Flet futbollisti: Pse e ngacmova Marinën për Getin dhe çfarë mendoj për ta si çift

Jan 31, 2016 | 11:14
SHPËRNDAJE

Argjend Malaj, mesfushori kosovar i Tiranës, mori vëmendjen e publikut këtë javë, pas një provokimi që i bëri prezantueses Marina Vjollca për të dashurin e saj, Getoar Selimi, në emisionin “Procesi Sportiv”.

Pyetjes së saj se si u drejtohen meshkujt në Kosovë femrave kur duan t’i ngacmojnë, 21- vjeçari iu përgjigj se: “Më mirë në këtë aspekt mund të të përgjigjet Geti”, duke lënë të kuptohet se kishte njohje personale me reperin.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Malaj, i cili luan me skuadrën shqiptare KF Tirana në Kategorinë Superiore dhe Kombëtaren kosovare si mesfushor, tregon më shumë për këtë histori dhe sekrete të jetës së tij…

12607132-10153354478922686-1497581966-n-1

Prej më shumë se një viti luan për Tiranën. Si do ta përshkruaje jetën në kryeqytetin shqiptar?

Po jeta në Tiranë është shumë atraktive, pasi ke mundësi zgjedhjeje dhe mënyra se si të shfrytëzosh kohën e lirë. Po unë personalisht jam shumë i thjeshtë në jetën që bëj, nuk më pëlqen të frekuentoj jetën e natës, dhe dal shumë rrallë. Kam shoqërinë time, mund të shkojmë diku ku mund të argëtohemi me ndonjë lojë, që s’ka të bëjë me futbollin.

Je vetëm 21 vjeç, ke arritur deri tani çfarë ke dashur në futboll?

Unë në futboll deri tani në këtë moshë mendoj se nuk jam dhe keq me arritjet e mia, por asnjëherë i kënaqur, sepse mendoj të ngrihem edhe më shumë nga ku jam. Për mua ky është vetëm fillimi im.

Me cilët nga futbollistët e njohur këtu ke krijuar miqësi dhe që argëtoheni bashkë?

Futbollistët i kam të gjithë shokë. Dal me ta kur kemi kohë të lirë. Sa ka qenë Debatik Curri në Tiranë, kam dalë me të. Gjithashtu frekuentohem me Karabecin, Bulkun, Muçën, e shumë të tjerë.

Je pasuruar nga futbolli, sa paguhesh dhe çfarë pronash ke deri tani?

Po, jam pasuruar shumë madje nga futbolli. Falë Zotit kam një familje të shëndoshë, një shoqëri shumë të mirë, një klub që është më i miri në Shqipëri, një tifozëri që është më e mira në Ballkan. Kjo është pasuria ime që s’paguhet me para.

Cilat janë hobet e tua jashtë sportit, të pëlqen jeta e luksit dhe cilat janë vendet speciale që frekuenton?

Jeta e luksit nuk është se s’më pëlqen, po nuk është se e bëj shumë luksoze. Vendi që frekuentoj është kinemaja, pasi për mua është një relaks i mirë. Në shtëpi kam afër 500 filma që i shoh në kohë të lirë.

Këtë javë u komentove për një “ngacmim” që i bëre Marina Vjollcës për të dashurin e saj nga Kosova, Getoar Selimin. Ke njohje personale me reperin?

Po, ishte një pyetje e tillë nga ajo, dhe mori përgjigjen nga unë. Getin kam pasur rast të jem në tavolinë me të, po jo që e njoh personalisht. Mund të them se djali i dajës së Getit është shumë shok i mirë i imi.

Çfarë përshtypjesh ke për të, të pëlqen apo jo si artist?

Përshtypjet e mia për Getin janë shumë të mira. Me aq sa di unë për të, është një njeri shumë i mirë, më pëlqen mjaft si reper dhe është shembull për t’u ndjekur nga reperët e tjerë.

Po Marina Vjollca si të duket si prezantuese e një emisioni sportiv si “Procesi Sportiv”, ku të ndodh të jesh i ftuar?

Po Marina është një yll më vete. (qesh) Për mua është një prezantuese e shkëlqyer.

Marina e Geti mendon se janë për njëri-tjetrin?

Përderisa janë dakord ata me njëri-tjetrin dhe ne jemi dakord për dy fytyrat publike, që kanë zgjedhur të jenë çift.

Zakonisht futbollistët e kanë më të lehtë rrugën për njohjet me femrat e ekranit. Ke mikesha speciale mes tyre?

Marrëdhënia ime është më shumë marrëdhënie pune, sesa miqësore, por kam edhe shoqe prej tyre.

Cili është idhulli yt në futboll, dhe skuadra ku ëndërron të luash?

Idhujt e mi janë Fernado Torres dhe Siven Gerard, ndërsa klubi që ëndërroj të luaj është Liverpuli.

Si mund ta përshkruash momentin kur shënove golin e fundit. Me çfarë do ta krahasoje atë lloj kënaqësie?

Në momentin kur shënoj gol, përjetoj një ndjenjë të veçantë, që mund ta kuptojë vetëm ai që e provon.

NGA KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura