Flet i mbijetuari i aksidentit në Fier: Biseda e fundit me 2 djemtë e xhaxhait, plani për në Greqi

Aug 28, 2018 | 12:52
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ Martin Dogani ndodhej vetëm një metër larg dy djemve të xhaxhallarëve të tij kur makina tip “Golf” i mori të tre përpara. 22-vjeçari shpëtoi me disa plagë në trup, ndërsa Amarildo dhe Festim Dogani humbën jetën gjatë transportit për në spital.

95675BF3-A39C-4980-914F-5CEAF1D76D6C-640x360

Ai tregon se po bisedonin në trotuar kur dëgjuan një frenim të fortë makine dhe brenda pak sekondash u ndodhën përpara saj. Martini tregon se fillimisht mjeti ka përplasur atë të parin dhe pastaj dy kushërinjtë e tij, ndërsa rrëfen edhe detaje nga çasti i përplasjes. “Po bisedonin në trotuar për të emigruar në Greqi”, u shpreh ai.

Sipas tij, ata sapo kishin pirë kafen dhe kishin dalë në trotuar, kur kanë dëgjuar një zhurmë të fortë frenimi. Deri në momentin kur foli për gazetarët, Martini nuk e dinte fatin tragjik të dy kushërinjve të tij.

Martin, si ndodhi ngjarja?

Ne ishim 3 çuna xhaxhallarësh, rreth gjysmë metra nga trotuari, jo në asfalt. Me ne ishte edhe një kushëri tjetër, por ai iku pak para se të ndodhte ngjarja. Ne të tre sapo kishim pirë kafe dhe dolëm jashtë e po rrinim. Në muhabet e sipër me njëri-tjetrin, dëgjojmë një zhurmë shumë të fortë frenimi. Makina erdhi shpejt. Mua më kapi cepi i makinës dhe më përplasi në mur aty te një shkallë afër. Më pas unë ngela pa ndjenja. Nuk mbaj mend gjë. Dy çunat e xhaxhallarëve i përplasi për matanë rrugës. Nuk di si ndodhi. Ju e njihni shoferin Amarildo Çalamanin.

Është banor i zonës?

Po, është banor i zonës. E kam pas shok shkolle.

Sipas banorëve, ai ishte duke bërë veprime jo normale kohët e fundit, duke ecur me frena dore me shpejtësi?

Jo, jo. Unë nuk e kam parë ashtu. Ai thjesht e ka bërë për shaka atë frenim se unë e kam pas shok në shkollë. Ai nuk ka dashur ta bëjë atë. Ishte çun i mirë kështu…

Ishte me shpejtësi në kohën kur erdhi te ju?

Po, besoj me 120 ose 130 km në orë.

Si ndodhi që doli nga rruga?

Ai ka bërë frenim. Ka qenë shpejt dhe ka frenuar. Në atë moment ka dashur ta mbledhë makinën, por nuk e ka mbledhur dot.

Banorët na pohuan se ju ishit duke diskutuar që të shkonit të punonit në Greqi?

Po. Për këtë po flisnim, kur ai erdhi ishim duke bërë këtë muhabet. Ajo është një zonë e banuar dhe tani është rikonstruktuar rruga.

Keni një apel për drejtuesit e mjeteve?

Ajo rrugë ka qenë skëterrë. Tani është rregulluar. Faji është i personave që nuk janë në rregull sepse duhet të ecin më avash dhe nuk duhet të ecin me shpejtësi në zonë të banuar. Nuk është faji i rrugës së re që u bë. Ne mezi e prisnim rrugën.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura