‘Flamurtari’, trajnerin do e zgjedhin… tifozët!

May 22, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

Gjetje në Vlorë, tifozët do të zgjedhin trajnerin e ri të Flamurtarit. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, pritet të marrë një iniciativë, sipas së cilës, fati i pankinës vlonjate do t’i besohet opinionit që do të kenë tifozët.

Sinan Idrizi

E ndërsa italiani Ernestino Ramela nuk ka shanse për të qëndruar në krye të ekipit për shkak të rezultateve negative të njëpasnjëshme, Idrizi tregon për “Panorama Sport” idenë e tij për trajnerin e ri.

“Nuk do ta zgjedh unë trajnerin e ri. Do të jenë tifozët ata që do të përcaktojnë se kush do të jetë. Ne si klub do t’u japim pesë emra, duke i publikuar në faqen zyrtare të klubit në ‘Facebook’, e më pas le ta zgjedhin tifozët. Do të jetë pikërisht një sondazh në internet dhe kjo ndoshta është mënyra më e mirë”, ka sqaruar dje kreu i klubit vlonjat. Ndërsa i pyetur për trajnerin aktual, Idrizi bën diplomatin, duke respektuar edhe marrëveshjen që ka me Ramelën, e cila përfundon këtë muaj.

“E kam thënë dhe e përsëris. Unë e kam trajnerin dhe nuk po kërkoj momentalisht trajner. Nuk i dihet ndoshta, mund të jetë sërish Ramela në krye të Flamurtarit. Kjo mbetet për t’u parë dhe pritet që të vendoset pasi ne të ulemi dhe të diskutojmë fillimisht me trajnerin aktual. Nëse nuk do të biem dakord me Ramelën, atëherë do të kërkojmë trajner të ri”, deklaroi administratori kuqezi.

Kandidatët

Edhe pse nuk konfirmohen zyrtarisht nga klubi, për momentin në preferencat e klubit vlonjat janë 3 trajner vendës. Bëhet fjalë për vlonjatin Gerd Haxhiu, peqinasin Gugash Magani dhe shkodranin Armando Cungu. Të tre këta trajnerë janë tashmë në pëlqimet e drejtuesve vlonjatë, madje mësohet se me të tre ka pasur kontakte. Klubi ka konfirmuar vetëm bisedimet me Haxhiun, ndërsa për Maganin dhe Cungun s’ka dhënë detaje. 

Marre nga Panorama Sport  

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura