Flet Dritëro Agolli: “Administrata, të heqim dorë nga spastrimet”

Oct 14, 2013 | 9:10
SHPËRNDAJE

Patriarku i PS feston 82-vjetorin: Telefonatë nga Rama, SMS nga Berisha.

Basha dërgon buqetë me lule dhe kartolinë, Meta e viziton sot.

Në 82-vjetorin e lindjes, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli u rrethua nga miq, familjarë, gazetarë, por edhe të panjohur që trokitën në derë për ta uruar. Shtëpia e Agollëve u mbush dje me buqeta me lule që vinin nga njerëz VIP-a, por dhe miq që e uronin atë për ditën e lindjes së tij.
Nuk munguan dje dhe mesazhet e marra nga politikanët. Kryeministri Edi Rama e ka telefonuar duke i uruar këtë ditë të shënuar patriarkut të socialistëve, siç e thërrasin të gjithë tashmë tek e majta. Rama ishte pak javë më parë në shtëpinë e Agollëve, pak para se qeveria e re të votohej në Parlament. Rama ka marrë bekimin e njeriut që i kërkoi vazhdimisht bashkimin me LSI-në. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka dërguar shkrimtarit të madh një buqetë të madhe me lule dhe një kartolinë dedikuar kësaj dite të shënuar për të. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, i dërgoi një buqetë të madhe me lule dhe urimin në emër të qeverisë shqiptare. Ndërsa ish-kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh përmes celularit duke i uruar ditëlindjen e tij të 82-të. Kurse kryetari i Parlamentit mësohet se do ta vizitojë sot shkrimtarin e njohur në shtëpinë e tij. Por, Dritëroi në këtë ditëlindje mori dhe një gëzim të veçantë, ai u nderua me çmimin e letërsisë “Carlo Levi” në Itali. “E kam të vështirë të flas për veten pasi marr çmime ose pasi botoj libër, por kësaj here do të bëj një përjashtim. Jam në një moshë jo të thyer, por “superthyer” dhe ky çmim më ka ngritur shumë humorin. Kam marrë edhe çmime të tjera, në rini, në vendin tonë, edhe jashtë, por ky çmim i marrë në pleqëri më kujton që ende jetoj”, thotë shkrimtari i shquar. Edhe pse në një ditë të tillë festimi, Dritëroi arrin t’i japë një porosi politikës. Ai kërkon ruajtjen e administratës nga militantët partiakë, duke mbajtur në të profesionistët. “Gjithmonë kës-htu ka qenë, administrata është ndryshuar me ndryshimin e qeverisë. Nëse heqim dorë nga ky ‘zakon’, kemi bërë një përparim të madh. Njerëzit duhet të jenë specialistë të zotë dhe nuk duhen parë nga bindjet politike. Që të ecë Shqipëria përpara, duhet të hiqet ky mentalitet”, tha Agolli.

Vlerësimi për Ramën
Shkrimtari i njohur vlerëson Edi Ramën si Kryeministër i vendit. “Ndonjëri mund ta kritikojë se Edi nuk pyet shumë kolegët e tij dhe njerëzit e afërt. Por, unë deri tani nuk vë re ndonjë gjë të tillë. Mendoj se si kryetar qeverie mund të bëjë hapa përpara më shumë nga të tjerët ndoshta. Sepse edhe Tirana që dikur e ka drejtuar, ishte si qeveri e vogël, ishte gjysma e Shqipërisë dhe në atë kohë bëri punë shumë të mira duke ia ndryshuar faqen kryeqytetit”, tha Agolli.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura