Flet biznesmeni i rrahur në Sukth: Dyshoj se ma bënë për dritaret…

Apr 28, 2016 | 9:00
SHPËRNDAJE

Biznesmeni nga Sukthi, Osman Pana, i rrahur mëngjesin e djeshëm nga disa persona, duke folur për mediat nga spitali, u shpreh se nuk ka dijeni se cilët janë autorët, ndonëse dyshon se mund të ketë lidhje me ndërtimin që po kryen.

Osman Pana në spitalin e Durrësit
Osman Pana në spitalin e Durrësit

Ai njihet për tregtinë e bojërave në Sukth, ku ka dhe magazinën. “Ishin 5 ose 6 perona që m’u sulën nga mbrapa. Nuk e di a kishin armë apo jo. Ishte ora rreth 7 e mëngjesit dhe sapo shkova në magazinën time. Më kanë qëlluar nga pas. Ngjarja është e filmuar sepse të dy komshinjtë e mi, te magazina kanë kamera sigurie”, u shpreh ai.

Sipas Panës, nuk i është vendosur gjobë dhe as i kanë kërkuar para. “Nuk e di kush ishin, por më qëlluan me dru. Ata ishin shumë dhe unë isha një i vetëm. Nuk mbaj mend shumë se më lanë pa ndjenja. Në spital më kanë sjellë komshinjtë. Nuk kam konflikte me njeri, përveçse me komshiun për shkak të dritareve. Jam duke ndërtuar katin e dytë të shtëpisë time dhe komshiu nuk do që dritaret e mia të bien nga ana e tij e shtëpisë. Dyshoj që mund të jetë për këtë shkak”, ka dhënë variantin e tij Osman Pana.

Nga ana e Policisë është bërë identifikimi i dy autorëve. “Ata janë shtetasit: A.M., 42 vjeç dhe B.B., 40 vjeç, banues në Sukth. Shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë një konflikt që shtetasi O.P. ka pasur me fqinjin e tij, shtetasin Xh.N., pasi hapi një dritare në krah të banesës së këtij të fundit. Autorët e dyshuar kanë lidhje shoqërore me shtetasin Xh.N.”, bëri të ditur Policia.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura