Flamurtari në “sulm”, Daja kërkon Souenë por problemi qëndron te…

Jul 3, 2018 | 20:01
SHPËRNDAJE

Flamurtari hidhet në “sulm” për Ali Souenë. Drejtuesit kërkojnë të marrin shërbimet e një prej sulmuesve më të mirë të sezonit të fundit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë në letër, pasi klubi ka kontaktuar me lojtarin dhe, me sa duket, kanë folur parimisht edhe për termat financiarë.

soue-470x364

Por, “bomberi” nga Gambia është tejet i shtrenjtë, ndërsa kujtojmë që te Skënderbeu përfitonte rreth 8 mijë euro në muaj. Mësohet se 24-vjeçari nuk do të zbresë poshtë shifrës që merrte në Korçë dhe tashmë duhet parë nëse kuqezinjtë janë gati që t’ia plotësojnë pretendimet.

Pritet që këtë javë të vendoset çdo gjë mes Souesë dhe Flamurtarit. Afrimi i tij është një kërkesë e bërë prej trajnerit Ilir Daja. Sikundër dihet, sulmuesi luajti në Korçë si i huazuar prej Kievos. Italianët zotërojnë kartonin e tij edhe për një tjetër vit, ndaj, dashur pa dashur, “fatin” e afrikanit e kanë në dorë pikërisht ata. Soue është një lojtar me eksperiencë dhe që mund të përmbushte pritshmëritë që Flamurtari do të ketë për sezonin e ri, kujtojmë që ai në 2013 ka luajtur 7 ndeshje për veronezët, duke shënuar edhe një gol.

Daja6-470x313

Pas këtij sezoni karriera e tij ka kaluar nga një huazim te tjetri, Juve Stabia (2013- 2014, 36 ndeshje dhe 8 gola), Peskara (2014-2015, 11 ndeshje dhe 2 gola), Latina (2015, 13 ndeshje, dhe asnjë gol), Modena (2015- 2016, 8 ndeshje dhe 0 gola), Leçe (2016 Leçe (9 ndeshje dhe 1 gol), Prato (2016-2017, 15 ndeshje dhe 0 gola), Viboneze (2017, 18 ndeshje dhe 6 gola) dhe në fund te Skënderbeu, kur në 33 prezenca e gjeti 21 herë rrjetën.

AFRIMET

Pritet që këtë javë të nisë puna për merkaton në hyrje. Trajneri ka kontaktuar me disa futbollistë që mendon t’i ketë nën urdhra tek ekipi i tij. “Grepat” i ka hedhur edhe në Korçë, ndërsa pëlqen Muzakën, Osmanin dhe Micin. Megjithatë, nuk janë të vetmit. Ka dalë në “skenë” edhe emri i mesfushorit Asion Daja, që gjithashtu është në plane. Ky lojtar nuk ka rinovuar me Tiranën dhe është një lojtar i lirë. Por, gjasat janë që të shikohet me prioritet edhe tregu i huaj, përfshi edhe atë maqedonas, pasi Flamurtari do të ndërtohet thuajse nga e para.

RINOVIMET

Bashkë me zyrtarizmin e Ilir Dajës, drejtuesit do të përqendrohen edhe te rinovimet. Klubi do të thërrasë disa nga lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë për t’i ofruar vazhdimin e bashkëpunimit. Pra, bashkë me Useinin, Mustën dhe Bushiçin, do të ketë edhe të tjerë. Ndër të parët që pritet të ulet në diskutime për zgjatje të marrëveshjes është mbrojtësi Ditmar Bicaj. Drejtuesit do të telefonojnë edhe Danilo Alveshin për t’i kërkuar rikthimin, për të paktën një tjetër sezon. Në listë është edhe Goran Siljanovski. Mbetet në dorën e këtyre dy lojtarëve për të vendosur, pasi kanë oferta edhe nga jashtë Shqipërisë. Pezull mbetet e ardhmja e Franc Veliut apo Artim Pollozhanit, megjithatë gjithçka pritet që të mësohet në vazhdim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura