Flet gjyqtari që dënoi polaken e bukur: Ishte me hire joshëse, i ngjante Marilyn Monroe

Feb 10, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Procesi gjyqësor ndaj Barbara Mullollit ka nisur më 18 gusht të vitit 1969 në Gjykatën e Lartë në Tiranë dhe ka zgjatur pesë ditë.

Në fund të tij, 30-vjeçarja nga Varshava është dënuar me 17 vjet heqje lirie për spiunazh, agjitacion e propagandë dhe shkelje të dispozitave për valutën dhe arin.

barbara

Në vendimin e nënshkruar nga kryegjyqtari Kleanthi Koçi, mbështetur në provat e siguruara nga shërbimi i fshehtë dhe dëshmitarët në proces, shqyrtohet rrezikshmëria e lartë e veprimtarisë agjenturore e të pandehurës Mullolli për përmbysjen e rendit kushtetues dhe diktaturës së proletariatit në Shqipëri.

E shpallura “zyrtarisht” agjente e policisë sekrete të Polonisë, sipas dokumentit gjyqësor, kishte shkëmbyer rregullisht me këtë të fundit informacione që dëmtonin rëndë sigurinë kombëtare. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, njëri nga ndihmësgjyqtarët e procesit, ndriçon më tej rrethanat si u penalizua polakja e bukur që do të përmbyste socializmin në Shqipëri.

Si e kujtoni procesin ndaj polakes Barbara Mullolli?

Ishte një proces maratonë për rreth 10 të pandehur nga Durrësi, që akuzoheshin për veprimtari armiqësore. Barbara ishte njëra prej tyre, por e veçantë ndër ta. E veçantë si qytetare e huaj. E veçantë për nga bukuria. Mbi të gjitha, e veçantë për rebelimin agresiv në sallën e gjyqit…

Kur e veçoni për bukurinë, keni parasysh raportin me të pandehurat e tjera?

Ajo dallohej jo vetëm ndër to. Ishte shumë e bukur. Në vështrimin e parë të krijonte përshtypjen e Marilyn Monroe. Megjithëse kishte qëndruar disa muaj në qeli, nuk kishte humbur asgjë nga hiret joshëse. Bionde, me sy të kaltër, me vështrim të ndezur, me trup të gjatë, sikur ta kishe skalitur me dorë.

Një femër e bukur që rebelonte energjikisht. Sa i shkonte kjo sjellje në sallën e gjyqit?

Mbaj mend reagimet mohuese pas çdo akuze. Shumë herë rebelimi i saj kalonte çdo cak. Në shumë raste, kur e shikonte që ndërhyrjet e saj shpërfilleshin, aty për aty shpërthente në britma dhe përplaste këmbët sa kishte fuqi në dyshemenë e sallës. Ky ishte rituali i të gjitha seancave, që ndërpriteshin sakaq me një tërheqje vëmendjeje nga kryetari i trupit gjykues. Edhe kur rifillonte seanca e radhës, ajo sërish paraqitej e tillë.

Faksimile e vendimit të gjyqit
Faksimile e vendimit të gjyqit

Nga që s’pajtohej me akuzën, besoj…

Pikërisht për këtë, por jo vetëm. Rebelohej më së shumti për mënyrën e sjelljes së trupit gjykues dhe akuzat absurde, sipas saj, të dëshmitarëve…

Akuzohej si agjente e shërbimit polak, kur prej disa vitesh kishte qenë pjesë e rrjetit agjenturor shqiptar…

Për këtë të fundit s’e dinte kush, madje as kryetari i trupit gjykues. Unë për vete tani e marr vesh që ajo ka qenë e rekrutuar si bashkëpunëtore e Sigurimit. Në proces as ajo nuk e zuri në gojë diçka të tillë. Me sa duket, ka qenë një pakt i fshehur me policinë sekrete për mos ta përmendur këtë fakt.

Pra, nuk pohoi se ka gjurmuar zyrtarët polakë që shërbenin në portin e Durrësit?

Nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur me të në fakt, por mbaj mend që ajo u akuzua për lidhje agjenturore me diplomat polakë rezidentë në Shqipëri. Njëri ndër ta, me sa më kujtohet, bashkëpunonte me të, sipas pohimeve në proces, për të marrë informata për bazat ushtarake në Durrës dhe sasinë e efektivit të tyre…

Si mund të siguronte të dhëna të tilla kur ajo nuk kishte asnjë lidhje me Ushtrinë?

Kjo akuzë i adresohej për kohën kur punonte llogaritare në Ndërmarrjen Ushqimore të Durrësit. Sipas legjendës së prokurorit, përpunuar nga Sigurimi, Barbara shkonte në furrat që mbulonte ndërmarrja ku punonte dhe interesohej fshehtas për të mësuar sasinë e bukës që merrnin repartet e ushtrisë në garnizon. Këtë të dhënë pastaj, e deshifronte me agjentin polak dhe nxirrnin numrin e ushtarëve që e konsumonin. Këtë detaj e kam fiksuar shumë mirë në kujtesë, sepse në seancën kur flitej për këtë histori, Barbara humbi durimin dhe shpërtheu vrullshëm: Marrëzi! Gënjeshtra! Çfarë doni të më bëni! S’mjaftoni me kaq! Më keni nxirë jetën…

Po ju e besonit akuzën?

Në fakt, denoncimi ishte qepur mirë nga mjeshtrit e shërbimit të fshehtë. Çështja e Ushtrisë në atë periudhë ishte shumë e ndjeshme. Ishte momenti i goditjes së Çekosllovakisë dhe zhvillimeve të vrullshme të vendeve satelite të BS. Shqipëria sa kishte dalë nga Traktati i Varshavës dhe flitej përballja me një sulm të mundshëm nga ky i fundit. Në këtë kontekst, Sigurimi ishte hedhur në ofensivë për të zbuluar fijet e agjenturave që mund t’i paraprinin një goditjeje si ajo e Pragës. Rrjeta me sa dukej kishte kapur dhe grupin e Durrësit, ku Barbara përflitej si agjente potenciale. Çfarë kishte ndodhur përtej atyre që kumtoheshin në sallën e gjyqit, askush s’mund ta paramendonte…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura