Flet Drejtori i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë: Bizneset e mëdha, detyrim ligjor për të caktuar një menaxher energjie

Jul 15, 2020 | 14:45
SHPËRNDAJE

Evis BerberiKompanitë e mëdha, që kanë një konsum vjetor të energjisë më të madh se 3 milionë kWh, kanë detyrimin që të punësojnë një menaxher energjie.

Sipas drejtorit të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, Evis Berberi, duke qenë se këto kompani kanë një konsum kaq të madh, figura e menaxherit të energjisë do të ketë një rol të rëndësishëm në reduktimin e energjisë së konsumuar prej tyre. Në një intervistë dhënë për gazetën, Berberi ndalet edhe në objektivat e agjencisë për vitet e ardhshme. E lindur dy vite më parë, misioni i kësaj agjencie është ulja e kërkesave për energji nga importet dhe rritja e sigurisë energjetike.

Cili është roli i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë dhe sa vite keni që operoni në treg?
Agjencia për Eficiencën e Energjisë është krijuar në vitin 2016, si një institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Si një institucion i ri, por me shumë premisa dhe mundësi për fushën që mbulon, kjo agjenci ka pasur nevojë për kohën e saj për t’u ngritur dhe vënë në funksionim të plotë, çka besoj se e kemi arritur diku nga fundi i vitit 2018. Në fillim të vitit 2019, me mbështetjen e rëndësishme të ministres Balluku, ne nisëm punën për realizimin e testimit të parë të audituesve energjetikë, që përbën edhe hapin kryesor për funksionimin e agjencisë dhe hapjen e tregut të eficiencës së energjisë. Ky moment do të tjetërsojë tregun dhe mënyrën se si zhvillohet procesi i ndërtimit në Shqipëri, duke rritur sigurinë e individëve që zgjedhin të blejnë, rikonstruktojnë ose të marrin banesa me qira, si dhe të gjitha tipologjive të tjera të ndërtimit, të cilat do të projektohen duke pasur si synim respektimin e një klasi energjetik të caktuar. Roli i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë është hartimi, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, i politikave në funksion të eficiencës së energjisë, ku aktualisht po punojmë për hartimin e 4 vendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat përbëjnë hallkën e fundit për të garantuar funksionimin e plotë të agjencisë. Me hyrjen në fuqi të këtyre akteve nënligjore, agjencia do të fokusohet në zbatimin e tyre, duke shtrirë kompetencat e saj në të gjithë sektorët ku mund të aplikohen masa për rritjen e eficiencës energjetike, fillimisht në sektorin e ndërtesave dhe atë industrial dhe më vonë në sektorin e transportit dhe atë bujqësor. Sigurisht, gama e veprimit është e gjerë dhe këtu përfshihen promovimi dhe nxitja e eficiencës së energjisë, e cila arrihet nëpërmjet organizimit të trajnimeve, seminareve, fushatave ndërgjegjësuese, kjo në bashkëpunim dhe me institucione të tjera si dhe monitorimi i arritjeve në kursimin e energjisë, të përftuara si rezultat i masave të marra. Monitorimi do të bëhet nëpërmjet vlerësimit të raporteve të auditimit të paraqitura për regjistrim pranë AEE, por edhe duke bërë kontrolle në terren për rastet që do të përzgjidhen përmes një procesi rastësor.

Përse është kaq i rëndësishëm ky proces dhe çfarë përfitimesh do të ketë vendi dhe qytetarët prej tij?

Zhvillimi i këtij procesi është i një rëndësie të madhe për vendin tonë, i cili përveç përfitimeve që sjell në uljen e kërkesave për energji nga importet dhe rritjen e sigurisë energjetike, përkon me detyrimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, me nënshkrimin e të cilit vendi ynë ka pranuar të përafrojë dhe zbatojë legjislacionin e Bashkimit Europian për eficiencën e energjisë. Eficienca e energjisë si proces ka një rëndësi të veçantë në ekonominë e vendit, por edhe jetën e qytetarëve. Ajo ndikon direkt në rritjen e nivelit të komfortit të brendshëm të banesave, duke garantuar kushte standarde dhe duke sjellë në të njëjtën kohë një kosto më të vogël për arritjen e tyre. Konsumi i energjisë elektrike dhe kostoja që ka ky konsum si në aktivitetin e bizneseve, por edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve, mbetet një nga problematikat për zgjidhje. Aplikimi i masave për rritjen e eficiencës energjetike do të ndihmonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përdorimin e një sasie më të vogël energjie, për të përmbushur të njëjtat nevoja që biznesi apo qytetari ka dhe në këtë mënyrë do të ulej edhe fatura e energjisë që paguhet për këto nevoja. Për më tepër, përmirësimi i eficiensës së energjisë vlerësohet edhe si strategjia më e rëndësishme për reduktimin e emisioneve të gazit serë, duke ndikuar në stabilizimin e sistemit të klimës globale.

Cili është roli dhe detyra e audituesve të energjisë dhe si u organizua testimi për përzgjedhjen e tyre?
Sikurse mund të kuptohet dhe nga emërtimi, audituesit e energjisë janë përgjegjës për vlerësimin dhe analizimin e çdo lloj energjie që përdoret në një ndërtesë apo instalim industrial, të verifikojnë mundësitë për ruajtjen apo kursimin e energjisë së përdorur, si dhe të rekomandojnë masa të zbatueshme dhe kosto optimale për rritjen e eficiencës së energjisë. Pas një pune voluminoze dhe të vështirë për shkak të situatës së shkaktuar nga Covid-19, u arrit që në fund të muajit maj të realizohet testimi i parë për audituesit energjetikë. Interesi për të marrë pjesë në testim ishte i madh dhe mbi 100 aplikantë u regjistruan. Prej tyre, në fund të procesit, i cili ishte tërësisht transparent, sot kemi të certifikuar rreth 30 auditues energjetikë në ndërtesa apo instalime industriale.

Rreth një vit më parë, qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin 124/2015, “Për eficiencën e energjisë”, përmes së cilave synohej reduktimi i barrierave administrative dhe liberalizimi i tregut. Mendoni që janë përmbushur këto objektiva?

Mendoj se janë hedhur hapat e duhur në këtë aspekt dhe ndryshimet e bëra në ligjin për eficiencën e energjisë sollën lehtësimin e procedurave burokratike për licencimin e audituesve energjetikë. Më parë ata duhet të kryenin kursin pasuniversitar, të kryenin testimin pranë agjencisë dhe më pas të vazhdonin me hapat e mëtejshëm për t’u licencuar. Tani procedura është shumë më e thjeshtë dhe audituesit certifikohen pranë agjencisë pas kryerjes së kursit pasuniversitar dhe testimit të detyruar dhe mund të ushtrojnë këtë profesion lirisht. Megjithatë, vlen të përmendet se ka akoma shumë punë për të bërë dhe me mbështetjen e MIE-s, do të kemi ndryshime të tjera në ligjin për eficiencën e energjisë brenda vitit 2020, të cilat do të sjellin lehtësime për të gjitha palët e interesuara.

Sipas përcaktimeve ligjore, personat juridikë, publikë ose privatë që kategorizohen si konsumatorë të mëdhenj energjie, janë të detyruar të caktojnë një menaxher energjie. Cili do të jetë roli i menaxherit dhe a mendoni që bizneset e mëdha do ta përmbushin këtë detyrim ligjor?
Po e nis përgjigjen nga pjesa e fundit e pyetjes. Detyrimet ligjore, siç edhe vetë fjala e tregon, janë detyrime dhe jo zgjedhje preferenciale të një biznesi apo një institucioni. Sigurisht që të gjithë aktorët e fushës do të duhet të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, ndër të cilat është edhe detyrimi për të caktuar një menaxher energjie. Agjencia për Eficiencën e Energjisë ka autoritetin që të monitorojë zbatimin e këtij detyrimi dhe unë ju siguroj se ne do të jemi shumë rigorozë në kontrollin e zbatimit të ligjit. Gjithsesi, unë besoj se zbatimi i këtyre përcaktimeve ligjore është edhe në interes të vetë kompanive të mëdha. Është e rëndësishme të përmendet që konsumatorë të mëdhenj janë vetëm ato kompani që kanë një konsum vjetor të energjisë më të madh se 3 milion kWh. Kështu, detyrimet ndaj tyre duhet të shihen si një udhëzim dhe jo si një ngarkesë e vendosur mbi ta prej legjislacionit në fuqi. Nisur nga fakti që këto kompani kanë konsum kaq të madh, figura e menaxherit të energjisë, i cili do të ketë një rol të rëndësishëm në reduktimin e energjisë së konsumuar prej tyre, bëhet më tërheqëse. Menaxherët e energjisë kanë si detyra kryesore: Përgatitjen e planeve vjetore për reduktimin e konsumit të energjisë. Krijimin e strukturës së nevojshme për implementimin e sistemit të menaxhimit të energjisë, përfshirë krijimin e një baze të dhënash për treguesit energjetik. Trajnimi i stafit, me qëllim rritjen e njohurive për çështje që lidhen me kursimin e energjisë. Vlen të përmendet që me ndryshimet e reja ligjore, parashikuar të ndodhin brenda vitit 2020, roli i menaxherit të energjisë pritet të rritet edhe më shumë, duke shtuar përgjegjësitë e tij dhe duke krijuar kanale të drejtpërdrejta bashkëpunimin me Agjencinë për Eficiencën e Energjisë për hartimin e planeve dhe monitorimin e tyre.

Së fundmi, cilat janë objektivat e Agjencisë që ju drejtoni për të ardhmen?
Momentalisht, ne jemi duke punuar fort për finalizimin e të gjithë bazës ligjore që do të hapë tregun e audituesve të energjisë. Sikurse e përmenda më parë, po punohet për hartimin e bazës ligjore, ku së pari mund të përmendim aktin që do vendosë kërkesat minimale të performancës së energjisë në ndërtesa. Ky akt do të përcaktojë disa parametra energjetikë, që çdo ndërtesë e re apo ndërtesë që i nënshtrohet një rinovimi të konsiderueshëm duhet të përmbushë. Gjithashtu, po punohet për të finalizuar edhe legjislacionin që rregullon certifikatën e performancës energjetike (CPE). CPE është një dokument që lëshohet nga audituesi i energjisë dhe që tregon respektimin e kërkesave minimale në rasatin e ndërtesave të përmendura më lart dhe klasin energjetik të ndërtesës. çdo ndërtesë e re, që rinovohet, shitet ose jepet me qira, duhet të ketë patjetër CPE-në si pjesë të dokumentacionit për të realizuar secilin prej këtyre proceseve. Së fundi vlen të përmendet edhe përgatitja e metodologjisë kombëtare të llogaritjes, një dokument ky i hartuar në bashkëpunim me konsulentët e huaj dhe i integruar në programin kompjuterik të miratuar, që do t’u shërbejë audituesve energjetikë për të realizuar punën e tyre lidhur me llogaritjen dhe gjenerimin e Certifikatave të Performancës Energjetike të ndërtesave. Kështu, objektivi ynë parësor është pikërisht mundësimi i funksionimit të plotë të tregut të auditimit energjetik. Sigurisht, që përveç kësaj kemi të planifikuara edhe një sërë projektesh, të cilat kanë si synim eficiencën e energjisë dhe promovimin e saj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura