Babai i vëllezërve Aliko: Dorëzohuni, sqaroni situatën. Ne jemi besimtarë jo vrasës

Jun 27, 2015 | 8:06
SHPËRNDAJE

Adil Aliko, babai i dy vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko të shpallur në kërkim nga Policia si të dyshuar për sulmin me armë ndaj RENEA-s në Lazarat, u bën thirrje të bijve që të dorëzohen.

Vellezerit Aliko

Ai thotë se nuk ka komunikuar prej tre ditësh me dy djemtë, që nga dita kur ndodhi ngjarja, por dyshon që ata të kenë qenë në Lazarat.

Madje për të voglin flet me siguri që ka qenë në Kavajë, ndërsa për të madhin nuk është i sigurt, pasi ai nuk i ka treguar duke qenë se ishte në kërkim.

 

Arbion Aliko

Pasi ngushëllon familjen e efektivit të vrarë, Ibrahim Basha, Adil Aliko sqaron se po ngatërrohet besimi i tyre në fenë myslimane me terrorizmin. Ndërsa thekson se nuk është e vërtetë që djali i tij i madh të ketë luftuar në Siri. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se nuk kanë qenë vetëm 2 veta që kanë qëlluar me armë në Lazarat, por dhjetëra persona.

Dy djemtë e tu janë shpallur në kërkim si të dyshuar për sulmin me armë që i mori jetën efektivit të RENEA-s mëngjesin e së mërkurës. Keni ndonjë koment rreth akuzës së ngritur ndaj tyre?
Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së oficerit të RENEA-s që mbeti i vrarë. Së dyti unë nuk mund ta besoj që djemtë e mi të jenë të përfshirë në këtë ngjarje e aq më pak të jenë autorë. Por, sidoqoftë, besoj se gjithçka do të sqarohet kur ata të ndalohen nga Policia. Prandaj dua t’u bëj thirrje që të dorëzohen dhe të sqarojnë pozicionin e tyre në këtë ngjarje.

Edhe pse jo në rrugë zyrtare, prej dy ditësh përflitet që djali juaj i madh ka qenë në Siri duke luftuar përkrah xhihadistëve. E vërtetë është kjo?
Absolutisht nuk është e vërtetë. Djali nuk ka qenë kurrë në Siri. Asnjëri nga djemtë. Ne jemi besimtarë myslimanë, të dy djemtë e mi agjërojnë, por kjo nuk do të thotë që ata janë terroristë. Siç janë më shumë se 70 për qind e shqiptarëve myslimanë, ashtu jemi edhe ne, por nuk duhet të ngatërrohet besimi me terrorizmin ashtu siç po bëjnë.

A keni komunikuar gjatë këtyre ditëve, pas të mërkurës që ndodhi ngjarja, me dy djemtë tuaj?
Jo, nuk kam pasur asnjë mundësi komunikimi me ta prej tre ditësh. Prandaj edhe kam zgjedhur mediat që t’u bëj thirrje të dyve që të dorëzohen. Ata janë në kërkim që prej një viti nga Policia dhe nuk i kam takuar, por së fundmi as në telefon nuk kam folur. Djali i vogël ka qenë 16 vjeç kur u shpall në kërkim vjet, sot është 17. Por dua të saktësoj se edhe mosha u është rritur për arsye që nuk i di, pasi asnjëri nuk ka atë moshë që thotë Policia. Djali i madh është 19 vjeç, i dyti aq sa ju thashë. Kam edhe një djalë më të vogël, 10 vjeç.

Keni ndonjë ide se ku kanë qenë djemtë kur ndodhi sulmi me armë në Lazarat?
Për djalin e vogël e di të sigurt që ka qenë në Kavajë. Ndërsa i madhi herë më thoshte që ishte në Vlorë, herë në Sarandë, por nuk e di vendin e saktë, pasi ai nuk më tregonte duke qenë se ishte në kërkim.

Ju keni dijeni se çfarë ka ndodhur në Lazarat gjatë natës e të mërkurën në mëngjes?
Unë nuk jetoj më në Lazarat, pasi kam zbritur poshtë tashmë. Por me aq sa di unë dhe çfarë kam dëgjuar nuk kanë qenë vetëm dy djemtë e mi atje, siç pretendon Policia, ka qenë një grup i madh prej dhjetëra personash që kanë qëlluar me armë. Prandaj dua që të dy djemtë të dorëzohen sa më parë dhe të sqarohet kjo situatë. Nëse janë të pafajshëm, ashtu siç them unë dhe besoj, atëherë do lirohen. Nëse vërtet kanë bërë atë që akuzohen nga Policia, le të marrin dënimin që meritojnë. 

ETLEVA DELIA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura