Flet i afërmi i Danielit: Lidhja me një grua të martuar, si u vra dhe u dogj trupi i 21-vjeçarit

Jul 30, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Kushëriri i Daniel Xhafës, Ledion Lapi, e di mjaft mirë historinë e 21-vjeçarit. Ai tregon se prej dy vitesh Danieli ishte lidhur me një grua të martuar, por historia e tij ishte aventurë e moshës. 

Në kohën kur donte të hiqte dorë prej saj ishte gruaja e re, nënë e tre fëmijëve, që nuk e pranonte. Për familjarët e Danielit dihet se kush është autori i krimit dhe Policia duhet ta ndalojë sepse nuk është e vështirë. Sipas tyre, burri i gruas me të cilën pati lidhje Danieli e ka kryer masakrimin dhe djegien e trupit të 21- vjeçarit, dhe policia greke duhet të ndërhyjë.

Djali i halles (djathtas) dhe vellai i viktimes
Djali i halles (djathtas) dhe vellai i viktimes

Çfarë e kishit ju Danielin?
Unë jam djali i hallës së Danielit. Kur prindërit e tij ikën në Greqi, ai qëndroi tek unë, ku vazhdoi për 2 vjet shkollën. Edhe kur vinte nga Greqia, kur kthehej se ishte pa punë apo për pushime, rrinte bashkë me ne.

Si ishte si tip Danieli?
Ishte djalë i përkryer. Nuk prishte gojë me njeri, nuk i afrohej shoqërisë së keqe. Rrinte me njerëz që e kuptonin dhe nuk ishin të rrezikshëm, as nuk merrej me ofendime, të cilat këtu te ne janë shumë të theksuara dhe që bëhen të rrezikshme. Danieli rrinte atje në Greqi me një shoqëri shumë të mirë. Unë e pashë vetë atë kur isha atje muajin e fundit. Unë kaloja shumë kohë me të dhe flisnim për gjithçka. Danieli më hapej, më tregonte dhe më fliste për çdo gjë. Kështu e kisha ndërtuar unë që së vogli se ai u rrit me mua dhe nuk e lija asnjëherë që të ikte pa adresë.

VENDI KU U GJET TRUPI I 21-VJEÇARIT (MAJTAS) VIKTIMA DANIEL XHAFA
VENDI KU U GJET TRUPI I 21-VJEÇARIT (MAJTAS) VIKTIMA DANIEL XHAFA

Si është e vërteta e lidhjes së tij me një grua të martuar?
Atje kishte njohur para dy vjetësh një vajzë të martuar. Ajo nuk kishte diferencë të madhe moshe me Danielin. Ai ishte në fazën e adoleshencës, në fillimet e saj që e shtynin të dilte me një femër, të njihte ndonjë. Ishte në hapat e para, sa pati ikur që këtej dhe shkoi në Greqi. Pas gati një viti ai e kuptoi se nuk ishte për të, gjeti shoqërinë e tij. E kuptoi se nuk donte probleme për atë vajzën. Ajo ishte e martuar, nga Korça. Danieli e kishte kuptuar se ajo ishte një femër budallaçkë, por edhe e rrezikshme.

Po përse u lidh me të? E ka joshur ajo?
Mund të themi ashtu, por jo fiks joshje, sepse ai nuk e humbiste kurrë dhe e mendonte se si ishte puna. Nuk e humbte logjikën. Por ishte ajo që e detyronte, herë duke i kërkuar që t’i priste biletën të bënte dy-tri ditë pushime. I tregonte shumë gjëra, i hapej Danielit, duke i treguar për familjen e saj, si për burrin etj. Danieli i ka thënë se nuk i interesonin këto, por ajo e bënte që t’i tregonte se meqë hapej për çdo gjë me të, do të thoshte se e donte. Megjithatë, Danieli ishte i logjikshëm dhe nuk i jepte shanse. Por ajo i vinte pas dhe gjente arsyetime të ndryshme për ta takuar. Herën e fundit që e mbaj mend se isha dhe unë aty, erdhi te fshati dhe e kërkoi Danielin. I tha sikur kishte harruar diçka te makina e tij dhe t’ia jepte.

Çfarë i kërkoi saktësisht?
Për rastin që po them kishte një javë që i kërkonte një kapele që Danielit ia kishte sjellë një shok nga një ishull. Ia kërkon kapelen, por ajo i thotë se nuk e ka dhe nuk di gjë për të. Prapë Danieli nuk u tundua, por u kthye prapë te ne, aty ku ishim. Pas pak kohësh i bie një telefon, nga numri i saj, por del burri i gruas. I thotë: “Kush je ti? E kam numrin tënd në telefon, por më del pa emër”. Por, Danieli nuk ia tregoi se nuk donte të ngatërrohej, nuk donte të kishte probleme. Ia ktheu se jo, nuk njiheshin dhe nuk e di pse kishte ndodhur kjo. Nuk zgjati shumë, gati 4 ditë më vonë, rastësi që për herë të parë ai të kthehej nga puna vetëm, i pashoqëruar nga shoku i tij.

Ishte e qëllimshme kjo lënia vetëm e Danielit?
Jo, jo, jo qëllimisht. Por qëlloi periudha e nisjes së sezonit turistik dhe kishin shumë punë. Prandaj atë natë u nis vetëm. Ka qenë gjatë rrugës duke folur në telefon me shokun e tij sepse kishte punë me dokumente në Larisa. Shoku, (Mario) i tha se ku po dilte dhe Danieli i tha se nuk do të vonohej sepse do të bëhej gati për Larisa. Nga ora 2 e gjysmë e natës e ka marrë i ati dhe i ka thënë ku je? Xhiro iu përgjigj ai. Me Marion je?– e pyeti babai. Jo, i thotë. Por nuk e ngacmoi më tepër dhe e mbylli telefonin. Kur u ktheva në shtëpi e mora vetë në telefon nga ora 03:00 e natës dhe nuk dilte telefoni.

Kush e gjeti trupin?
Të nesërmen në mëngjes një çoban shqiptar e gjeti. Ai ruante dhentë tek ajo kisha atje dhe ai morri në telefon pronarin dhe më pas Policinë.

Trupin e kishin djegur?
Po, të djegur.

E kishin vrarë me thikë?
Jo me thikë, me diçka tjetër…

Sipas jush, kush e ka bërë krimin?
Policia duhet ta zbardhë ngjarjen. Ne e dimë kush është, sepse Danieli nuk kishte asnjë problem tjetër apo kontakt me njeri. Policia i ka faktet: Pikërisht telefonat e gruas dhe burrit të saj. Ai mund të ketë kaluar në depresion, por nuk ishte faji i Danielit, por i gruas së tij. Ajo e vrau në fakt Danielin, edhe pse dora e atij e bëri masakrën.

FIER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura