Flet avokati i Marios: Çfarë nuk bindi suedezët t’i jepnin azil, ai u tha se…

Apr 13, 2018 | 9:55
SHPËRNDAJE

I ndjerë në rrezik dhe i pambrojtur në vendin e tij, përballë të shkuarës që e përndiqte prej 18 vitesh, Mario Majollari, i riu 28-vjeçar, i cili ra pre e gjakmarrjes, tentoi për një periudhë të gjatë t’i jepte zgjidhje situatës ku ndodhej. Ai ishte i bindur se një ditë, hasmi i krijuar pikërisht prej dorës së babait të tij do të lante gjakun e derdhur vite më parë.

Mario-Majollari-1

Ndoshta Suedia ishte mundësia e tij për të pasur një jetë të sigurt. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, avokati mbrojtës i të ndjerit, Maravgi Staifo, na tregon tentativat e shumta të Marios për të siguruar azil në Suedi. I tronditur nga lajmi, avokati shprehet se bordi i emigrimit e refuzoi kërkesën e Marios për azil me arsyetimin se të riut mund t’i sigurohej mbrojtje nga autoritetet shqiptare.

“I riu e përshkroi situatën në Shqipëri dhe tregoi se nuk ishte e mundur të merrje mbrojtje, ndoshta për shkak të traditave të vjetra që mbart vendi si në rastin e gjakmarrjes. Ai u shpreh se nuk ndihej i sigurt në situatën që gjendej. Mendoj se bordi e dinte situatën në Shqipëri, por i thanë që duhet të përpiqej në çdo mënyrë që të merrte sigurinë në vendin e tij”, tregoi avokati Maravgi Staifo. Pas refuzimit të azilit, Mario u përpoq të qëndronte larg Shqipërisë duke shkuar në destinacione të ndryshme për të jetuar si Belgjikë, Gjermani apo Oman. 28-vjeçari kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer në vendit e tij dhe mbrëmjen e 10 prillit, pikërisht poshtë banesës ku jetonte me mamanë dhe të motrën, ai u qëllua me tri plumba dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.

Çfarë ju tregoi Mario për të shkuarën e tij, pse ndihej ai i rrezikuar? Kishte marrë ndonjë kërcënim direkt nga ndonjë person në Shqipëri?
Klienti im, Mario, u shpjegoi autoriteteve në Suedi se ndihej i kërcënuar dhe i rrezikuar në vendin e tij për shkak të së shkuarës dhe u tregua shumë i qartë në atë çfarë e shqetësonte. Ai nuk deklaroi të ketë pasur një kërcënim direkt nga ndonjë person, por ndihej i rrezikuar prej krimit që kishte kryer babai i tij vite më parë. Rreziku ishte karshi familjes së tij për shkak të së shkuarës së të atit.

Kur e takuat për herë të fundit, si mund ta përshkruani gjendjen e Marios, ndihej i frikësuar?
Marion e takova për herë të fundit në dhjetor të vitit 2016, u përpoqëm shumë që atij t’i ofrohej një zgjidhje. Kur dëgjova çfarë i kishte ndodhur, u trishtova shumë. Jam shumë i pikëlluar. Ky është një demonstrim i qartë se kishte të drejtë në atë që na tha. Do dëshiroja shumë t’i ishte ofruar një zgjidhje.

Intervista e plotë në GSH.al:

http://www.gsh.al/2018/04/13/rrefimi-ekskluziv-flet-avokati-i-mario-majollarit-jeta-ne-suedi-e-28-vjecarit/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura