Flamurtari ofron 150 mijë euro për Bregun, Idrizi: Kam folur me presidentin Tavo…

Dec 9, 2017 | 9:28
SHPËRNDAJE

Dejvi Bregu u largua në janar të vitit 2016 me parametra zero nga klubi ku u rrit, Flamurtari, për t’u transferuar më në skajin jugor të vendit te Luftëtari. Në Gjirokastër besuan te talenti i tij dhe e bindën të firmoste një kontratë me afat dy vite e gjysmë. Tashmë, kur po mbushen dy vite që Bregu mban veshur fanellën bluzi, “Panorama Sport” mëson se në klubin e vendlindjes, Flamurtari, janë gati të japin 150 mijë euro për të blerë kartonin.

Dejvi Bregu

Presidentët Sinan Idrizi dhe Grigor Tavo kanë folur dhe në parim kanë gjetur akordin për shifrën që kërkon Luftëtari, por gjithçka mbetet në dorë të lojtarit. Bregut i përfundon kontrata me Luftëtarin në verën e vitit 2018 dhe interesi i klubit gjirokastrit është ta shesë në janar, në mënyrë që vlonjati të mos largohet me parametra zero. Ofertat për 22-vjeçarin janë të shumta, por nga ajo që mëson gazeta, Flamurtari e sfidon Partizanin dhe Skënderbeun në garën për yllin e bluzinjve.

PRESIDENTËT – Idrizi konfirmon për “Panorama Sport” bisedimet për blerjen e kartonit. “Kam kontaktuar me presidentin e Luftëtarit. Kemi rënë parimisht dakord për të rikthyer Bregun në Vlorë. Është një kërkesë edhe e trajnerit Duro dhe ne po bëjmë përpjekjen tonë. Megjithatë, në fund do të jetë Bregu ai që do të vendosë për të ardhmen e tij.

idrizi

Kemi marrë sinjal pozitiv nga Luftëtari për transferimin, por nuk ia vlen që unë të flas për shifra se sa do ta blejmë kartonin. Është shpejt për këtë gjë”, tregon Idrizi. Nga ana tjetër, më konciz ishte në deklaratën për gazetën kreu i klubit gjirokastrit, Grigor Tavo. “Është e vërtetë që Idrizi më ka kontaktuar për Bregun. Unë kam vendosur një shifër për kartonin, kjo është e gjitha. Për momentin, jemi të përqendruar te ndeshja e radhës, ka kohë të flasim për merkaton”.

DILEMAT – Shanset që Bregu të rikthehet në Vlorë janë të pakta. Edhe pse vetë mesfushori nuk ka dashur të prononcohet në lidhje me këtë çështje, duke qenë se klubi ka vendosur heshtje për shtyp, burime të sigurta pranë lojtarit tregojnë se Bregu kërkon një aventurë jashtë Shqipërisë. “Bregu nuk dëshiron të kthehet në Vlorë, do një eksperiencë jashtë.

Bregu

Të paktën kështu ka biseduar edhe me presidentin”, tregojnë burime të sigurta pranë futbollistit të talentuar. Ndërkohë, drejtuesit e Luftëtarit janë të prirë për të mos ia imponuar zgjedhjen vlonjatit, në një kohë që ofertat nuk i mungojnë, edhe pse Flamurtari jep më shumë se çdo klub tjetër brenda Shqipërisë.

Bregu është kthyer në një fiksim i trajnerit Shpëtim Duro. Madje, pas ndeshjes Luftëtari-Flamurtari pak ditë më parë, Duro u shpreh: “Bregu ka qenë një dëshirë e hershme e imja, mbetet peng për mua. Nëse do ta kisha në skuadër, do t’i jepte lojës sonë më shumë frymëmarrje”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura