Flautistja Daorsa Dervishi: Muzikantja që po sjell shijen baroke në Shqipëri

Jul 14, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kur nisi te studionte për flaut, në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit, Daorsa Dervishi nuk e kishte menduar që një ditë do të studionte flautin barok. Në Shqipërinë e asnjë kohe, as është luajtur e as është studiuar ndonjëherë muzika e vjetër. Sot, në ditën e fundit të festivalit të muzikës së vjetër “Vox Baroque”, që u zhvillua në vende të ndryshme të Shqipërisë, Daorsa tregon për përvojat dhe studimet në këtë zhanër muzikor, që edhe Europa e humbi nga veshët për thuajse 100 vjet. Muzikantja nga Durrësi i nisi studimet e flautit që në moshën 9-vjeçare, në qytetin e saj, për t’i vijuar në Milano, në konservatorin “G.Verdi”.

Daorsa Dervishi

Pasi u diplomua për flaut modern, ndoqi dhe përfundoi me rezultate të larta edhe dyvjeçarin për Diplomën e Nivelit të Dytë Akademik, me M° G. Gallotta dhe M° G. Cambursano. Paralelisht, në të njëjtin konservator, filloi studimet e flautit traversier barok. Nëse për kolegët e saj shqiptarë, muzika baroke kishte qenë një terren i pashkelur, Daorsa jo vetëm e studioi, por i kushtoi më pas punë e përvojë, deri në krijimin e një grupi, me dy kolegë të saj shqiptarë që kishin studiuar po në Itali. Kështu u krijua “Albanian Baroque Ensemble”, grupi i parë shqiptar që luajti vjet, për herë të parë, muzikë baroke në Shqipëri.

“Dëshira ime fillestare ishte që të sillja repertorin barok, parë nga një këndvështrim më i thellë. Pikërisht studimet europiane më hapën një dritare që në shkollat tona ende është e mbyllur. Të gjithë instrumentistët e luajnë dhe kanë aktivitete, por ne donim të sillnim përvojën e muzikantëve të asaj kohe që shëtisnin duke shkëmbyer idetë e stilet muzikore. Ashtu siç ne u apasionuam pas kësaj ideje, edhe publiku shqiptar shprehu pëlqimin e tij.

Në Shqipëri nuk jam prezantuar si përfaqësuese e muzikës baroke, por nga disa përvoja të vogla që pata këtu, hasa kuriozitetin e studentëve të klasës së flautit, por edhe të profesorëve që e pritën shumë mirë idenë. Kështu menduam që edhe vendi ynë të zgjohej; të dëgjonte tinguj të rinj, të shijonte shije nga më të vjetrat, por që janë të reja për vendin tonë. Repertori ynë përmban disa perla të fshehura të repertorit barok, që nuk u pëlqyen vetëm nga profesionistët, por edhe nga adhuruesit e muzikës”.

Për të mbërritur deri në përvojën e Shqipërisë, Daorsa ka kaluar dhjetëra koncerte në Itali; ka pasur aktivitete koncertore si soliste, ashtu edhe me grupe dhome të ndryshme, duke përdorur instrumentet e periudhës baroke, klasike dhe moderne. Luan në institute si Akademia e Arteve Brera në Milano, Akademia e Arteve në Tiranë, Teatri “A. Moisu” në Durrës, Teatri “Fraschini” në Pavia, salla “Puçini” në Konservatorin e Milanos, Bazilika “San Marco” në Milano, Muzeu i Kremonës, Instituti Peri në Rexho Emilia, Tribuna e Davidit të Mikelanxhelos në Firence, Teatri Alaleona në Montexhorxho, Salla e Koncerteve e Konservatorit “Nicolini” në Piaçenca…

Veç të tjerash, luan për Festivalin Lodoviciano të Viadanës si në rolin e solistes, ashtu edhe në rolin e flautit të parë të orkestrës së Festivalit dhe në stinët konceptore: “Concerti nel Chiostro” në Milano, “Ricerca D’Ascolto” në Kremona, “DanzalParco” në Bresha, Note Barocche në Valle Scrivia, Netët e Muzikës Klasike në Durrës, Festivali i Muzikës në Krema, Festivali i Muzikës Antike “Suoni d’Arte” në Xhenova etj. “Studimi i një partiture antike, që janë në përgjithësi të shkruara me dorë, ky është specializimi që ne kemi bërë, të dimë të lexojmë të gjitha figurat që kompozitori ka bërë që në burim. Ekzistojnë kronika të epokës ku ne, përpara se të luajmë një pjesë, nuk mjaftohemi vetëm me partiturën, por duhet të marrim gjithë traktatin. Të gjitha këto ndërtojnë atë njohuri që ne ta bëjmë pjesën sa më të afërt me atë të kompozitorit.

Është e papranueshme të merret një partiturë e kohës, përndryshe është një interpretim joautentik”. Instrumentet e tre anëtarëve të grupit apo të gjithë atyre që luajnë muzikë baroke, janë të ndërtuara vite më parë, me po të njëjtat kritere të veglave muzikore që janë përdorur kur lindi muzika baroke, por nuk janë autentike. Flauti i Daorsës nuk është metali, por druri dhe ka vibracione e tinguj të ndryshëm nga ai prej metali. Ne e dëgjojmë këtë muzikë falë këtij festivali, për të dytin vit, por me numër të limituar njerëzisht, sepse, siç vetë instrumentistët e pranojnë, muzika baroke nuk është për të gjithë.

Madje edhe ambientet ku luhet duhet të jenë të vogla, nuk pranohen as mikrofona e as amplifikimet që kërkojnë sallat e mëdha. Aktualisht, Daorsa Dervishi bashkëpunon si flautiste baroke në koncertet dhe aktivitetet e Konservatorit “G. Nicolini” të Piaçencës. Është bashkëthemeluese e grupit “Albanian Baroque Ensemble”, grupi i parë muzikor barok shqiptar. Ky grup u themelua në verë të 2014-s, me rastin e festivalit të parë të muzikës baroke në Shqipëri, “Vox Baroque”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura