Flet dermatologia: Problemet me lëkurën në verë, si t’i parandalojmë

Jul 19, 2018 | 16:01
SHPËRNDAJE

s, të gjithë rendin drejt ambienteve të hapura për të marrë vitaminën D, aq të nevojshme për organizmin. Por një fill i hollë ndan domosdoshmërinë nga dëmi që shkakton ekspozimi në diell. Orë të tëra jashtë jo vetëm që mund të shkaktojnë irritim të lëkurës, tharje, djegie, por edhe kancer. Nisur nga kjo, mjekja dermatologe Ardiana Sinani na vjen në ndihmë me një bllok këshillash për të moshuar e fëmijë. Sipas saj, mjaftojnë 20 minuta në ditë për të marrë sasinë e duhur të vitaminës.

Nxirja, aq shumë e dashuruar nga femrat, nuk është tjetër veçse vetëmbrojtja që bën vetë organizmi ndaj ekspozimit të tepërt. Më shumë kujdes duhet të tregojë mosha e tretë, pasi me vitet mbi supe, rritet edhe risku i zhvillimit të kancerit të lëkurës dhe keratozave actinike (elementë prekanceroz të lëkurës). Megjithatë, për një verë jo vetëm të kënaqshme, por dhe të sigurt, doktoresha sugjeron ecjen nëpër hije, mbajtjen e syzeve të diellit, kapelave, çadrave ndihmojnë në ruajtjen e lëkurës.

 ARDIANA SINANI
ARDIANA SINANI

Me çfarë problemesh dermatologjike përballen më së shumti njerëzit në këtë periudhë?

Në verë, ekspozimi në ambientin e jashtëm është më i gjatë, gjithashtu dhe ekspozimi në diell është më i madh. Përgjithësisht në këtë stinë, problemet më të shpeshta dermatologjike janë dermatitet alergjike nga kontakti i lëkurës me alergenë të ndryshëm siç janë: bimët, insektet, materiale të ndryshme kimike e të tjera. Tharja e lëkurës apo xerosis si rezultat i dehidratimit, djegiet e lëkurës nga dielli, nga qëndrimi i pakujdesshëm për kohë të gjatë në diell. Te personat e imunokomprementuar (me imunitet të ulët), shihen raste të shpërthimit të herpes zoster (zjarri i natës). Këto patologji janë të dominueshme dhe 100% të trajtueshme, nëse pacientët i drejtohen mjekut dermatolog.

Të gjithë i dimë benefitet e rrezeve të diellit, ashtu siç ka edhe raste kur bëhen të dëmshme. Kur ndodh kjo?

Ekspozimi në diell ka të mirat e veta, ashtu siç ka edhe të këqijat. Koha më e mirë e ekspozimit në diell janë orët e mëngjesit deri në orën 10:00 dhe mbas orës 16:00 pasdite. Ekspozimi në diell në orët e drekës është totalisht i dëmshëm për lëkurën. Studimet e fundit tregojnë se mjaftojnë 15-20 min në ditë ekspozim në diell që të konvertojmë sasinë e duhur të vitaminës D3 ditore, e cila është aq e nevojshme në organizëm për procese të ndryshme metabolike, por ky ekspozim duhet të jetë gjithë ditët e vitit. Ngjyra e plazhit apo tanning i lëkurës nuk ka asnjë efekt të dobishëm shëndetësor, sepse nuk është gjë tjetër përveçse melaninë e prodhuar nga melanocitet (qelizat që prodhojnë pigment) e depozituar në shtresën korneale të epidermës. Kjo është një formë mbrojtjeje që organizmi ynë i bën lëkurës ndaj ekspozimit në diell. Duke qëndruar për orë të gjata në diell e detyrojmë lëkurën tonë të vetëmbrohet nga rrezatimi duke u nxirë.

diegia

Çfarë shenjash dhe komplikacionesh shfaqin personat e ekspozuar së tepërmi në diell dhe kur duhet të kërkojnë ndihmën mjekësore?

Ekspozimi i zgjatur në diell sjell veç dëme për lëkurën dhe organizmin tonë, duke çuar në djegie të lëkurës, dehidratim të saj. Gjithashtu rrit riskun e zhvillimit të kancerit të lëkurës dhe sidomos të melanomës, kancerit me agresiv të lëkurës. Marrja e masave mbrojtëse gjatë ekspozimit në diell siç janë, ecja nëpër hije, mbajtja e syzeve të diellit, kapelave, çadrave ndihmojnë në ruajtjen e lëkurës nga dëmet e ekspozimit në diell.

Pishinat dhe plazhet janë mëse të frekuentuarat këto kohë. Nga se duhet të ruhemi që të kalojmë një sezon veror të sigurt?

Duhet të përzgjedhim ambiente të pastra qëndrimi, plazhe të pastruara, pishina me ujë të dezinfektuar dhe jo shumë të populluara. E mira është që peshqiri që përdorim për t’u shtrirë në shezlong mos të jetë i njëjti me atë që përdorim kur fshijmë trupin. Peshqiri apo mbulesa e përdorur për shezlongun të jetë e veçantë, medoemos duhet të jenë personalë dhe mos të harrojmë të përdorim kremin mbrojtës ndaj diellit sa herë që fshihemi, pasi dalim nga deti apo pishina.

Lëkura e fëmijëve është më e ndjeshme në këtë aspekt. Çfarë do t’u këshillonit nënave me të vegjël që zgjedhin detin për këto ditë të nxehta?

Fëmijët kanë një lëkurë më të ndjeshme dhe më sensitive se të rriturit. Ekspozimi në diell i fëmijëve duhet të jetë i përditshëm sepse është shumë e nevojshme konvertimi i vitaminës D3 në lëkurë. Çdo ditë ata duhet të ekspozohen në diell, por me shumë kujdes mbas orës 10:00. Për fëmijët duhen përdorur kremra mbrojtës me filtër deri 50 dhe mbas orës 10 është mirë të luajnë në hijen e çadrave. Nëse vazhdojnë të ekspozohen në diell mbas kësaj ore, duhet të veshin një t-shirt, kapele dhe kremin mbrojtës.

Mendoni që të gjithë pacientët janë të prirur të kërkojnë ndihmën mjekësore, apo e kalojnë me medikamente në farmaci ose dhe kura popullore?Përgjithësisht njerëzit janë më të ndërgjegjësuar për efektet e dëmshme të rrezatimit diellor dhe përkujdesen paraprakisht, duke marrë kremra mbrojtës përpara se të shkojnë në plazh dhe janë të prirur të kërkojnë ndihmë mjekësore. Vetëmjekimi duke shkuar në farmaci apo trajtimet popullore japin zgjidhje të përkohshme dhe ndonjëherë të gabuara.

Po për moshën e tretë specifikisht, çfarë do të këshillonit?

Të moshuarit duhet të kenë shumë kujdes gjatë ekspozimit në orët e pikut. Me rritjen e moshës, rritet edhe risku i zhvillimit të kancerit të lëkurës dhe keratozave actinike (elementë prekanceroz të lëkurës). Hidratimi me sasinë e nevojshme të ujit dhe qëndrimi në ambiente me hije është më i këshillueshëm për këtë moshë. Shëtitjet, sidomos në bregun e detit për këtë moshë janë mjaft të këshillueshme, por deri në orën 9:00 të mëngjesit dhe pas orës 17.00 pasdites. Mos harroni kremin mbrojtës, syzet e diellit, kapelën, çadrën për të mbrojtur lëkurën tuaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura