Flet dietologia Enkeleida Ferrollari: Anemia, regjimi ushqimor që ju vjen në ndihmë

Sep 6, 2017 | 9:30
SHPËRNDAJE

Skeptikët besojnë se regjimi ushqimor nuk e korrigjon plotësisht aneminë, por është fakti i pamohueshëm pesha dhe roli që luan mënyra sesi ushqehemi.

Dietologia Enkeleida Ferrollari na njeh me dietën që rekomandohet për trajtimin e anemisë. Sipas saj, baza e një kujdesi të mirë është një dietë e pasur me ushqime që përmbajnë hekur, acid folik dhe vitaminë B12.lida

SHKAKTARËT

Anemia ka të bëjë me rënien e numrit të rruazave të kuqe të gjakut. Mund të jenë faktorë të ndryshëm që shkaktojnë probleme të anemisë dhe mungesë të hekurit, të tillë si: hemorragji e aparatit gastro-intestinal, ose hemorragji të ciklit menstrual te femrat, probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me përthithjen e hekurit, ose gjatë periudhës së shtatzënisë, etj. Por, përveç anemisë që shfaqet me mungesë të hekurit, mund të kemi edhe një formë tjetër anemie, që shkaktohet si pasojë e mungesës së vitaminës B12.

Ndër shkaqet kryesore të mungesës së vitaminës B12 mund të përmendim së pari mënyrën e të ushqyerit (vegjetarianët, fëmijët e ushqyer me gji nga nëna vegjetariane, alkoolizmi kronik, dietat e forta dhe të pakontrolluara. Së dyti problemet e përthithjes, si rezultat i patologjive të aparatit tretë, nevoja për sasi të mëdha të vitaminës B12, që ndodh në rastet e personave që vuajnë nga hipertiroidismi, ose që janë në fazë rritjeje, si edhe humbje të vitaminës B12 me jashtëqitjen, për shkak të patologjive të mëlçisë dhe të veshkave. Faktor tjetër që shkakton aneminë është edhe mungesa e acidit folik.

Mungesat e acidit folik mund të shkaktohet nga ushqimi i çrregullt dhe mungesa në dietën e përditshme e ushqimeve që përmbajnë acid folik. Mospërshtatja e ushqimit me rritjen e nevojave për acid folik të organizmit, si në rastet e shtatzënisë dhe të gjidhënies, ose të humbjes së acidit folik nga patologji të ndryshme, si në rastin e dializës.images (2)

REGJIMI USHQIMOR

Për të parandaluar probleme të anemisë, është shumë e rëndësishme mënyra e të ushqyerit. Duhet të kemi një dietë të pasur me ushqime që përmbajnë hekur, acid folik dhe vitaminë B12. Ushqimet me bazë shtazore janë të pasura me hekur lehtësisht të përthithshëm nga organizmi. Hekuri që ndodhet tek ushqimet bimore, tek zarzavatet, përthithet me vështirësi nga organizmi.

Nëse zarzavatet shoqërohen me vitaminë C, atëherë hekuri bëhet më i përthithshëm dhe ndihmon në rritjen e nivelit të hekurit në organizëm. Në rastin e anemive, zarzavatet rekomandohen të shoqërohen me vitaminë C.

Një burim shumë i mirë i vitaminës C mund të jetë limoni. Përthithjen e hekurit nga zarzavatet, përveç vitaminës C, e ndihmon edhe vitamina A, vitaminat e grupit B, si dhe bakri. Për këtë arsye të gjitha ushqimet të pasura me hekur duhet të shoqërohen me ushqime të pasura me vitaminë A, si edhe vitaminë të grupit B.

USHQIMET QË REKOMANDOHEN NË RASTET E PROBLEMEVE TË ANEMISË JANË:

Mishi i kuq ose i pulës, janë një burim shumë i mirë i hekurit dhe i vitaminës B12. Por duhet të përzgjidhet pa dhjam. Mishi i kuq dhe i pulës mund të konsumohen 2 herë në javë. Të brendshmet, si mëlçia e viçit, mund të konsumohen një herë në javë në rastin e problemeve të anemisë.

• Proshutat janë të pasura me hekur, proshuta e papjekur do të ishte një zgjedhje e mirë, por gjithmonë duke i pastruar dhjamin e dukshëm.

• Peshku është i pasur me hekur dhe me elementë të tjerë mikroushqyes që ndihmojnë në përthithjen e hekurit inorganik. Peshku mund të konsumohet 2 herë në javë.

• Veza, kryesisht e verdha e vezës, është e pasur me hekur dhe me vitaminë B12 dhe bakër, që ndihmojnë në përthithjen e hekurit. Vezët mund të konsumohen 3-4 herë në javë.

• Bishtajoret janë të pasura me hekur, si qiqrat, fasulet, thjerrëzat, etj. Edhe pse janë të pasura me hekur vështirësisht të përthithshëm, ato kanë sasi të konsiderueshme të acidit folik që ndihmon në përthithjen e hekurit. Bishtajoret duhet të konsumohen dy herë në javë.

• Drithërat kanë sasi hekuri të mjaftueshme, por në formë vështirësisht të përthithshme, por janë të pasura me bakër që ndihmojnë në përthithjen. Duhet të përzgjedhim drithëra jo shumë të pasura me fibra, pasi fibrat mund të pengojnë përthithjen e hekurit dhe bëjnë që të humbasë me jashtëqitje.

• Zarzavatet e pasura me hekur përthithet me vështirësi nga organizmi. Por njëkohësisht zarzavatet janë të pasura me vitaminë C, vitaminë A dhe acid folik, të cilat ndihmojnë përthithjen e hekurt. Prandaj rekomandohet të konsumohet larmi zarzavatesh.

• Burim i mirë hekuri janë edhe frutat e freskëta dhe frutat e thata. Frutat e freskëta përmbajnë edhe vitaminë C, që ndihmon në përthithjen e hekurit, ndërsa frutat e thata përmbajnë bakër që bën të mundur përthithjen e hekurt që përmbajnë.

• Burim hekuri është edhe uji i pijshëm. Duhet të konsumojmë 1,5-2 l ujë në ditë.

• Në rastet e problemeve të anemisë, duhet të tregojmë kujdes me sasinë e konsumit të verës, kafes, çajrave, çokollatës etj., ka në përmbajtje përbërës që pengojnë përthithjen e hekurit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura