Flasin ekspertët e huaj: Ja si e zgjedhim Kryeprokurorin në Kroaci dhe Rumani

Dec 11, 2017 | 15:22
SHPËRNDAJE

Kush do e zgjedhë Kryeprokurorin, kush do e bëjë dhe kush do e pësojë reformën në drejtësi? Nëse do të kuptosh më mirë çfarë do të ndodhë në Shqipëri, mjafton të shohësh çfarë ka ndodhur në vende të ngjashme. Si e kanë aplikuar ata reformën, çfarë produkti patën dhe çfarë përfitimi pati vendi.

Codru Vrabie, avokat rumun, që prej 15 vitesh, mbulon çështje të sistemit të drejtësisë, mirëqeverisjes dhe korrupsionit, në një intervistë për #DritaremeRudinën, sqaron zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në Rumani dhe procedurat që parashikon kushtetuta rumune.

“Kushtetuta në Rumani përcakton që Prokurori i Përgjithshëm të emërohet nga Presidenti i Republikës, bazuar në një propozim që vjen nga Ministri i Drejtësisë, i cili shqyrtohet më pas nga Këshilli Gjyqësor. Pra, ne kemi tre aktorë institucionalë të përfshirë në këtë procedurë. Ministri bën propozimin, Këshilli Gjyqësor e shqyrton këtë kandidaturë duke parë të kaluarën profesionale të kandidatit dhe Presidenti mund ta aprovojë këtë kandidaturë ose ta refuzojë atë dhe t’i kërkojë Ministrit të Drejtësisë, të paraqesë një kandidaturë tjetër.

Kjo procedurë është rezultat i një ndryshimi shumë ambicioz kushtetues në vitin 2003, i ndjekur nga ndryshimet legjislative të bëra në vitin 2004 dhe më vonë, të ndryshuara në vitin 2005, 2006 dhe kështu me radhë.”

Gazetarja kroate, Ana Raic-Knezevic tha për #DritaremeRudinën se imazhi publik i gjykatësve kroatë është i tmerrshëm, pavarësisht reformës.

“Ne ende kemi probleme të mëdha. Këto ditë në Kroaci ka një debat të madh në lidhje me zgjedhjen e gjyqtarëve. Është një rreth shumë i mbyllur gjyqtarësh të cilët zgjedhin njeri-tjetrin brenda rrethit të tyre . Një gjykatës është zgjedhur në mënyrë të paligjshme këto kohë, për të shërbyer në një gjykatë shumë të rëndësishme në Zagreb, e cila merret me raste shumë të rëndësishme. Në të vërtetë asgjë nuk ndodhi pasi u zbulua, ata pranuan se kishte pasur parregullsi brenda Këshillit Gjyqësor që kishte zgjedhur këtë gjyqtar dhe kaq. Më duhet t’ju them se ky Këshill përbëhet nga gjyqtarë dhe dy anëtarë të parlamentit. Pra ekziston një lloj kontrolli parlamentar mbi zgjedhjen e gjyqtarëve, por në të vërtetë nuk është i fortë, sepse ata që votojnë janë 11 gjyqtarë dhe dy anëtarë te Parlamenti.

Imazhi publik i gjykatësve kroatë është i tmerrshëm dhe ata janë të vetëdijshëm për këtë. Vetëm një ditë më parë Kryeministri ynë, përpara një auditori shumë të madh gjyqtarësh, u tha ‘duhet të ndryshoni.

Për sa i përket Prokurorit te Përgjithshëm, atë e zgjedh qeveria dhe Parlamenti e voton me shumicën e votave. Dhe pasi shqyrtohet edhe nga Këshilli i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me një mandat katërvjeçar.

Ashtu siç zgjidhet nga parlamenti, ai gjithashtu mund të revokohet nga parlamenti, prandaj mendoj se ai varet nga politika. Edhe pse në Kushtetutën kroate është e shkruar që Prokurori I Përgjithshëm është i pavarur. Ai zgjedh zëvendësin e tij, personin që udhëheq USKOK-un që është Zyra për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prokurori i përgjithshëm duhet të raportojë në parlament çdo vit, çfarë ka bërë gjatë atij viti.

Ai shkon në parlament dhe raporton për gjithçka, sa raste ka mbyllur, sa para ka në xhep, sa njerëz ka nevojë për të bërë punën dhe zakonisht ankohet se nuk ka mjaftueshëm para, makina, njerëz për të kryer punën.”

Gazetari investigativ nga Rumania, Attila Biro duke folur në  #DritaremeRudinën, për reformën në drejtësi dhe peshqit e mëdhenj, kapur prej saj në Rumani, thotë:

“Pa diskutim peshku më i madh që kemi kapur ne Rumani, është ish-kryeministri Adrian Nastase. Ajo ditë nuk erdhi lehtë, u deshën 5 apo 6  vjet për të dënuar atë dhe kjo nënkuptonte që legjislacioni duhej të ndryshohej, sepse fillimisht kishim departamentin e anti-korrupsionit që në letër ishte i mrekullueshëm, pra prokurorë në letër po kryenin hetime kundër korrupsionit, por në realitet ata nuk e kryenin fare punën e tyre.

Pra, ka pasur rrëmujë në institucione. Për këtë arsye ligji duhej të ndryshohej, kështu që kishim disa dispozita nga Kodi Penal dhe u ndryshua një legjislacion i posaçëm për të lejuar prokurorët të kryenin hetime efikase. Pas kësaj, rastet si ai i Adrian Nastase, por jo vetëm rasti i tij , sepse kishte të tjerë anëtarë të parlamentit ose anëtarë të qeverisë që u dërguan në gjykim. Ata u dërguan para gjykatave, por përsëri në gjykata këto raste janë zgjatur me vite dhe vite për çështje proceduriale. Pra, përsëri ligji duhej të ndryshohej dhe në mënyrë që të kishim në fund një sistem që të funksiononte plotësisht.

U deshën shumë legjislacione për t’u modifikuar. Por kjo ishte gjithashtu për shkak se shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj hynë në sistemin gjyqësor, kështu që ata erdhën pa ndikime, pa zakone të këqija nga të vjetrit, sepse në thelb pjesa më e madhe e tyre u rrit në Rumaninë demokratike, kështu që mendoj se ky ishte faktori kryesor që shumë nga këto raste kanë kaluar me dënime dhe burgime.

Për shembull, kur parlamenti filloi të modifikonte legjislacionin mbi sistemin gjyqësor, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Rumani u bashkuan dhe i kërkuan parlamentin njëzëri për ta ndaluar këtë. Kjo është hera e parë dhe e vetme që pashë gjyqtarët dhe prokurorët të bashkuar dhe në numër aq të madh. Unë nuk e di nëse ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të botës. Kjo ishte një gjë me të vërtetë e bukur për t’u parë, që gjyqësori reagoi ndaj sistemit politik dhe u përpoq të ruajë pjesën e këtij sistemi, demokratik.”/Marrë nga Dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura