“Flamurtari me lojtarë të ardhur nga plazhi”, Daja i përgjigjet Starovës

Sep 23, 2018 | 13:14
SHPËRNDAJE

Pavarësisht humbjes së dytë radhazi, me dy rivalë si Skënderbeun dhe Partizanin, Ilir Daja mendon se Flamurtari i ka forcat për të luftuar për pjesën e sipërme të tabelës. Në prononcimin e dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Daja apeloi për durim edhe nga ana e tifozërisë, pasi nëse ndodh e kundërta, u jepet mundësia rivalëve që të përfitojnë nga kjo situatë.

ilir daja

Duke folur për çka duhet të bëjë Flamurtari në vijim, primare për trajnerin Daja mbetet konsolidimi i manovrës për të pasur vazhdimësi. “E para që duhet të bëjmë është konsolidimi i manovrës, sepse pa atë nuk kemi mundësi për vazhdimësi, ashtu siç morëm pikët në fillim. E dyta, të gjithë duhet të kenë besimin që duhet të bëjmë gjëra drejt pjesës së sipërme të tabelës. Gjithsesi, kjo ka kohën e vet, pra ka çmimin e vet, jo në aspektin monetar, por në atë të pikëve. Ashtu siç duhet të ecim përpara dhe të gëzojmë kur fitojmë, duhet që të gjithë bashkë edhe me tifozët tanë, të jemi të durueshëm, pasi në fund fare, nëse bëjmë të kundërtën, do t’u japim mundësinë rivalëve të përfitojnë nga ajo situatë”, tha fillimisht Daja.

ANALIZA- Në një analizë të thjeshtë dhe të shkurtër teknike të humbjes me Partizanin, trajneri Ilir Daja thotë se ekipi i tij ishte dobët vetëm në 20 minutat e para të takimit, ku pësoi edhe golin. Daja thekson se Flamurtari ia krijoi vetes situatat e rrezikshme në portë, pasi humbiste topin në zonat e rrezikshme. “Ekipi ka qenë dobët në fillimin e ndeshjes, sidomos në 20 minutat e para, derisa pësoi edhe golin. Pa i hequr asnjë meritë edhe Partizanit, po të shikosh të gjitha situatat e rrezikshme në portën tonë i krijonim vetë, pasi humbnim topin në zonat e rrezikshme”, u shpreh trajneri.

partizani flamurtari

TORASA- Sulmuesi argjentinas i Flamurtarit, Agustin Torasa, duket se nuk e pranoi zëvendësimin në minutën e 65-të, në ndeshjen me Partizanin. Në shenjë revolte, ai flaku edhe fanellën në stol. Trajneri Ilir Daja tha dje se çdo lojtar duhet ta pranojë ndërrimin. Daja theksoi se do të ulet me Torasën për të diskutuar se cila ishte arsyeja e atij veprimi.

“Çdo lojtar duhet të pranojë ndërrimin, pavarësisht se asn jë në vetvete nuk e pranon atë. Në atë moment, unë nuk e kam parë fare. Do ulem ta diskutojmë me Torasën, cila ishte arsyeja e atij veprimi dhe pastaj do ta ndjekim situatën në dinamikë, për të parë ku do të jetë më e mira për vazhdimësinë. Përsa u përket masave, nuk mund të flasim në dozë emocionale duke parë një video pa ditur se cila është arsyeja e atij veprimi. Torasa mund ta ketë pasur me veten, që akoma nuk është në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore dhe fizike për arsye të dëmtimit që ka pasur që në ndeshjen me Kukësin”, vijoi trajneri Daja.

Starova

Starova- Ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në rolin e opinionistit tashmë, gjatë ndeshjes u tregua i ashpër në lidhje me lojën dhe përforcimet e Flamurtarit. Sipas “Bobit”, loja e vlonjatëve ishte e ngjashme me një ekip të Kategorisë së Dytë, madje ai pohoi se edhe Rrogozhina do të kishte bërë më mirë ndaj “demave”. I pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë mendim të Starovës, trajneri Ilir Daja u shpreh: “Janë mendime individuale, të shprehura në formë thashethemesh, që nuk mund t’i marr në konsideratë edhe kur thuhen nga një koleg”.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura