Flet ish e fejuara e Edison Gjergos: Vetmia 10-vjeçare që jetova pasi e burgosën

Aug 26, 2017 | 14:25
SHPËRNDAJE

Historia e piktorit Edison Gjergo, prej detajeve të reja që zbuloi Muzeu i Gjetheve, risolli në vëmendje vajzën me të cilën dikur pati qenë i fejuar, Shpresa Lekën. Miqtë e artistit kanë folur më shumë rreth historisë së tij sesa Shpresa që, ndonëse ka qenë më afër, ka zgjedhur të qëndrojë e tërhequr, shkruan Panorama. 

Megjithatë, ajo nuk ka rezistuar pa lënë një shënim në muzeun që ka treguar historinë e të riut përpara arrestimit. “Përjetova momente tejet emocionuese nga vizita, për faktin se jam viktimë e këtyre përgjimeve të tmerrshme, që më shkatërruan çastin më të bukur të jetës. Isha e fejuar me Edison Gjergon, në maj 1974 deri në momentin kur u arrestua në janar 1975. Edisoni ishte një piktor i talentuar, modern që përjetoi ferrin komunist me burgosjen në Spaç për 8 vjet, për të vetmen arsye se ishte i talentuar dhe njeri me mendime të lira. Ai i fali Shqipërisë jetën e tij nëpërmjet veprës së mrekullueshme dhe vuajtjes si askush tjetër. Edisoni mbetet në altarin e artit kurativ shqiptar. I paharruar në zemrën time. Shpresa Leka”, ka shkruar Leka në librin e përshtypjeve.

Shpresa Leka Papa dhe Edison Gjergo
Shpresa Leka Papa dhe Edison Gjergo

Vetë Gjergo, lidhur me vajzën që dashuronte, i pati thënë dikur një shoku të tij, pa e ditur që ky ishte spiun: “E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë, në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time”. Kjo dashuri e ndarje me dhunë, thuajse i ka ndryshuar jetën Shpresa Lekës.

Edhe atëherë kur mori drejtim e u ndërtua një rrugë e re, kujtimi i Edisonit ka qenë gjithnjë aty, në të gjitha bisedat a heshtjet e saj. Kemi folur me të për këtë histori kohë më parë, dhe po e sjellim sot, të plotë, në kujtim të dashurisë që nuk u harrua kurrë! Ngjarjeve të mëdha në jetë, atyre të rëndësishmeve që lëvizin themelet, nuk ju bën dot bisht. E mira do ishte t’i lije të rridhnin, për të çuar deri në fund qëllimin e tyre.

Sado që përjetimet mund të jenë më të forta se muret e arsyes. Por në fund, thuajse ndodh gjithmonë, që për gjithçka të padashur ka ndodhur, flasim në kohën e shkuar. Gjithçka kapërcehet. Mund të lërë vraga, të cilat do të vijojnë në gjithë vazhdimësinë e mëtejshme të shfryhen në forma të ndryshme. Dikujt, mund t’i humbasë krejt drejtimi e të shpërqendrohet në gjithçka, një tjetër, të investojë të gjithë kohën e përkushtimin vetëm në një drejtim. Këtij rasti i referohemi.

Kemi gjetur një ndër të paktat raste që një humbje e ka kthyer në fuqi. Ndër breza të saj, por edhe më gjerë, ka të ngjarë që ende në këtë pikë të përshkrimit të jenë duke kujtuar orët e gjata që shpenzonte duke punuar, një ndër arkitektet e para, të grupit të parë të arkitekturës, Shpresa Leka Papa. Dukej sikur familja e thjeshtë e punëtorëve prej nga kishte prejardhjen, e kishte kërkuar më ngulm të drejtën e saj të studimit në arkitekturë, aq intensivisht punonte, por nuk kishte ndodhur kështu.

Madje, në ato fillime, ende pa u përfshirë në rutinën e përditshmërisë së studimeve e më pas punës, Shpresa as që donte të bëhej arkitekte. I ishte tiposur gjuha angleze. Nuk ka nevojë ta theksojmë që në vitet ’70 mundësitë për ta përvetësuar gjuhën në mënyrë autodidakte, nuk ishin. Por nga ana tjetër, nuk ishin as kushtet për t’iu kundërvënë një vendimi a emërimi që do të merrej për të. Kështu që, pa e bërë të gjatë, merret me mend vijimi. Natyrisht që në rastin më të parë që pati, me t’u liruar mundësitë, arkitektja e mëvonshme do t’i hynte privatisht studimit të gjuhës angleze deri sa të përmbushte dëshirën e saj të parë.

Sot, të kthehesh pas në kohë, për të listuar detyrat që ka mbajtur përsipër, duhen më shumë se tri faqe kompjuterike për t’i shkruar. Qysh nga viti 1975, kur pavarësisht arkitekturës mori emërimin si përgjegjëse e sektorit të urbanistikës në Institutin Shtetëror të studimeve dhe Projektimeve të Urbanistikës, e deri sot, që e gjen thuajse në çdo orë të ditës në zyrën e saj private duke punuar. Po të mos e nisim nga fundi. Të mësojmë e kuptojmë njëherë se si nisi gjithçka. Çfarë ndodhi në jetën e saj që e bëri t’i jepej gjithë punës, pa kthyer qoftë edhe njëherë kokën të shohë në ekzistonin gjëra të tjera apo jo?! Si mundej që një vajzë e sapo dalë nga bankat e shkollës, simpatike, të kalonte orë të tëra e ulur mbi projekte, duke e fshirë krejt botën?! E bëri të gjithën dashuria… 

Sot, do tingëllonte thuajse absurde të dëshirohej anglishtja përpara arkitekturës, ç’ndodhte në mendjen tuaj asokohe?

Nuk e di, mbase prej kufizimeve që kishim, mendoja që nëpërmjet anglishtes, do të gjeja një shteg për të parë gjëra të reja, ndryshe. Të mësoja më shumë se fshihej pas përpjekjeve tona për të dëgjuar një stacion të huaj në radio. Por do t’iu them edhe diçka. Vite më vonë, në 2002-shin, më telefonoi një punonjëse kuadri në Ministri për të më njoftuar se në një dosje kishte gjetur një dokument ku thuhej se më kishte dalë e drejta e studimit për anglisht me bursë të plotë. Gjithçka ishte manipuluar, edhe sot, e di se me kë më kanë shkëmbyer, por nuk jam fare pishman. Atëherë nuk e doja këtë degë sepse nuk e njihja.

Si ndodhi që prej arkitekturës u morët me urbanistikë?

Atëherë nuk kishte njeri që të preferonte urbanistikën, sidomos femra, kështu që më ra lapsi mua. Megjithatë askush, femër apo mashkull qoftë, nuk kalonte orë të tëra përkulur mbi planifikimet urbanistike, sidomos në një moshë fare të re… Edhe unë, së pari, nuk e bëra nga dëshira. Ajo ishte shfryrja, argëtimi, momentet e mija të kotësisë, që besoj kushdo i ka. Të gjitha ndjesitë pra pozitive a negative ia kaloja punës.

Ç’kishte ngjarë?

Çdo gjë në jetën tonë, e ka arsyen te koha, te regjimi i mbrapshtë. Ende në kohën e studimeve isha e lidhur me një djalë, me piktorin e talentuar Edison Gjergo, i cili për arsye që quheshin politike e që tashmë janë bërë publike shpeshherë, u burgos. Kushdo mund ta marrë me mend tronditjen që pëson një vajzë e re, në të tilla raste. Befas, m’u shemb bota dhe nuk arrija të kuptoja arsyen. Duheshim shumë prandaj edhe e pata të vështirë e m’u desh një kohë e gjatë për ta kapërcyer.

Prej kësaj patë si zgjidhje punën…

Ishte shpëtimi i vetëm mbi të cilin mund të shkarkoja sepse kuptohet që as nuk mund të komunikoje me njeri. Gjithë ndrydhjet e ndjenjave, trishtimi, vetmia dhe dashuria shpërthenin në punë.

Për sa vite vazhduat kështu, me zgjidhje të vetme profesionin?

Kaluan plot 10 vite gjatë të cilave unë shpenzoja ditë e natë duke u marrë me punë, aq sa nuk kisha qëllime të tjera në vete. Por ndërkaq, koha kalonte e vitet e mija gjithashtu, kështu që duhet të gjeja edhe një zgjidhje për veten time, të krijoja familje.

Ndonjë rreze drite?

Po, përmes miqësive të përbashkëta u njoha me tim shoq. Mësova që ai gjithashtu kishte patur një dramë në jetë, e cila e kishte lënë të vetëm për 20 e më shumë vite. Kjo më bëri të bindem edhe më në vendimin tim. Fundja kërkoja një njeri të pjekur, i cili t’i përkushtohej familjes dhe të bëjë një jetë korrekte. Kështu që nuk e zgjatëm shumë për të kërkuar informacione të tjera. Me syrin që e shoh sot edhe të doja s’do kisha gjetur se huqet po dalin tani.

Kishte hyrë në mes regjimi edhe për të?

E mund të ndodhte tjetër?! Thanasi studionte në Rusi për skulpturë kur u njoh me Valentinën. Nuk mundi ta marrë dot në Shqipëri me t’u kthyer, por një vit më vonë ajo ishte këtu, e pak më vonë, familja e tyre u plotësua edhe me vogëlushen që erdhi në jetë. Nuk kaluan as dy vite përpara se të ikte. I kërcënuan, o do bëheshin agjentë ose do të iknin. Por askush nuk e pat menduar që nuk do të shiheshin më. Për një muaj pas ikjes së tyre, Thanasi nuk ka folur me askënd, depresion i thellë.

Nga jashtë, duket e vështirë të lidhesh me dikë që ka një histori të tillë…

Edhe ishte, sepse përveçse artist, që do të thotë se ka nevojë për kohën e tij, për rehatin dhe qetësinë e tij, kishte edhe nostalgjitë që sidoqoftë do ngacmonin këdo. Por arrita me mirëkuptim që ta shëroj nga to. Fillimet nuk kanë qenë pa ngërçe, por më vonë gjendja u normalizua. Ishim të dy njerëz të pjekur tashmë, duhet të gjenim zgjidhje për veten.

Gjetët kujtime të së shkuarës kur shkuat në shtëpinë e tij?

Ishte vetëm një sirtar për të cilin më tha se do ta hapnin më vonë, kur të vinte koha. Atë çast mendova do të ketë para, po pres (qesh). Deri sa një ditë e hapëm. Ende pa u hapur plotësisht dallova lot në sytë e tij. Në sirtar ishin të lara e të hekurosura, të vendosura të gjitha me kujdes, rrobat e vogla të së bijës. Për një kohë të gjatë vazhdova t’i lë ashtu deri sa më vonë i përdora për vajzën tonë.

Janë ritakuar më vonë?

Po, po. Të parët kanë ikur Avniu dhe Nina Mula. Atyre ju kishin dhënë numrat e kontakteve për të tjerët. Valentina kishte pyetur a është Thanasi gjallë? Pak më vonë arritën të flisnin në telefon. Ishin momente të tjera të vështira. Dy ditë sërish u mbyll në vete, pa folur me askënd.

Ju ç’qëndrim mbajtët?

Atë kohë nuk e ngacmova, e lashë situatën të normalizohej. Më vonë i thash përgatitu shpirtërisht dhe shko bëj si të dojë zemra. Bëra gati një valixhe me rroba dhe një me ushqime. Bëra një bakllava e i nisa Valentinës një letër si ta sherbetonte atje, i dhashë 100 dollar për vajzën dhe e nisa.

E gjithë kjo duket gati e pabesueshme, po sikur të mos kthehej?

Këtë gjë ma thonin edhe motrat dhe mikeshat e mija. “Sikur të mos kthehet?!” Por unë nuk di pse isha e bindur që do të kthehej. E kuptova që kisha bërë shumë mirë sepse erdhi më i lehtësuar, më i qetë. Ishte i shëruar nga kujtimet e nga të panjohurat që e kishin munduar në 22 vjet.

Megjithatë, nuk do të mohoni që një grua nuk ndjen një ngacmim brenda saj kur mendon të shoqin, ditë e natë, me të dashurën e shkuar, që ndër të tjera nuk e la me dëshirë, por i ndanë?

Me mua nuk ka ndodhur kështu. Çuditeshin gjithë mikeshat e mija kur më pyesnin: “Si e le burrin të flejë atje?” dhe merrnin për përgjigje: “Kam bërë shumë mirë”. Nuk kam pasur fare dyshime, ndofta pse kisha arritur ta njihja aq sa të kuptoja kur kishte afeksion ndaj një gjëje.

Po ju e keni takuar familjen e tij të parë?

Vite më vonë kur shkova njëherë vetë për shkak të punës, i kërkova të vinin, por nuk erdhën. I kam ftuar edhe në Shqipëri të vijnë në shtëpinë tonë, por nuk kanë ardhur. Përveçse janë të terrorizuara prej politikës, nuk kanë qenë në kushte të mira financiare.

Ndërsa ju, aq e përkushtuar pas punës sa keni qenë, nuk keni patur mangësi të tilla?

Si unë, si im shoq kemi patur rroga nga më të mirat qysh atëherë kështu që kemi jetuar gjithnjë mirë. Edhe atëherë kishte konkurrencë edhe pse ishte e kamufluar, por unë nuk jam trembur, kam vazhduar rrugën. Për më tepër që, nuk mbaj mend asnjëherë të kem punuar vetëm 8 orë. Ishte e pamundur. Ka qenë për këtë një shembull i mirë edhe im at. Nuk mbaj mend të ketë bërë leje të zakonshme, asnjëherë.

Nga CV-ja shoh se keni qenë për një kohë të gjatë pjesë e administratës, Drejtore Drejtorie në Ministrinë e Rregullimit të Territorit, Sekretare e KRRTRSH-së, Sekretare e Këshillit të Rregullimi të Territorit të Shqipërisë…Si i keni shpëtuar përfshirjes në politikë?

Mund të isha marrë edhe me politikë, por më mirë që nuk e kam bërë sepse do të isha transformuar. E kam ndjerë veten të mbushur me profesion, nuk e kam parë të nevojshme. Që mos të themi që kam qenë përherë e zhgënjyer nga politika sepse për shkak të saj unë ndihem e pa konsumuar, kam dëshirë të punoj për vendin tim dhe nuk kam mundësi ku ta bëj.

Konkretisht do të thotë…?

Që nuk e di se pse më druhen, e evitojnë kontributin që mund të jap. Jam anëtare e Shoqatës së Arkitektëve, por është një pozicion fare i kotë. Po si duket, provat që kam dhënë në të kaluarën, në 2-3 momente kyçe kur politika ka dashur të më përdorë si vegël, i bën të stepen. Duhet të dish si të ruhesh për të mbrojtur dinjitetin.

Kujt prej fëmijëve ia keni trashëguar profesionin?

I kemi ndarë. Vajza ka kryer studimet për arkitekturë, punon bashkë me mua, ndërsa djali ka marrë profesionin e pasionin e të atit. Sado që ai nuk donte, i rritur mes skulpturash s’kishte si të shpëtonte. Ndonjëherë mendojmë mos nuk i kemi lënë të lirë sa duhet… Megjithatë, flas për vajzën që ia njoh punën të paktën, asgjë nuk është siç ka qenë, zë një pjesë të madhe të kohës sitet sociale në internet dhe puna ngelet gjithnjë “hë se e bëjmë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura