve të fundit në BE mbi gratë në epokën digjitale, tregon një rënie shqetësuese të numrit të grave që zgjedhin të studiojnë tema që lidhen me TIK dhe që marrin vende pune në këtë sektor. Për çdo 1000 të diplomuara të arsimit të nivelit terciar në BE, vetëm 24 janë të diplomuara në fusha që lidhen me TIK dhe vetëm 25% e tyre përfundojnë duke punuar në punë digjitale. Nga ana tjetër, nga 1000 të diplomuar meshkuj, 92 kanë studiuar në fusha që lidhen me TIK, nga të cilët më pak se 50% e tyre përfundojnë duke punuar në punë digjitale. Një nga problemet kryesore me të cilat ndeshen gratë kur krijojnë një kompani të teknologjisë është mungesa e qasjes në kapital, pavarësisht faktit se investimet në bizneset e reja të krijuara nga femrat performojnë 63% më mirë sesa bizneset e reja të krijuara ekskluzivisht nga meshkujt. Për këtë arsye, Komisioni është i përkushtuar të punojë me Shqipërinë për të ndryshuar trendin dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e femrave në sektorin digjital.

Ndonëse digjitalizimi është një nga pesë përparësitë e qeverisë shqiptare, ai renditet i fundit në Evropën Juglindore. A ka Komisioni Evropian projekte financiare për ta mbështetur Shqipërinë në modernizimin e saj teknologjik?

Po, kuadri kryesor për mbështetjen e BE-së është në fushën e shtrirjes së bandës së gjerë digjitale dhe mbështetje tjetër për digjitalizimin. Në dhjetor 2017, Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) vendosi të hapë kuadrin e investimeve për projektet e ndërlidhjes digjitale me brez të gjerë në Shqipëri. 10 milion € në vit do të jenë në dispozicion në periudhën 2018-2020 për asistencë teknike, në mënyrë që të përgatitet mbështetja e investimeve nga viti 2020 e tutje. Prandaj, është e rëndësishme të identifikohen projekte të mira.

Përveç kësaj, Shqipëria ka kërkuar të bashkohet me një korridor ndërkufitar 5G. Plani i Veprimit 5G i BE-së kërkon që shtetet anëtare të BE-së, si dhe administratat e tyre kompetente dhe autoritetet rregullatore të punojnë me industrinë për të zhvilluar korridoret e ndërlidhjes 5G në të gjithë BE-në. Mbështetja e BE-së për 5G është e disponueshme me PPP-H2020. Kam kënaqësinë të them se Shqipëria, si një vend kandidat për në BE, mund të marrë pjesë në aktivitetet e kërkimit dhe inovacionit të BE-së në kuadrin e H2020. Megjithatë, do të duhen disa angazhime shtesë. Për të përfunduar një marrëveshje për korridore ndërkufitare 5G, secili vend i interesuar duhet të identifikojë një udhë kombëtare të transportit, e cila ka një perspektivë më të gjerë pan-evropiane dhe pastaj të angazhohet me ministritë kompetente dhe administratat kompetente të vendeve fqinje përkatëse për të bashkëpunuar për ta ndërtuar këtë korridor. Kam besim se Shqipëria do ta ndjekë këtë mundësi së bashku me fqinjët e saj dhe do të ndërtojë një korridor të ndërlidhur 5G të Ballkanit Perëndimor.

A ju ka paraqitur qeveria shqiptare projekte që kërkojnë financime lidhur me digjitalizimin e shërbimeve të administratës?

Komisioni po punon tashmë me qeverinë shqiptare për modernizimin e administratës së saj digjitale, duke përdorur teknologjitë digjitale për të përmirësuar proceset dhe për të ofruar shërbime më të mira publike. Sot do të vizitoj ADISA-n dhe do të mësoj rreth mënyrave të ndryshme me të cilat Shqipëria po modernizon administron e saj publike. Një administratë publike moderne duhet të jetë transparente, llogaridhënëse dhe efikase, si dhe të përmbushë kërkesat në rritje të qytetarëve dhe biznesit. Parimet “vetëm një herë” dhe “automatikisht digjital” në ndërveprimin me qeverinë do t’i përshpejtojnë proceset si për qytetarët, ashtu dhe për kompanitë, për shembull, me deklarata tatimore të plotësuara që më parë, formularë lejesh, etj.

Aspektet e besimit dhe të sigurisë nuk duhen harruar kur bëhet transformimi digjital i administratave publike. Digjitali ka shumë përparësi, por sjell gjithashtu edhe disa rreziqe. Qytetarët duhet t’u besojnë shërbimeve dhe mjeteve për t’i përdorur ato dhe për të siguruar informacionin e tyre privat. E njëjta gjë për kompanitë. Nevojitet një qasje holistike e qeverisë, ku mjetet digjitale të hartohen që në fillim me sigurinë në mendje dhe ku stafi duhet të jetë i informuar dhe i trajnuar në mënyrën e duhur.

Kjo më sjell te nevoja për të nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike (një tjetër shtyllë e Agjendës Digjitale). Që një shoqëri digjitale të funksionojë, duhet të ketë besim: besim se të dhënat personale janë të sigurta apo se informacioni sensitiv i biznesit nuk rrjedh. Ja pse çdo vend ka nevojë për një strategji të fuqishme kombëtare të sigurisë kibernetike. Në nivelin e BE-së, kjo është e koordinuar përmes Direktivës së Rrjetit dhe Sigurisë së Informacionit (NIS). Ne mund ta mbështesim Shqipërinë në përpjekjet për ta përafruar politikën e saj të sigurisë kibernetike me NIS, për të siguruar rezultate të shpejta dhe konkrete për qytetarët dhe bizneset, si dhe për të bashkëpunuar me ENISA-n.

Çfarë i nevojitet Shqipërisë për të arritur nivelet e vendeve të zhvilluara të Evropës Juglindore, si Sllovenia dhe Kroacia, në sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit?

Ne po shqyrtojmë zgjedhjet politike të bëra nga Shqipëria për të arritur transformimin digjital, gjithashtu në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe pjesën tjetër të Evropës. Rezultatet e para të një studimi të tillë të Komisionit do të publikohen së shpejti. Shqipërisë i mungojnë të dhëna kyçe statistikore për fushat si mbulimi me brez të gjerë, aftësitë digjitale, shërbimet publike digjitale, qasja në internet, etj. Për të ardhmen do të ishte e dobishme nëse zyra statistikore e Shqipërisë do të mund të fillonte mbledhjen e këtyre të dhënave me qëllim matjen e progresit të bërë në digjitalizim.

Një gjë është e sigurt: nëse vendet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për një Marrëveshje të përbashkët Rajonale Roaming vitin e ardhshëm në prill, kjo do të ketë një ndikim të madh në numrin e vizitorëve që vijnë në rajon, si për biznes ashtu, dhe për turizëm. Përveç kësaj, i kushtoj një vëmendje pozitive angazhimit të qeverisë shqiptare për ta përfunduar Agjendën Digjitale. Ne jemi partnerë në këtë dhe unë besoj se Shqipëria do të vazhdojë ta përdorë digjitalizimin si një mjet për të modernizuar ekonominë, shoqërinë dhe administratën e saj publike, si dhe për të përfituar nga të gjitha mundësitë që ofron sektori.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura